Mapo Letrare

Mbytem në nji pikë trishtimi






               Publikuar në : 19:18 - 27/04/19 |
mapo.al

Lola Musliaj Agaj


GJYSA EME


Un’ e Ti,
Ti e Unë,
qyshse jam rrit
për me mbajt mend,
jena të lidhun nyje un’ e ti.
Emnin tand
e gdhenda në çdo gur
që mbi mu’ e gjuejtën ;
e shkaku ishe ti.
E gdhenda në çdo zhgënjim
sa herë ma kthyen shpinën;
e shkaku ishe ti.

E unë të kam pas thânë
se kjo botë nuk âsht
për asnjanin prej nesh,
se unë mbytem në nji pikë trishtimi
e harroj që s’ mësova kurrë me bâ not,
e ti mundohesh me m’ ngushëllu,
por të shumtën e rasteve
nuk mjafton…
E tash frigohem
se askujt s’kam me i mungu
kur t’ mos jem mâ,
përveç teje,
Gjysa eme,
Poezi !!!

NJI PIKËL LOTI

Kam mbetë
veç nji pikël loti,
që ka mësu përmendësh
ritualin e kohës,
që e din kur fryjnë ernat
e kur ndërrojnë drejtim.
Njisoj si buzëqeshjet,
e gjet rrugën e vet
sa herë u nguju
ndën porta t’ syve,
e zanun rob
mes egërsisë së qerpikëve,
që s’ ia kanë idenë
ça âsht ngrohtësia.
Kam mbetë
veç nji pikël e kristaltë loti,
që s’ din a me râ
a me ndejt e strukun
në bisht t’ synit tand…

KAM FAJ

E di ,
sonte kam faj
që në nji gjethe
të verdhë vjeshte
u ktheva,
e flladi i kësaj mbramje
dikund larg prej këtu
ka me m’ hedhë,
por frigohem
se s’ke me m’ njoftë,
e krejt pa dashtë
dhimbshëm ke me m’ shkelë…

N’ DAÇ

Lexoji kur t’ kesh kohë
këta rrjeshta që presin me u ledhatu prej teje,
n’ daç lexoji me i pas si udhërrëfyes
në ditët e tua mâ t’ trishta,
e me t’ bâ shoqni nën neonët e fikun t’ shpresës.
N’ daç lexoji kur t’ jesh vetëm,
në netët mâ t’ ftofta t’ dimnit e të tuat,
kanë me t’ kuptu e ke me i kuptu,
e afër oxhakut kanë me t’u duk shoku yt mâ i ngushtë
e lotin e nxehtë kur t’ bijn’ as s’ke me e diktu.

E kur mos t’ jesh mâ pjesë e udhëve t’ mërzisë
e rrugicat e errëta t’ saj s’ke me i shkel as pa dashtë si dikur,
e kur i pushtuem t’ jesh prej shkëlqimit e euforisë ,
s’ke me pas mâ kohë për vargje t’ mijat , e di .
Por n’ daç e n’ mundsh,
lexoji tash që je n’ kohë ,
në fillim me mendje,
e mbrapa lexoji edhe nji herë tjetër me zemër,
e mos m’i shkel me kâmbën e cinizmit,
se n’ ato rrjeshta âsht krejt bota eme….

KËSHTU DUE

Mjesi
hapi nji shteg drite
plot dashuni
e unë kryenaltë përmes tij
kaloj pa u ndie,
nji bulëz vese
mbi flokët e artë më rrin
magjinë e tejzgjatun me e thye…
Magjinë
e përrallës me shtriga
ku u gjeta rastësisht,
në cep të saj ulem tu’ mendue
si s’po kalon nji fllad a nji ré
në kërkim të yjeve me u nis…
Ah, nji andërr
të kish me kalue
e lehtë si pupël ,e bardhë,
andërr mbi tana andrrat me e pasë
se unë kështu due,
se s’di ndryshe me dashtë…

KTHJELLU

Koha po më thinjet
ndën flokë e duer,
valle hedh mjegulla
rreth gardhiqeve të mendjes,
kthjellu , bre zemër,
mos rri helmueshëm,
prej motit të lig
mos merr n’ thue !!!
Se dikund
larg prej këtu
frymojnë do fjalë,
që ambël mbështjellin
muret e tua,
gjueje mërzinë
në fundin e liqenit
e atëherë veç pak ke me pritë
se zambakë uji kanë me çilë
për ty e për mue !!!

ODISE

Zhurmë,rrumujë…
Më shtyjnë bërrylash
sa andej- këndej;
s’di se ku jam
s’di se kush jam.
Oh, s’dihet as se kur
mbaron mallkimi i Zotave
e unë s’due me u përmend në histori
si i vetmi Odise
që kurrë nuk e gjeti Itakën,
që mori detnat pa kenë marinar,
që harkun e luftës
e pat veç si orendi zbukurimi
pa ditë me e përdorë.
Nji Odise që e braktisën shpresat,
që në drejtim të zemrës
asnjiherë nuk e çuen ernat,
nji Odise pa Argo,
pa Penelopë e pelhurë,
e kujt kishte me i pëlqye nji Odise i tillë ?? !!
Bjen zilja…
Hapi sytë…
Faleminders Zotit
veç nji andërr e keqe ish.


Etiketa: , ,

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas