Të paktën tre viktima, mes tyre edhe fëmijë, është raporti i grupit të monitorimit Channel Rescue pasi një anije që udhëtonte ilegalisht u përmbyt në ujrat franceze teksa po përpiqej të arrinte në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një deklaratë të martën, Qendra Operacionale e Shpëtimit dhe Mbikëqyrjes Rajonale Franceze tha se anija po transportonte emigrantë nga Dunkirk, një komunë në bregdetin francez pranë Calais në Francën veriore. Ata që kanë mundur të shpëtohen janë dërguar në spital për trajtim në Calais dhe Dunkirk.
Numri i të vdekurve dhe atyre që udhëtonin në anije nuk është zbardhur ende teksa operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar.
Megjithatë, prokurorët francezë vijojnë hetimet për të identifikuar shkaqet e fundosjes së anijes, shtoi Qendra Operative e Shpëtimit dhe Mbikëqyrjes Rajonale.
Zëvendës Ministrja Franceze Marlene Schiappa shprehu ngushëllimet për familajët e viktimave duke shtuar se qeveria Franceze mbështet plotësisht operacionin e shpëtimit.
“U trishtuam shumë kur morëm lajmin e fundosjes së anijejes që transportonte 19 emigrantë në Angli. Pavarësisht përfshirjeve të plota të burimeve shtetërore në operacionin e shpëtimit, numri i të vdekurve është i rëndë dhe ende i paqartë,” shkroi Schiappa në Twitter.
Kryeministri britanik Boris Johnson u ofroi mbështetje autoriteteve franceze ndërsa ata vazhdojnë hetimet për incidentin dhe u zotua të arrestonte të gjithë bandat që koordinojnë kalime të rrezikshme të kufirit detar Francë-Angli.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të goditur bandat e pamëshirshme kriminale që vendosin në rrezik jetën e njerëzve të pambrojtur duke i premtuar se do t’i transportojnë në kufirin anglez,” tha ai.
Mesazhe ngushëlluese erdhën edhe nga Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel e cila tha se lajmi i humbjeve tragjike të jetëve në Channel e trishtoi pa masë.
“Ky lajm tragjik nxjerr në pah rreziqet që vijnë nga kapërcimi i kanalit dhe unë do të bëj gjithçka mundem për të ndaluar kriminelët e pashpirt që shfrytëzojnë njerëz të pambrojtur,” tha Patel në një deklaratë.
Numri i azilkërkuesve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm që nga prilli i vitit 2020.
Midis prillit dhe gushtit të vitit 2020, rreth 4,600 njerëz hynë në Britani në këtë mënyrë, nga rreth 1,800 në tërë vitin 2019, sipas Bibliotekës së Dhomës së Komuneve./CNN/
Përshtati: Mapo.al