Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla shpall konkursin kombëtar për rreth 4 mijë vende vakante. Testi ka 70 pikë, vlerësim për kriterin e formimit, etikës, drejtshkrimin e shqipes dhe kriterin profesional
Konkursi në shkallë kombëtare për më shumë se 4 mijë vende të shpallura vakante nga qeveria për mësues në sistemin parauniversitar do të mbahet më datë 6 dhjetor. Datën e konkursit e bëri të ditur dje për publikun ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila gjithashtu tha se për këto vende pune si mësues kanë aplikuar deri më tani dyfishi i numrit të pranimeve. Interesante është se testimi nuk do të masë vetëm nivelin e dijeve profesionale të mësuesve të rinj, por një rëndësi të veçantë, pjesë e testimit do të jetë formimi i tyre karakterial, etika dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe.
Nikolla tha se “Mësues për Shqipërinë’ është nisma jonë e re në arsimin parauniversitar dhe unë jam krenare që kësaj nisme, për 17 ditë nga dita e nisjes së portalit i janë përgjigjur 8095 aplikantë. Janë 8095 aplikantë që do të ndryshojnë historinë që ne gjetëm në arsim pas një inspektimi të realizuar në çdo shkollë të vendit, ku rezultoi se ishin 1984 mësues pa arsim përkatës dhe 2065 jashtë profilit.
Janë 8095 arsye për të thënë që po, mund të ndërtohet një sistem i shëndetshëm merite edhe në punësimet në arsim. Janë 8095 përgjigje për këdo skeptik në fillim të këtij aksioni të fortë që MAS ka ndërmarrë kundër korrupsionit”. Numri një i dikasterit të Arsimit sqaroi dhe disa të dhëna interesante për aplikuesit, ku sipas saj rezulton se 60% e tyre janë të gatshëm të shërbejnë edhe jashtë vendbanimit të tyre, ndërsa 89 % e tyre janë diplomuar pas vitit 2000, pra janë mësues të rinj, të gatshëm për të shërbyer në cilësinë e re për shkollat shqiptare.
Kriteret e konkursit
Testimi i mësuesve të rinj do të mbahet brenda një orari dhe në 12 qarqet e vendit njëkohësisht, ndërsa përgjigjja e rezultateve do të dalë nga Ministria në Tiranë dhe jo nga drejtoritë arsimore të rretheve. Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, gjatë deklaratës së saj dje për mediat ishte shumë e qartë për rregullat strikte që do të ketë ky provim për punësim, i pari i këtij lloji i praktikuar në vendin tonë.
“Testimi do të zhvillohet në 6 dhjetor, nga ora 11:00 deri në 13:00, në të 12 qarqet e vendit (në çdo qytet, qendër qarku), duke realizuar një proces model miradministrimi, sekretimi dhe transparence në 29 qendra testimi. Ky proces do përmbajë rregulla strikte sekretimi dhe mbikëqyrjeje nga MAS. U bëj thirrje aplikantëve që ende nuk kanë dorëzuar dosjet ta kryejnë këtë pranë DAR-ve.
Ndërkohë, prej datës 28 Nëntor ka filluar puna e Komisionit të ngritur në MAS, në bashkëpunim dhe me DAR/ZA, i cili deri më datë 04 dhjetor ka për detyrë verifikimin e dokumentacionit të aplikantëve për të parë përmbushjen e kritereve ligjore që do të mundësojnë kalimin për në fazën e dytë, fazën e testimit. Listat e aplikantëve që do të shkojnë në fazën e testimit, do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, – sqaroi ajo për anën teknike të konkursit.
Kandidatët do të kenë një test të ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përbën 30 pikë të testit, nga totali me 70 pikë dhe do të ketë pyetje me përmbajtje nga formimi i përgjithshëm i mësuesit, (dokumentacioni), programi, drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe komunikimi dhe etika. Ndërsa pjesa e dytë e testit ka 40 pikë dhe përmban pyetje profesionale lidhur me profilin shkencor sipas fushës.
Në mënyrë që aplikanti të jetë kalues, ai do të duhet të marrë më shumë se 50 % të pikëve për çdo pjesë. Korrigjimi/vlerësimi i testeve do të bëhet i qendërzuar në Tiranë nga një komision mësuesish dhe ekspertësh të përzgjedhur nga MAS. Vlerësimi i testit do të jetë i sekretuar. Shpallja e rezultateve sipas ID-së të aplikantëve do të publikohet deri më datë 22 dhjetor. Ndërkohë që fituesi sipas rankimit zgjedh edhe shkollën, në bazë të vendeve të lira që janë shpallur për çdo DAR/ZA. Kjo dhe vetëm kjo listë publike do të jetë baza e çdo plotësimi të vendeve të lira në mësuesi edhe në vijim.
“Nuk do të ketë më, as drejtori i Drejtorisë Arsimore, as drejtori i Zyrës Arsimore, por do të jetë testimi që do të rankojë për çdo qark të vendit mësuesit që janë shprehur të gatshëm dhe plotësojnë kushtet ligjore për të qenë mësues. Që do të thotë, me një shembull fare të thjeshtë, çdo qark i vendit, çdo drejtori arsimore, sipas profileve përkatëse në lëndë të caktuara, fjala vjen në Fizikë, do të ketë të rankuar të gjithë mësuesit që janë në këtë profil në Fizikë për qarkun, e kështu me radhë në të gjitha profilet e tjera”, – tha Nikolla.
Konkursi në shkallë kombëtare është lajmëruar pas një inspektimi që kjo ministri bëri nëpër shkolla, duke konstatuar shkelje të rënda në mësimdhënie. Ndërkohë nga qeveria është premtuar që ky konkurs do të jetë një tregues i luftës antikorrupsion dhe premtimi vjen vetëm disa ditë pas zbulimit të një skandali korrupsioni në Drejtorinë Arsimore të Lushnjës, ku u arrestua drejtoresha për marrje ryshfeti nga 2-5 mijë euro për një vend pune si mësues. “Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se nuk ka munguar interesi edhe nga aplikantë prej vendeve si; Italia, Greqia, SHBA etj., të cilët kanë shprehur dëshirën për të punuar në Shqipëri”, tha Nikolla.