Kryeministri Rama, vijon të sulmojë kryedemokratin Lulzim Basha, në lidhje me takimet elektorale që organizon ky i fundit. Kreu i qeverisë thotë se takimet e Bashës, janë të turpshme, ndërsa shton se janë edhe kriminale për shkak të pandemisë.
Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri gjatë një takimi me fermerë të zonës në Rrogozhinë. Rama shprehet se në këto vite qeverisje, ka dyfishuar sipërfaqen bujqësore të kultivuar. Më tej, ai thotë se një tjetër arritje e madhe, është eksporti i produkteve shqiptare.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria është e para në ballkan për thithjen e fondeve të BE-së.
“Më erdhi shumë mirë që sot miqtë që janë këtu me mua dhe që më krijuan këtë mundësi, kanë menduar të organizojnë këtë takim me njerëzit e tokës.
Me ata që nuk bëjnë lajm, që i shikon shumë rrallë, i shikon të jenë të neglizhuar nga klubet e natës nëpër kolltuqe. Më vjen shumë mirë që jam këtu me ju. Jeni ju baza e një transformimi që është i pamohueshëm në sektorin e bujqësisë për të cilin ka dy shifra, mbase kurrë nuk do të dalin në TV, por që janë dy shifra që tregojnë se jemi në drejtimin e duhur.
E para, në këto 7 vite kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Ka ende sipërfaqe për t’u mbuluar me punë. Ka ende sipërfaqe ku ne duhet të arrijmë të çojmë kanalet ujitëse.
Më e madhja është bërë. Pjesa më e tmerrshme e një llumi që kishte bllokuar sistemet vaditëse. Sot Shqipëria importon vetëm 3 dhe eksporton një.
Rënie e importit të prodhimit bujqësor ka të bëjë me rritjen e prodhimit këtu në vend. Janë rritur eksportet. Ne kemi çuar ekspertët e bujqësisë nga afro rreth 100 milion në 400 milion.
Me planin që kemi do t’i çojmë mbi 1 miliardë. Shteti si asnjëherë më parë ka qenë në krahun tuaj. Shqipëria është e para në Ballkan për thithjen e fondeve nga BE.
Na kanë dalë këta një shportë me karavidhe. Duke krijuar një tabor krushqish edhe duke e sorollatur Lulin nëpër Shqipëri për ta bërë dhëndër.
Ajo që po bën Lulzim Basha së bashku me ata që organizojnë dasma pa nuse është e turpshme, një rrumpallë kriminale. Ato janë vatra të infektimit, ndërkohë që ne kemi ngritur në të gjithë Shqipërinë vatra të vaksinimit. Ata janë anti-shteti, ata janë rrumpalla, janë dëmi që rri gjithmonë si kërcënim”, tha Rama.