Një efektiv i policisë së Shtetit në njësinë Speciale FAST është arrestuar në Elbasan, pasi detyrën e përdori për shantazh. Sokol Fana, 26 vjeç, kishte mashtruar një qytetar se ishte në kërkim nga Italia dhe për ta shpëtuar ai duhet ti jepte 7 mijë euro.
ELBASAN – Një efektiv i Policisë së Shtetit në Elbasan ka rënë në prangat e kolegëve, pasi nën uniformën dhe logon zyrtare, kishte nisur veprimtari kriminale.
Polici i arrestuar është Sokol Fana, 26 vjeç.
Ai rezulton efektiv i njësinë Speciale FAST, një strukturë e re në Policinë e Shtetit, pjesë e rrjetit europian i njësive aktive të kërkimit të atyre që janë shpallur si persona në kërkim.
Këtë detyrë 26-vjeçari rezulton se e shpërdoroi. Polici, Sokol Fana, sipas burimeve kishte mashtruar një qytetar me iniciale K.H, të cilin fillimisht e kishte gënjyer duke i thënë se rezultonte person në kërkim për llogari të drejtësisë italiane.
Për të shmangur arrestimin nga njësia FAST ku ai shërbente, 26-vjeçari i kishte kërkuar qytetarit një pagesë prej 7 mijë eurosh.
Në fakt pas verifikimeve rezultoi se qytetari që shantazhohej nga polici se nuk ka asnjë problem me drejtësinë.
Ai vetë u vu në pranga këtë të premte, 5 nentor 2021, në kushtet e flagrancës nga forca Operacionale në Bashkëpunim me SHÇBA.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e markës e dy aparate celularë.
Siç njofton zyrtarisht policia e Elbasanit, efektivi 26-vjeçar paraqiti gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore që ka ngritur ndaj tij akuzat “Mashtrim” i mbetur në tentativë, “Shpërdorim i detyrës”, “Kallëzim i rremë”.