Moderatorja Arbana Osmani ka folur së fundmi për marrëdhënien me të birin. Në një intervistë për “Revista Who”, Arbana është shprehur se Joni i ka ndryshuar jetën në çdo dimension, duke ia bërë më të bukur, por njëkohësisht edhe më të lodhshme.
“Gatimi është shumë i këndshëm me Jonin, por edhe sfilitës, sepse ka gishta që futen në brum; tasa që derdhen, vezë që rrihen dhe pastaj derdhen, etj. Por unë vdes të gatuaj me të,është një nga kënaqësitë më të mëdha. Joni nuk gatuan vetëm me mua, por edhe me gjyshet, kështu që dalëngadalë po trajnohet siç duhet”-ka thënë Arbana, edhe në kuadër të librit të saj më të ri me receta gatimi, që pritet shumë shpejt të dalë në treg.
Moderatorja është shprehur më tej se të birin përpiqet ta ushqejë shëndetshëm, ndonëse nuk e ndalon nga disa kënaqësi të vogla.
“Fëmijët është e vështirë t’i ushqesh shëndetshëm në kohën kur rrethohen nga shumë gatime jo të shëndetshme. Brezi ynë vërtetë është privuar nga shumë gjëra gjatë komunizmit, por mungesa e çokollatave dhe gjellët e mamit na kanë bërë veçse mirë. Unë, ashtu si shumë nëna, përpiqem që Joni të ushqehet shëndetshëm në shtëpi, por nuk e privoj nga një picë në fundjavë apo nga kokoshkat në kinema”-ka thënë Arbana.
Risjellim në vëmendje se Joni është fryt i dashurisë së moderatores me biznesmenin Ardit Kero, nga i cili u nda pas 13 vitesh lidhje. Momentalisht, Arbana po përjeton një romancë me regjisorin Eduart Grishaj.