Policia e Divjakës ka arrestuar një 20-vjeçar i cili po tentonte të kryentë një grabitje. I riu u arrestua vetëm pak momente pasi kishte hyrë në një banesë. Grabitësi tentoi ti shpëtonte arrestimit, duke u larguar me një makinë dhe më pas me këmbë, por u ndalua. Arrestimi ka ardhur pasi pronari i shtëpisë ka lajmëruar policinë se brenda në shtëpi kishte dy grabitës. Të dy grabitësit kishin udhëtuar nga Vlora për të vjedhur në Divjakë.
Njoftimi
Pas telefonatës së shtetasit S.D në numrin unik 112 se në banesën e tij kishin hyrë dy shtetas të huaj, menjëherë në vendngjarje shkojnë shërbimet e Policisë Divjakë ku bëjnë të mundur kapjen në flagrancë të njërit prej autorëve të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” e mbetur në tentativë shtetasin:
M.J, 20 vjeç, banues në Vlorë.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpuntori i tij shtetasi i dyshuar B.A, 32 vjeç, banues në Vlorë.
Në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një autoveturë, (automjet të cilin autorët e kanë braktisur në një rrugicë në Divjakë gjatë momentit të ikjes nga ndjekja e policisë) dhe dy telefona celularë të cilët dyshohet se janë përdorur për komunikime për kryerjen e aktivitetit kriminal.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të disa vjedhjeve të tjera të kryera nga ky grup në juridiksionin e Divjakës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprime të mëtejshme proceduriale.