(Rrathët më të errët të ferrit janë rezervuar për ata që nuk flasin kur ka krizë morale.)
-Dante
Nga Dritan Shano
Shqiptari i sotëm është në thelb katundar. Që të jemi fare të qartë. Kjo jo për arsye që lidhen me sektorin e bujqësisë, që është, ka qenë dhe mbetet gjithnjë e fisme dhe jetike për jetën e çdo kombi. Kjo ka të bëjë me parahistorinë tonë, e cila ka vendosur, ose më saktë, kemi vendosur ne që të mos na ndahet. Për cilindo që është marrë me histori, etnologji, e tash së fundmi edhe me sociologji, është e kuptueshme që të dallojë mirë dy kategori socio-ekonomike: fshatin dhe katundin. Ndërsa i pari është një gjë e begatë, që priret për nga hapja, marrëdhëniet me të tjerët, shkëmbimi i vlerave dhe i përvojave, i dyti është një grumbull shtëpish të izoluara, i vetmi qëllim i të cilave është mbijetesa akute, me çdo kusht e me çdo mjet. I pari është një horizont që sheh për nga qyteti, pra nga “civis”, nga qytetërimi, ndërsa i dyti është ai që e ka pasur dhe, nëse vazhdon kështu, do ta ketë gjithnjë horizontin e ngushtë. Jo gjithnjë për faj të tij, por të morisë së ndërlikuar të rrethanave historike, që kemi kaluar jo vetëm ne, por thuajse tërësia e Ballkanit, katundari vazhdon të jetë i pazoti të ketë një ideal të zgjedhur lirisht, ndryshe nga fshatari që qytetarizohet shpejt. E pikërisht, prandaj jeta e tij nuk është gjë tjetër veçse një shtirje. I fortë me ata që ka poshtë dhe servil me ata që ka mbi krye. Katundar sepse i pëlqen vetja dhe hiqet ai që nuk është. Katundar se gjithmonë justifikohet për zullumin që kryen, asnjëherë nuk e pranon atë. Katundar se gënjen pa shkak, ditën për diell. Katundar se do më shumë qelepirin se punën. Por mbi të gjitha, katundar sepse bën hile dhe gjithmonë ha në kandar. Ha në kandarin e së tashmes dhe më keq akoma, në atë të së ardhmes. I ha në kandar vëllait të vet dhe fëmijës që do lërë pas. I ha në kandar ligjit, e përthyen, e kapërcen, e shtrëngon, e liron, e shkel pa vuajtur aspak. Sipas Gallupit, katundari shqiptar do fort të bëhet qytetar europian. Por me mënyrën e vet të zbatimit të ligjit. Duke ecur kundravajtje. Me kundratabelë. Që të legjitimojë kundravajtjen. Kundratabela në çdo akt dhe gjest të katundarisë shqiptare është treguesi kryesor i krizës morale që mban mbërthyer vendin e Shqiponjave në këtë tranzicion vlerash të tejzgjatur, me ç’duket për arsye endemike.
Në këto 23 vjet Shqipëria ka kryer 7 palë zgjedhje të përgjithshme politike. Gjatë kësaj kohe janë rritur të ardhurat për frymë por dhe analfabetizmi; shqiptarët kanë demonstruar, kanë hyrë në greva urie, kanë zaptuar pronën e tjetrit, kanë humbur lekët tek Sudja në kërkim të qelepirit, kanë sulmuar disa herë Kryeministrinë, vazhdojnë pambarim procesin e ndërtimeve ilegale dhe legalizimit të tyre, mund të blejnë diploma universitare pa shkuar në shkollë dhe media e shtyp të lirë, të lirë s’ka më që prej fundit të dekadës së parë. Ka një progres të dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe internetizimin familjar e institucional. Por ka probleme të mëdha të maturimit dhe kohezionit shoqëror, vlerave morale dhe raportit të shoqërisë me politikën, fuqinë dhe pushtetin. Shqiptarët sot janë më të përçarë dhe më të acaruar se kurrë ndonjëherë në histori. Kështu po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e 8-ta të përgjithshme politike që prej 1991-shit.
Sot, pas dy dekadash e përtej në demokraci, shqiptarët, qytetarë, fshatarë apo katundarë qofshin, vazhdojnë të përjetojnë një krizë të thellë besimi. Atyre vazhdon t’u jehojnë ende ndër veshë dilema të vjetra. Zyrtarisht, ne e kemi fituar lirinë, të paktën kështu na është thënë. Por ende strukturat konkrete të sistemit të mëparshëm totalitarist mbeten sunduese, të cilat edhe pse janë zëvendësuar me institucione të reja, të ngjashme me Europën, banohen nga një mentalitet, pothuaj i njëjtë me atë të së shkuarës. Prandaj shqiptari i ngratë, thërret ende modelin që njeh më mirë, që ka besuar gjatë, atë të strehimit ndën formulën e pushtetit absolut të politikës mbi të. Prandaj, shqiptari i sotëm ka fituar lirinë, por ka humbur të Vërtetën. Ajo më parë rridhte nga goja e liderit. I mësuar të identifikonte veten mes kësaj të “vërtete”, shqiptari mbetet larg nga krijimi i një identiteti dhe morali të ri, bazuar tek mendimi i tij i lirë, ndershmëria, dashuria, besimi, puna, respekti, toleranca dhe bashkëjetesa. Rrugët, ujësjellësit, të ardhurat janë të parëndësishme kundrejt krijimit të besimit tek institucionet dhe identitetit të shqiptarit që po troket në dyert e Europës. Shoqëria shqiptare e këtyre dy dekadave ka dështuar në përballjen me këto dy sfida; Kjo për shkak se skema paternaliste e organizimit shoqëror në Shqipëri mbetet më dominante se vetë Kushtetuta. Si një përjetim i gjatë i eksperimentit të Pavlovit, shqiptari akoma ndjehet më mirë kur dikush tjetër mendon për të. Nuk e ka fituar e zhvilluar kapacitetin të mendojë lirisht për të ardhmen e vet. E shkuara mbetet më konkrete. E ardhmja është ende ideale, spirituale.
Është shumë e rëndësishme që individi shqiptar që voton në vitin 2013 t’i bëjë ca pyetje vetes. Brenda dëshirës e mundësisë. Të kuptojë ç’ka bërë. Me shpresë që të kuptojë se ç’duhet bërë më tej. Çfarë zhvillimi ka marrë demokracia shqiptare? A është e mundur që përmes zbatimit të saj shoqëria shqiptare të dalë njëherë e mirë nga dilemat që e mundojnë? A do arrijë dot shoqëria shqiptare të gjejë të vërtetën? A do arrijnë shqiptarët të krijojnë një qendër, një tempull të vlerave morale të tyre, që i duan njësoj të gjithë e me të cilat të identifikohen, apo do mbeten të shpërndarë sekush për hesap të vet? A do mund ndarja mes shqiptarëve të kthehet në dashuri vëllazërore? A do udhëtojë shoqëria shqiptare drejt Europës, apo thjesht do gjallojë pranë saj?
Shqipëria ka nisur t’i ngjajë një pellgu me ujë të ndenjur. Pas shembjes së miteve dhe idhujve të komunizmit, nga ku sapo ka kanë kaluar dy dekada, Shqipëria ka rishtazi dy idhuj që mbizotërojnë jetën e shqiptarëve. Shoqëria shqiptare vazhdon me këmbëngulje të identifikojë si problem apo zgjidhje njërin apo tjetrin syresh, por jo institucionet. Pastaj, sistemi i sotëm elektoral e amplifikon këtë fenomen. Ai, jo vetëm nuk e nxit lirinë individuale, por e shtrëngon individin të bëhet thjesht dhe vetëm një numër në falangat politike. Sot, pas 23 vjetësh, shoqëria shqiptare është e përkulur, e thyer në dysh. Pa dinjitet! Shqiptari nuk ka më lirinë për të zgjedhur, veç mes zgjedhjeve të imponuara, personale të liderit përkatës.
Nga kjo pikëpamje, sot zgjedhjet janë gjoja të lira. Të dyja palët e kanë futur në kurth dhe mbërthyer për fyti të gjithë shoqërinë shqiptare. Të dyja palët, në ushtrim të skemës paternaliste, kanë lista me besnikët e vet, si kafshëza shtëpiake dekorative-shoqëruese, deri tek mesi i listës, ku ka garanci se ata mund të zgjidhen. Individi shqiptar është krejt i pafuqishëm. I vetmi moment kur individët kryejnë një veprim së bashku për të ndikuar jetën e vet, pozicionin dhe mirëqenien e vet personale dhe shoqërore është votimi. Ky është i vetmi moment kur shqiptari mund të arrijë të ketë një kohezion shoqëror për shkak se po voton. Në mënyrë të pavarur. Me mendjen e vet.
Në fakt, emrat në listë, arroganca me të cilën ato i janë përplasur në fytyrë shqiptarit në 2013-ën është si një grusht në stomak që të lë pa frymë. Të heq çdo argument që mund të kishe në favor të njërit grupim politik apo tjetrit. Fuqia e qytetarit në demokraci ka ngecur në kurthin e sistemit të sotëm elektoral. Demokracia është pushteti i qytetarëve, por për shkak të këtij sistemi evolucioni i demokracisë shqiptare në këto dy dekada ka kaluar nga pushteti – që e rrëzuam – i vetëm një “qytetari”, tek pushteti de facto i vetëm dy qytetarëve. Po 2.8 milionë e kusur të tjerët? Ata janë të detyruar të “shijojnë” këtë zgërdhirje kushtetuese. Me bekimin dhe dritëshkurtësinë edhe të ndërkombëtarëve. Të miratuar me konsensus në Parlament.
Sistemi elektoral që kemi sot i bën politikanët totalisht të demotivuar për të qenë agjentë të ndryshimit, zhvillimit dhe lartësimit shoqëror e shpirtëror të shqiptarëve. Atyre u intereson pozita e forcës që kanë. Presioni i politikës e mban shqiptarin të pafuqishëm dhe e bën ta trajtojë votën e tij njësoj siç trajtoi fenë e tij pesë shekuj më parë. Ta tregtojë atë. Si një prostitutë, e cila nuk kuptohet mirë e bën nga halli apo nga qejfi. Kjo tregon rrënjët e holla anemike, cektësinë e demokracisë shqiptare dhe helmin që mbart instrumenti kryesor i ushtrimit të saj, vota e shqiptarit. Ajo është një votë e helmuar. E telekomanduar. Ajo është një votë që nuk e çon shqiptarin drejt Europës, por e mban në krizën e tij të besimit, dhe të identitetit. Është si një batanije e hedhur mbi kokën e shqiptarit për ta fshehur atë tek skema paternaliste.
Forcat politike sot, megjithë dallimet, janë formatuar mbi të njëjtin koncept vertikal lidershipi. PD-ja është një parti e re, e vitit 1990, edhe pse mbart brenda saj të gjitha problemet e shoqërisë shqiptare që përmendëm në fillim. Evidentimi i këtyre defekteve, ndoshta, është dhe mundësia e saj më e mirë për t’u përmirësuar. PS-ja është një parti e krijuar në vitin 1941. E vjetër, e konsumuar, e ricikluar disa herë, pa forcën për t’i trajtuar këto defekte të shoqërisë ndonjëherë gjatë jetës së saj të gjatë. Përkundrazi, ruajtëse e tyre për 45 vjet rresht. Ajo sot është opozitë, mbetet të shihet a do të jetë edhe alternativë. Sfida e mbushjes së boshllëkut të besimit dhe të identitetit që ekziston në themelet e Shqipërisë së sotme, është krejt e eklipsuar nga lufta identike për kolltuk, prandaj ky rrotullimi politik aq i përfolur dhe i amëshuar, është si ai rrotullimi i pedaleve të një biçiklete, së cilës i ka dalë zinxhiri. Rrotulloji sa të duash!
Parlamenti shqiptar që do të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të ketë njerëz që shprehin vetëm vullnetin e dy liderëve politikë kryesorë. Mund të ketë njerëz të shkolluar, si dhe njerëz që kanë blerë diplomën, mund të ketë njerëz të përkorë që e duan punën, e respektojnë pronën dhe besojnë tek Zoti, por mund të ketë njerëz për të cilët flitet apo dihet se janë ende të droguar, të falimentuar, që nuk paguajnë taksat dhe që shkelin ligjet. Dikur këta të fundit fshiheshin në ndonjë shpellë, nesër do të strehohen në Parlament, në “tempullin e demokracisë”. Këta i kanë zgjedhur liderët. Këta janë shëmbëlltyra e liderëve. Këta do bëjnë ligjet. Këta nuk i kanë zgjedhur njerëzit. Por ata janë bashkëpunëtore, janë bashkëfajtorë. Të detyruar, të zënë në kurth, të telekomanduar, të vjedhur, por janë ama. Kjo dijeni shoqërore asnjëherë nuk do të çojë tek zbatimi i ligjit dhe rregullit. Përkundrazi, duket sikur moszbatimi i ligjit është pikërisht marrëveshja e fshehtë që nuk e lë shoqërinë shqiptare të lëvizë, duket se është kontrata sociale 4-vjeçare që nënshkruajnë shqiptarët sa herë tregtojnë votën, e futen shpirt e trup në vathë si delet.
Besoj se shqiptari e njeh ndershmërinë, dashurinë vëllazërore, punën, respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Por asnjëherë nuk ka qenë aq i fuqishëm si individ dhe shoqëri që t’i vendosë këto përfundimisht në themelet e tempullit të vet. Sepse gjithmonë lidershipi i tij është kujdesur që ai të mbetet një rrëmbythje. Pa tempull. Shqiptari duhet të jetë në gjendje të ketë një besim të pastër tek Zoti, por varfëria e madhe shpirtërore ku ai është kumbisur shumë gjatë, s’e ka ndihmuar ta lartësojë shpirtin dhe mendjen. Besoj se shqiptari e do ligjin dhe rregullin që e zbatojnë të gjithë, por jo rrallë shpejton ta interpretojë sipas interesit sa herë i nevojitet. Trashëgimia e varfër në demokraci bën që dhe forca e institucioneve e vullneti për zbatimin e ligjit të përthyhen përpara vështirësive e boshllëqeve në formimin e shoqërisë shqiptare.
Moskuptimi dhe moszbatimi kronik i ligjit, i shtrënguar apo qëllimshëm, pengon progresin e Shqipërisë drejt Europës. Atje ku ligji dhe rregulli është e Vërteta! Përvetësimi i sistemit të vlerave të një europiani është rrugë e gjatë. Nuk është një akt formal anëtarësimi. Ky udhëtim, që në fakt është më i rëndësishmi, do të marrë thellësinë e vet. Por shqiptari nuk mund të rrijë përjetë pranë dritës me sytë e mbyllur fort nga frika se mos drita ia verbon ato. Si fillim shoqëria shqiptare duhet çliruar nga kurthi.
Mund të ketë pikëpamje të ndryshme si shoqëria shqiptare çlirohet, përmirësohet, lartësohet. Bëhet më e dashur, më liberale, më europiane. Nga diku duhet filluar, e ndoshta ky është sistemi elektoral shqiptar. Ai, i vendosur mbi shtratin e paternalizmit, është kurthi. Ky sistem çimenton paternalizmin në një shoqëri që ka një trashëgimi të fortë të kësaj forme atavike organizmi shoqëror, e që ka kriza të besimit dhe identitetit siç është shoqëria shqiptare. Duhet çmontuar!
Sistemi elektoral që i duhet Shqipërisë për të dalë nga kurthi është një sistem mazhoritar i pastër me një raund. Ky sistem e dobëson pushtetin absolut të liderit e politikanit dhe i jep fuqi qytetarit. Ky i fundit bëhet përgjegjës për zgjedhjet që bën. Nuk mund të fshihet në bashkëfajësinë e turmës. Nuk ka kujt t’i ankohet për zgjedhjet e veta. Ato mund të jenë të gabuara, por që mund të korrigjohen nga vetë sistemi. Qytetari merr fuqinë të të rrotullojë, dhe jo politikani. Ky sistem i detyron politikanët të dialogojnë me qytetarin, por dhe mes tyre, të arrijnë marrëveshje të bazuara mbi idetë e individit, dhe jo mbi dobinë që ka kafshëza shtëpiake për liderin. Ky sistem prodhon një parti politike më të fortë dhe shumë herë më të vëmendshme ndaj qytetarit nga ky që kemi sot, që e shkel atë me këmbë. Deputeti i zgjedhur nga ky sistem ia detyron privilegjin qytetarit dhe jo liderit. Sa më gjatë të ketë një sistem mazhoritar të pastër me një raund, aq më shpejt do të europianizohet shoqëria shqiptare. Deri atëherë, shqiptari, me fis e me farë do të jetë në kurth! Do mundohet ta lehtësojë e ëmbëlsojë jetën e vet. Me kundratabelë!