Mbi 400 mijë nxënës i rikthehen sot mësimeve dhe bankave të shkollave por jo si zakonisht, me lule në dorë; maskat duket se po blihen më shumë.
Pandemia Covid-19 do të vijojë të ndikojë në mësimdhënie, sikundër ndodhi prej marsit deri në fund të majit 2020, ku nxënësit u përballën për të parën herë me mësimin online.
Ende nuk është e qartë se si do të procedohet konkretisht me oraret mësimore, ndonëse ministrja e Arsimit, Besa Shahini, u shpreh dje se po punohet për detajimin e një plani, ku do të ketë një kombinim të mësimit të zhvilluar në bankat e shkollës e atij online.
Ajo çka dihet me siguri është se fëmijëve do t’u duhet të përshtaten me një “normalitet të ri” ku përpos masave strikte mbrojtëse ndaj Covid-19 (si përdorimi i maskës, dezifektantit, distancimi social, etj.) do të plotësojnë çdo ditë formularin e vetëdeklarimit të shëndetit. Të shoqëruar nga prindërit, nxënësve u duhet të deklarojnë se asnjë anëtar i familjes nuk është i prekur nga Covid-19, si dhe anasjelltas.
Sipas specialistes në Insitutin e Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu, forma e plotësimit të formularit do të vendoset nga shkolla ndërsa koordinatori i saj do të verifikojë vërtetësinë tek institucionet shëndetësore.
Në 480 shkolla mësimi do të zhvillohet me dy turne, ndërsa në 180 shkolla me 4 turne, me qëllim shmangien e kontaktit fizik mes nxënësve ( 1 nxënës i vetëm në bankë).
Në disa prej institucioneve arsimore janë konstatuar arsimtarë me koronavirus, por kjo nuk ka ndikuar në hapjen e shkollave.
Jo më larg se dje, Partia Demokratike bëri me dije se 10 mësues të shkollës 9-vjeçare publike “Jeronim De Rada” kanë rezultuar pozitivë, dhe se pjesa tjetër, e cila dyshohet për kontakt me të infektuarit, është vetizoluar.
Ndonëse Ministria e Arsimit ka komunikuar se në raste të tilla, ku një mësues apo nxënës rezulton i prekur nga koronavirusi, strukturat shëndetësore do të vendosin për mbyllje të klasës apo të shkollës, këto të fundit kanë hapur sot dyert.