5 ditë përpara zgjedhjeve më 25 Prill, bëhen publike rregullat që çdo qytetar do të duhet të ndjekë në proçesin e votimit, konform protokollit anti-Covid.
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico ka firmosur urdhrin që specifikon rregullat, hap pas hapi.
Anëtarët e komisioneve dhe votuesit duhet të jenë fillimisht të pajisur me maskë.
Të parët që do të paraqiten në qendrat e votimit – mëngjesin e së dielës në orën 07:00 – janë anëtarët e komisioneve.
Ata do të lejohen të futen vetëm nëse do të kenë një formular vetëdeklarimi që paraqet gjendjen e tyre shëndetësore, nëse rezultojnë negativ, pa temperaturë apo simptoma të Covid-19.
ISHP thekson se në të kundërt, anëtarët e komisioneve do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, sikundër edhe personave që janë të infektuar me Covid-19.
Sallat e votimit kërkohet të jenë mundësisht në katin e parë si dhe të kenë sa më shumë ajrosje; në hyrje të tyre do të vendoset një dezinfektant.
Gjithashtu kërkohet që kutia e votimit të jetë 2 metra larg anëtarëve të komisionit, të cilët do të jenë të vendosur 1.5 metra larg njëri- tjetrit. Po ashtu, mjediset duhet të dezinfektohen përpara nisjes së procesit të votimit.
Për mbarëvajtjen e procesit, ISHP kërkon praninë e një personi që të kontrollojë zbatimin e rregullave. Edhe jashtë ambienteve të qendrës së votimit kërkohet që të mos ketë grumbullime.