Kryeministri Edi Rama është shfaqur ndryshe këtë të hënë gjatë inspektimit të kantierit të ndërtimit në Fushë-Krujë.
Me një maskë me trëndafil në fytyrë (simbolin e Partisë Socialiste), Rama komunikoi edhe njëherë vendimin e marrë, se duke filluar nga e enjta vendosja e maskave do të jetë e detyrueshme edhe në ambiente të hapura.
“Të enjten maska është me detyrim, kudo, vetëm në shtëpi jo” , tha kreu i qeverisë duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë Krujë, Artur Bushi.
Rama gjithashtu u ndal gjatë tek ecuria e punimeve në kantierin e ndërtimit, në një kohë kur pandemia Covid-19 paraqitet ende si rrezik.
“Tani, pavarësisht motit, duhet të punojmë pa pushim sepse pësuam një vonesë jashtë vullnetit tonë nga karantina. E dimë që tani vështirësohet puna për shkak të motit, por kjo është sakrifica që duhet bërë dhe duhet të bëjmë, dhe nuk mund të vonohemi më për asnjë shkak, të punojmë sa të kemi mundësi”, u shpreh kreu i qeverisë.