Me mijëra nxënës kanë braktisur arsimin gjatë viteve të fundit, kjo si pasojë e emigracionit. Shifrat u publikuan pasditen e sotme në një tryezë me arsimtarë dhe pedagogë që ka thirrur Partia Demokratike. Basha tha se “ky është kulmi i krizës që ka prekur arsimin, ku buxheti në 2019 ka arritur në 3.29 për qind e GBP-së, ndërsa duhet të ishte së paku 5 për qind”. Ai parashtroi edhe programin e PD-së për daljen nga kjo krizë.
“Jemi këtu pas disa muajsh që kanë kulmuar krizën e thellë të institucioneve të arsimit të lartë. E tillë ishte edhe lëvizja studentore e dhjetorit të kaluar. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë te financimi. Buxheti ka arritur në vitin 2019 në 3.29 për qind e PBB-së, në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind. Këto parà shkojnë në pjesën më të madhe për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, për një fasadë me të vërtetë llamburitëse. Ndërkohë, rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë shoqërohet edhe nga braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur shkollën në këto 4 vite”, tha Basha.
Basha tha më tej se qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji, etj..
“Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri ka ardhur dhe është bërë real. Një vend në zemër të Europës nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Kemi një mundësi të lëmë prapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në vendin tonë. Është njësoj si mundësia që shfrytëzuam pas futjes së teknologjisë së celularëve. Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës”, u shpreh ai.
“Ky vullnet politik, që sot ka formën e një programi të detajuar të Partisë Demokratike, nesër duhet të përkthehet në buxhet, i cili të administrohet në mënyrë të tillë që të mos kthehet në rikonstruksione zyrash luksoze apo blerje automjetesh, por aty ku ka nevojë arsimi i lartë”, tha kreu i PD-së.
*Tabela e financimit të arsimit që prej 2013 e deri me sot. Trendi i financimit është në rënie të vazhdueshme
*Shifrat e braktisjes së arsimit nga viti 2013 deri ne vitin 2017