Aktualitet

Më mirë vonë se sa kurrë, zoti Ambasador Soreca!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:28 - 13/01/21 |
Mili Xhani

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka kritikuar për herë të parë publikisht kryeministrin Edi Rama lidhur me qëndrimet e këtij të fundit për ndihmat e Bashkimit Europian.






Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, diplomati që përfaqëson interesat e BE në Shqipëri është detyruar të shpreh veç habisë edhe disa kritika për mënyrën sesi qeveria “Rama” ka menaxhuar pandeminë. Në mënyrë direkte dhe pa përdorur taktin e zakonshëm të diplomatëve, Soreca thotë se është habitur me kritikat që Edi Rama ka bërë në adresë të Bashkimit Europiane gjatë ditëve të fundit.


“Më duhet ta pranoj se u habitëm nga deklarata e dhënë nga kryeministri në fillim të vitit, veçanërisht pasi solidariteti i Bashkimit Evropian nuk ka qenë kurrë aq i dukshëm sa në vitin 2020”,- deklaroi Soreca.





Ambasadori kujton se gjatë vitit që lamë pas BE ka dhënë ndihma për tërmetin dhe personalisht ai ka dhuruar disa herë pajisje mjekësore për përballimin e koronavirusit. Ndër të tjera, Soreca thekson se Shqipëria është dhe pjesë e fondit prej 70 milionë eurosh që BE ka dhënë për vendet e Ballkanit. Intervista e Sorecës jo vetëm i kujton Edi Ramës gjithë ndihmat që BE i ka dhënë qeverisë së tij, por bën dhe një deklaratë që nxjerrë zbuluar keqmenaxhimin e pandemisë nga kabineti “Rama”.



Ndërsa Edi Rama ankohet çdo ditë se Bashkimi Europian nuk po e ndihmon Shqipërinë, ambasadori Soreca thotë se kjo qeveri nuk ka as një plan kombëtar për vaksinat.



“Unë jam takuar me Ministren e Shëndetësisë, do të takoj edhe ambasadorët e Shteteve Anëtare, për të punuar të gjithë së bashku, për t’u siguruar që javët e ardhshme të ketë më shumë vaksina të disponueshme për qytetarët shqiptarë. Por duhet të kuptojmë se Shqipëria duhet të përgatisë një plan vaksinimi për t’i mundësuar BE-së të ndërhyjë, por edhe Covax-it, më vonë gjatë vitit, që të vazhdojë vaksinimin”,- thotë Soreca.

Akuza se qeveria nuk ka plan për vaksinat është një shuplakë e fortë ndaj qeverisë, sepse nëse një shtet nuk ka plan vaksinimi me procedura të detajuara, kompanitë ndërkombëtare të vaksinave dhe BE nuk mund të japin ndihma.

Deklarata e Luigi Sorecës vjen pasi qëndrimeve të përsëritura të Edi Ramës kundër Bashkimit Europian. Në gjithë deklaratat e javëve të fundit, Edi Rama ka akuzuar BE-në për mbyllje të kufijve dhe për atë që ai e ka quajtur përjashtim nga ndihmat për vaksinat. Kryeministri ka deklaruar se vaksinat po i siguron ai personalisht, falë aftësive që ka si diplomat dhe miqve në vende të ndryshme.

Lexo edhe :  Rindërtimi/ Rama në Maminas, dorëzon çelësat e shtëpive të reja

Ky qëndrim prej “shpëtimtari” është rrëzuar dje nga një prej diplomatëve më të rëndësishëm në vend. Kryeministri Edi Rama, jo vetëm nuk ka kërkuar ndihma në vendet e duhura për vaksinën, por nuk ka asnjë plan kombëtar sesi do të bëhet ky proces. Hartimi i një plani nuk nënkupton vetëm gjetjen e parave për çmimin e vaksinave, por edhe detajet që lidhen me kohën dhe deri frigoriferët e transportit të tyre. Sulmet e Edi Ramës ndaj Bashkimit Eurpian dje kanë pasur jehonë dhe në median e Brukselit. Rama përdori të njëjtën gjuhë të ashpër ndaj BE si liderët autoritarë që akuzojnë Brukselin.

Të njëjtat sulme i ka bërë sa herë që qeveria e tij ka dështuar për të ecur para me procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mesa duket, kryeministri e di se çështja e negociatave mund të jetë sërish refuzim ndaj tij dhe po përgatitet terrenin për të thënë se ai nuk ka faj, por është BE-ja që nuk e do Shqipërinë.

Kjo strategji që po e largon Shqipërinë çdo ditë më shumë nga BE ka vënë në lëvizje ambasadorin Soreca. Diplomati i Brukselit, që njihet për mbështetjen e pakufishme që i ka dhënë kësaj qeverie, mesa duket është ndjerë i tradhtuar nga kryeministri.

Sepse sulmet e Ramës edhe pse flasin për gjithë BE, përplasen te zyrat e Sorecës dhe vënë në vështirësi punën e tij si ambasador. Soreca dje foli vetëm parimisht dhe tregoi se ishte i habitur me Edi Ramën. Në fakt, është pak vonë për të mbajtur qëndrime të tilla. Nëse Edi Rama po largohet çdo ditë nga vlerat e BE dhe sot merr guximin që të flasë me gjuhën e antieuropianëve, kjo është dhe për faj të mbështetjes së pamerituar që i kanë dhënë diplomatët e BE qeverisë së tij, sa herë që ka shkelur ligjin.

Ambasadori Soreca ka heshtur kur kryeministri Rama dhunonte opozitën apo kur Rama kërkonte ligj të ashpër për median. Sikurse kur thyhej një xham nga protestuesit opozitarë, ambasadori reagonte mënjëherë, ndërkohë që këto ditë bota shikoi se si turmat hyjnë dhe në Kongresin Amerikan. Por më mirë vonë se kurrë zoti Ambasador!

1


Etiketa: , ,

Pas