U deshën më shumë se 2 mandate, që Edi Rama të realizojë një vepër të madhe. Dhe ja ku është Rruga e Arbrit, një aks i çmuar në infrastrukturën tonë që mesa duket është pothuajse gati, i çelur për udhëtarët që sot në mesditë. Një koridor që lidh Tiranën me Dibrën, dhe me pjesën tjetër të kombit që ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Kjo trevë, më e varfra e Shqipërisë, me gjasë mund të dalë nga skamja dhe të përfitojë nga shkurtimi i distancës dhe nga lehtësia e qarkullimit.
Në dy mandatet e para, Edi Rama besohet se ka vuajtur jo pak nga ideja se nuk po linte një arritje domethënëse, për të cilën të flitej gjatë.
Çka e kishte bërë pararadhësi i tij Berisha, me Rrugën e Kombit, e shumë segmente të tjera nga Veriu në Jug. Po ashtu, ai pati anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, dhe ndodhi në kohën e tij pavarësia e Kosovës.
Në lëmin ndërkombëtar s’mund të thuhet se Edi Rama s’ka bërë përpjekje. Kontaktet e tij kanë qënë jo të pakta, dhe kryesimi i OSBE ishte diçka, edhe pse kërkesa qe bërë vite më parë. Pranimi i Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, në OKB, sërish jo për t’u nënvlerësuar.
Për integrimin në BE, askush s’mund të akuzojë se nuk e ka bërë përpjeken e tij në mënyrë insistuese, me tone shpesh luftarake dhe debatuese me lidere të vendeve anëtare, edhe pse ngërçi dukej se shpesh ishte bash tek qeverisja e brendshme.
Megjithatë, një përmbysje, një gjë për t’u mbajtur mend në infrastrukturë mungonte. Dhe ja ku e pamë sot Edi Ramën në tunele, nga ato që çajnë malet e lidhin njerëzit.
Me sfond folklorik e patriotik sigurisht, po duhet pranuar se kemi një sukses. Kur Rruga e Arbrit të mbarojë e gjitha, në legacy-në e Ramën ajo do të shkëlqejë.
Rruga e Kombit, dhe Rruga e Arbrit, janë transformime që sjellin impakt të madh në vend. Dhe me ndikim të padiskutueshëm në afrimin e shqiptarëve.