Nga Ervis Iljazaj
Mund të jemi dakord ose jo, ta kritikojmë ose jo, por, ishte e qartë për të gjithë se, Lulzim Basha ishte protagonist i padiskutueshëm i muajit që lamë pas. Shtatori përkon me fillimin e sezonit të ri politik, dhe, ky fillim sezoni, në aspektin e protagonizmit politik, pa liderin e opozitës me tezat dhe propozimet e tij të diktonte agjendën dhe debatin politik.
Me një efekt pothuajse surprizë, kur të gjithë prisnin protesta apo dhunë në rrugët e Tiranës në pritje të një revolucioni politik që nuk ka për të ardhur kurrë, Basha me dy propozimet e tij për vettingun në politikë dhe atë në biznes, gjeti pothuajse të papërgatitur mazhorancën për këtë debat.
Mbas një kohe të gjatë gjumi letargjik, mbas këtij muaji, mund të thuhet se tashmë opozita ekziston dhe ka ndezur motorët për një garë elektorale që parashikohet të vij në prag të zgjedhjeve lokale.
Sigurisht që, propozimi për vettingun e politikës është lëvizja më e zgjuar e Partisë Demokratike në aspektin e strategjisë dhe të komunikimit politik. Çështja e moralit në jetën publike, është kthyer në një nga çështjet më të rëndësishme të opinionit publik. E në këtë kuptim, Lulzim Basha shkoi drejt e në thelb të çështjes duke propozuar pastërtinë e figurave të politikanëve.
Edhe për sa i përket propozimit për propozimin e ligjit antimafie për tenderët publikë, është një tematikë e cila me siguri ka ngjallur kuriozitet dhe emocione te qytetarët shqiptarë, pasi edhe kjo çështje që nënkupton mënyrën e shpenzimit të parave publike, është një çështje mjaft e ndjeshme.
Kështu që, në aspektin e komunikimit dhe terrenit të politikës, Lulzim Basha me propozimet dhe retorikën e tij ka avancuar.
Mund të thuhet që tashmë oferta e tij si lideri i opozitë ekziston. Ose e thënë ndryshe, tashmë Basha ka hyrë në tregun politik. Në kuptimin që, nëse disa muaj më parë protagonizmi i tij ishte në nivele pothuajse amatore, sot, është një konkurrent politik për t’u respektuar.
Të kuptohemi, të gjitha propozimet e Partisë Demokratike meritojnë kritika të mëdha, por, politika në shumicën e rasteve flet me gjuhën e formës dhe jo të përmbajtjes. Në këtë kuptim, për të korrur konsensus elektoral, është e rëndësishme ngjallja e emocioneve popullore. Dhe, me këto propozime, patjetër që ato emocione janë ringjallur.
Kjo është një mënyrë efikase që Partia Demokratike të fitojë terren në opinionin publik.
Ata që kërkojnë protesta, dhunë për të rrëzuar qeverinë apo bojkotim Parlamenti, janë duke orientuar Partinë Demokratike në drejtimin e gabuar. A thua se, Shqipëria e vitit 2019 është Shqipëria e mbrapsht e vitit 1997.
Megjithatë, efekti komunikimit në politik ka një rëndësi të caktuar. Herët apo vonë, për të qenë i besueshëm duhet të kthehesh te thelbi. Dhe, thelbi i kësaj fushate që ka ndërmarrë Basha është, nëse vetting në politikë është i mundshëm ose jo ? Nëse vettingu politik dëmton ose jo Reformën në Drejtësi?
Për sa i përket ligjit antimafie për biznesin, është një problematikë që ekziston, por qasja është totalisht e gabuar. Të krahasosh krimin e organizuar me biznesin është një guxim i madh politik. Guxim që Partia Demokratike duhet të na shpjegojë se nga i vjen.
Në këtë kuptim, PD, përtej strategjisë, duhet t’iu shpjegojë shqiptarëve se si do të bëhen të mundura propozimet e saj. Gjë të cilën deri më tani e ka patur të vështirë ta demonstrojë.
Çdo propozim i Lulkes eshte qe te mos dale ne punen qe paguhet.Pushimet e veres mbaruan.Populli nuk e degjon.O burra ne per Shqiperi,te genjejme ke te gjejme rruges.