fbpx

Aktualitet

Më shihni mua, jo katrahurën





               Publikuar në : 18:08 - 03/12/19 |
Mapo.al

Edi Rama e tregoi veten se është një lojtar i fortë në politikë, dhe një mjeshtër i PR, pikërisht në ditët më të vështira të vendit, si këto pas rënies së tërmetit. Propaganda ishte patjetër stili i tij i qeverisjes dhe mënyra e të qënit, kjo dihej. Po nuk kishim parë ende shkallën superiore të saj.


Aq sa të konkuronte, apo më shumë, të linte në hije, edhe zhvillime të këtilla të natyrës, me forcë, sovranitet e brutalizëm, si ai i orës 4 të mëngjesit të 26 nëntorit.



Por vini re.


Njerëzit janë homo videns, siç thotë, Xhovani Sartori. Pamjet e para ishin padyshim të rrëmetit që solli trandja apokaliptike, 6.4 rihter. Këto pamje zgjatën 48 orë.

Çfarë kanë parë më tej në ekran shqiptarët.

Kanë parë vetëm Edi Ramën. Ai ka nisur prej nje jave tashmë një prej kurseve me agresive të PR, duke dalë live deri në 8 orë në ditë. Gjithcka e organizuar. Live kudo. Dhe një ekip që kujdeset për pamjen e tij edhe në ceremoninë mortore në Thumanë. Arsyeja është e thjeshtë. Ai po thotë, po kerkon, dhe po ja del, me agjendën e tij që është; më shihni mua, jo katrahurën.

Më shihni mua, jo një plagë të re të madhe që ju hap vendit që lëngonte ndërkohë prej vitesh nën qeverisjen e tij.

Janë të njohura edhe në teori, rastet kur drama dhe fatkeqësi të kësaj natyre kthehen në favor të liderëve, edhe kur ata janë mediokër, apo me kredite të ulëta në publik. Mirëpo propaganda e Edi Ramës është aq agresive, totale dhe dominuese, sa ai ngjan se kërkon ta shpallë veten një lloj Mesie, dhe kjo bën të mos dalin në skenë detaje apo pyetje si; pse ekipet tona të shpëtimit s’kishin dorashka, as pse banesat që zunë poshtë tyre dhjetra fryme në Thumanë, duhej të ishin shpallur të pabanuara prej 21 shtatorit. Të harrohen krejt përgjegjësitë e shtetit e të rilindjes që ka më shumë se 6 vite që mbjell pallate e godina si ato që ranë në Durrës.

Shumë e thjeshtë. Harrojini të gjitha, më shikoni mua. Kush nuk bindet, mund ta përfytyrojë veten edhe nën masa që nuk e rrok imagjinata. Sic ishin rastet e mbylljes së disa portaleve.

Dhe Edi Rama vazhdon shtegtimin e tij “live”, si demiurg, krijues i një bote të re, me një trupë të bollshme transmetimi. Ai po zbulon tani këtë pjesë, këtë dramë të vendit. Mungon vetëm lumi Jordan, ku ai vetë të mund të pagëzojë njerëz, apo të kryejë mrekullitë e rastit.

Dhe kjo e sotmja është skena më e fortë politike e vendit, edhe pse me cdo forcë po mundohet të shmanget fjala politike.

Nuk ka në fakt, moment më politik se ky. I atillë, ku aktorët kanë vemendjen dhe audiencën maksimale, e ku njerëzit presin zgjidhje. Çfarë është më politike se kjo?

Nga ana tjetër, lideri i opozitës, Lulzim Basha po sillet me etikë, me vetëpërmbajtje, me një stil human. Pra, po bën normalin në një vend e situatë të cmendur. Dhe një llogjikë e racionalitet të thotë se po bën atë që duhet. Vendit i lypset një alternativë si kjo. Një njeri i ndjeshëm, dhe serioz. Që vëzhgon, qëndron pranë njerëzve, i dëgjon, dhe propozon zgjidhje.

Edhe pse skenën e ka marrë sërish dikush tjetër, i cili duket se po korr frytet fillestare të kësaj situate dhe po kthen në favor të tij, edhe më të fortën krizë e të pashpresen situatë./ Mapo.al


Etiketa: , , ,

Pas