Universiteti Europian i Tiranës në filozofinë e tij, ka në qendër studentin dhe dijen.
Pikërisht në këtë frymë, në ambjentet e këtij universiteti janë mbledhur 100 studentët e tij ekselentë ndër 10 breza të diplomuarish, për të festuar 10 vite diplomime si dhe në formë simbolike për tu shpërblyer me një certefikatë mirënjohje për arritjet dhe kontributin e tyre në UET dhe jashtë tij.
Ata janë pjesë e rrjetit ALUMNI, që është një strukturë e themeluar prej disa vitesh tashmë, me qëllim bashkëpunimin dhe ruajtjen e kontakteve mes universitetit dhe ish-studentëve të tij. Të mbledhur në këtë organizim ishin pikërisht 100 më të mirët, me mesataret më të larta ndër vite.
Të diplomuar në vite të ndryshme dhe një larmi degësh që UET ofron, ata janë tanimë profesionistë të konsoliduar në tregun e punës. Gjatë këtij takimi ALUMNI kanë patur mundësinë të ndajnë me kolegët eksperiencat e tyre, vështirësitë dhe fitoret që i kanë shoqëruar përgjatë këtyre viteve që janë shkëputur nga audioret e UET.
E pranishme në këtë organizim ka qenë edhe Adela Danaj, e cila ka folur jo vetëm në pozicionin e një ndër 100 studentëve më të mirë që UET ka patur ndër vite, por edhe si Presidente e UET ALUMNI.
“Ne kemi një mision shumë të rëndësishëm, jo vetëm për të ngritur lart universitetin ku ne jemi diplomuar, por gjithashtu të kontribuojmë për një rrjet edhe më të fuqishëm për brezat që do të diplomohen nga ky institucion”.
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, është shprehur se ALUMNI, ndër të cilët janë edhe 100 studentët më ekselentë që UET ka patur në 10 breza të diplomuarish, është një nga asetet më të vyera të këtij universiteti.
“Me të vërtetë ju keni qenë fuqia jonë. Vërtetë fuqia e Universitetit Europian të Tiranës janë studentët ekselentë dhe janë të gjithë ata studentë të tjerë që janë në tregun e punës, të cilat janë dy tregues të rëndësishëm të këtij institucioni. Kam patur gjithmonë një bindje që fuqia e një institucioni nuk është numri i madh i studentëve por është numri i studentëve ekselentë që ai ka. Objektivi i UET nuk është thjesht numri i studentëve që vazhdojnë studimet e tyre pranë nesh, por kur këta studentë të dalin në tregun e punës, të jenë më cilësor duke e karekterizuar UET si një institucion të tillë.”
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Adrian Civici gjatë fjalës së tij përshëndetëse ka vënë theksin tek rëndësia që ka dija në botën ku jetojmë sot dhe kontributit që studentët ekselentë kanë në shoqëri.
“Në fakt ky takim i sotëm nuk është thjesht një certefikatë mirënjohje për ju, as thjesht një vlerësim që i bën universiteti punës suaj por është shumë më shumë se kaq. Është një mirënjohje shumë e madhe e gjithë shoqërisë shqiptare për dijen, për njohuritë dhe për të gjithë progresin dhe zhvillimin që do të sillni ju në të gjitha fushat apo vendet e punës ku do të jeni”, është shprehur Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës.
Ndërkohë ish studentaj e UET Viola Tanto e cila tashmë punon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka ndarë me të pranishmit eksperiencën e saj jo thjsht si studnete ekselente por edhe si perfituese e kesaj kategorie
“Unë punoj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe mbaj atje pozicionin e Drejtorit të Burimeve Njerëzore dhe sigurisht që ballafaqimi i parë është pikërisht me kualifikimet e aplikantëve për punë dhe shikoj që një pjesë e konsiderueshme e stafit është kualifikuar në UET dhe kjo më bën goxha krenare. Sigurisht unë nuk i kam kaluar të gjitha eksperiencat e mia këtu, pasi kam mbaruar studimet në universitetin shtetëror dhe sigurisht për të patur një kurrikul akoma më të mirë dhe për të zgjedhur një degë ashtu siç e dëshiroja zgjodha UET, pikërisht nga reputacioni që kishte, por si ekselente që isha përfitova edhe nga bursa e ekselencës.”
Klotilda Jaupi : Në UET mësova si të shfrytëzoj potencialin tim për të ecur në karrierë
Klotilda Jaupi është një ndër ish studentët ekselentë të UET dhe momentalisht drejton shkollën 9 vjeçare“Gustav Mayer” në Tiranë dhe është njëkohësisht një ndër trajneret e licensuara nga Instituti i Zhvillimi të Arsimit për tranimet e mësuesve dhe drejtuesve në Shqipëri. Ajo vendosi të bënte një master për mësuesi pas 14 vitesh pune në këtë sektor, ku dhe ndryshoi kendvështrimin në lidhje me mësidhënien dhe menaxhimin në sektorin e arsimit. Gjithashtu gjatë fjalës së saj, Klotilda u shpreh se tashmë është dukë parë mundësinë për të vazhduar edhe ciklin e tretë doktoral.
“Unë vij nga fusha e mësuesisë. Në kohën kur u bëra pjesë e UET drejtoja një shkollë jopublike. Profesorët më ndihmuan të ndryshoja këndvështrimin tim. Nëse deri në atë moment isha një individ me karrierë të suksesshme në ambiencet e mia personale për të qenë e suksesshmë në përditshmërinë time, profesorët e UET më ndihmuan të gjej balancën mes asaj çfarë unë kërkoj dhe çfarë realisht kam në dorë dhe si ta shfrytëzoj potencialin tim për të ecur përpara”, ka thënë ajo.
Nisur edhe nga eksperienca e saj në UET, Klotilda Jaupi është shprehur se UET është mundësia më e mirë për të gjithë studentët dhe se e rizgjedh UET .