Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit”, ka hedhur një tjetër material për , të cilin ai e konsideron një provë se si dëshmitari i vetëofruar Fredi Alizoti, është manipuluar nga eksponentë të Partisë Socialiste.
Në përgjimet e ‘imituesit’ të Agron Xhafajt, deputeti demokrat thotë se, Fredi Alizoti i thotë një mikut të tij se ka marrë një pako të mirë.
“Ka një evoluim të çështjes. Nuk bëhet më debati publik nëse ka qenë apo jo zëri i Agron Xhafajt. Ne kemi publikuar një video, e keni parë që e kam nxjerrë gjatë një debati televiziv ku aktori i fabrikuar nga qeveria pranon që e merr Ard Veliu dhe Taulanti. Këto fakte dhe prova janë të njëjta me provat e prokurorisë. Faktohen dhe nga përgjimet që ka bërë vetë prokuroria e shtetit shqiptar. Po ju them vetëm një pjesë të këtij skandali ‘Xhafaj gate’, skandalin më të madh në fabrikimin e provave për të mbrojtur një person që është vëllai i ministrit të brendshëm dhe vetë ministrin. Alizoti me nr. tel 091 në fund thotë në datën 1.6.2018 në orën 5:20 dy apo 3 orë para se të vinte në prok flet me një mikun e tij dhe i thotë 5 min dhe vjen drejt i policisë së Fierit dhe i thotë mora një pako të mirë. Unë jam person nën hetim dhe si person nën hetim mund të kem të gjitha provat. Këto janë dokumente zyrtare të Prokurorisë që kanë shkuar në gjykatë. Prokuroria ka marrë disa mjete aty këtu për të mbajtur në detyrim paraqitje Jetmir Olldashin. Në datë 29 maj thuhet ‘ça do bëjmë me atë shokun nga Librazhdi’. Dy ditë para 1 qershorit. Thotë më është ofruar një gjë e mirë nga një palë tjetër. ‘Taulanti nga Librazhdi’”, deklaroi Salianji në “Tëpaekspozuarit”.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit Ylli Rakipi nëse bëhet fjalë për deputetin e PS Taulant Balla, Salianji tha ‘më thoni një tjetër Taulant nga Librazhdi’.