Një fqinje e familjes Rasha tregon për AbCnews se natën që ndodhi vrasja e Klodianit nga efektivi i policisë ishte zgjuar nga zhurmat duke mos e ditur se ç’po ndodhte.
Gruaja thotë se i riu debatoi për 5-10 minuta me efektivët e më pas u dëgjuan krismat e shkrepjes së armës.
Qytetarja dëshmon se pas krismave, efektivi Nevaldo Hajdëraj pyeste Rashën “Ku të rashë?” dhe se 25-vjeçari vazhdonte të ulëriste me të madhe “Më vratë” ndërkohë që efektivi insistonte të dinte se në ç’pjesë të trupit e kishte qëlluar.
Gruaja gjithashtu thotë se në vendngjarje kanë qenë dy efektivë policie dhe djali 25-vjeçar, tashmë viktimë.
Dëshmitarja i hedh poshtë pretendimet se Klodian Rasha ka qenë person i dhunshëm apo agresiv. Ajo gjithashtu pohon se së fundmi viktima kishte pasur probleme të shëndetit mendor por asgjë shqetësuese për fqinjët përreth apo për komunitetin. Më herët edhe të afërm të tjerë të familjes Rasha dëshmojnë të njëjtën gjë.
Kujtojmë se Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit nga një efektiv i Shqiponjave.
Vrasja e tij ka shkaktuar protesta të shumta. Prej kësaj vrasje Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.
Deklarata e plotë e dëshmitares:
“Pas krismave ai thoshte:
“Ku të rashë?!”
“Ku të rashë?!”
“Ku të rashë?!”
Se ai (Klodiani) ka ulëritur me të madhe. Bërtiste djali…
Bërtiste “Ooo më vratë!”
Ndërsa polici vazhdonte ta pyeste: Ku të rashë? Ku të kam qëlluar?
Donte të dinte ku ka qëlluar.
Dy policë dhe djali kanë qenë atje.”