AA-Instant, Kryesore, Media

MEDIA TREND/ Një vit si 2018-a për Eni Vasilin

Eni Vasili ka mbyllur një vit të suksesshëm. ‘Open’ ka vendosur Top Channel në krye të axhendës së publikut shqiptar. Por si e sheh gazetarja dhe moderatorja e njohur vitin 2018?


Profesionalisht cilat ishin pritshmëritë e tua për 2018,  a u përmbushen ato?

Ky vit më ka dhuruar shumë kenaqësi profesionale. Nga shkurti programi që ideoj e drejtoj erdhi tre herë në javë për publikun të hënë, të martë dhe të enjte. Ka qenë një hap sa angazhues dhe intensiv aq edhe i bukur profesionalisht duke sjellë një seri debatesh, por edhe një galeri të tërë personazhesh me intervista pikante, të cilat morën shumë vëmendje. Sigurisht oferta e Top Channel në verë më sfidoi sërish në dëshirën për t’u rritur, rinovuar dhe evoluar. Ky sezon i parë në Top gjithashtu ka qenë mjaft impenjativ pasi përkoi edhe me një atmosferë politike të ngjeshur me ngjarje dhe  problematika të ndryshme. Por në distancë disamujore kur kthejmë kokën bashkë me stafin shohim se ia kemi dale të krijojmë nje program, i cili mishëron më shumë se kurrë sloganin tonë: “Open, i hapur për të gjithë”. Do të gjeni në këtë sezon drejtuesit më të  lartë politikë përballë banorëve të astirit, studentëve, pedagogëve, gazetarëve, duke e bërë logon tonë një platformë ku duan dhe synojnë të jenë të gjithë pjesëmarrës.

Si do ta vlerësonit politikën e këtij viti. Qeveria, opozita?

Me nga një notë negative për të dyja. Së pari sepse siç u pa gjatë këtij viti, larg sondazheve partiake, qeveria ka humbur mbështetjen e  disa segmenteve të shoqërisë. Arroganca e shumë ministrave që ikën, të cilët silleshin si bajraktarë në dikasteret e tyre shumuar me arrogancën karakteriale të njohur tashmë të kryeministrit krijuan një atmosferë mbytëse që vetëm protesta e studentëve arriti ta zhbllokojë. Sa i takon qeverisë së re me emra teknicienesh mund të them se Italia disa vite më parë u bë laboratori i këtij eksperimenti politik. Edhe pse emrat e teknicienëve duke nisur me kryeministrin Mario Monti ishin me të respektuarit në nivel europian sërish eksperimenti dështoi. Opozita këtë vit është munduar të  mbështesë disa kauza qytetare si ajo e teatrit apo Astirit, por nuk ka arritur të konvergojë një energji mbështetëse për veten në njerëz. Në përgjithësi protestat e këtij viti janë bërë jashtë organizimeve politike dhe ky është një nga lajmet e mira të 2018-ës.

Viti që vjen është elektoral, ka shumë aludime që nuk përjashtojnë mundësinë edhe të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme?

Kjo varet nga rekuperimi që kryeministri do bëjë me qeverinë e riformatuar deri në qershor. Zërat që flasin për sondazhet e brendshme të së majtës nuk përjashtojnë idenë që kryeministri t’i provokojë vetë këto zgjedhje për të dalë nga ngërçi i  protestave të paralajmëruara.

Cila ishte intervista më e vështirë e vitit për ty?

Kanë qenë disa intervista me disa ministra gjatë verës. Me shqetësojnë ato intervista kur sado të mundohesh nga interlokutori merr vetëm fraza klishe dhe boshe si përgjigje. Do ja kurseja me dëshirë publikut këtë kohë të panevojshme televizive edhe pse vendosa t’i transmetoj si një mënyrë që teleshikuesit të gjykojnë vetë.

A ju shqetësojnë kritikat pas intervistave që realizoni, si reagoni pas tyre?

Qëllimi im nuk është t’u pëlqej të gjithëve, por t’u qëndroj besnike disa parimeve me të cilat nuk bëj kompromis. Ata që kritikojnë jo gjithmonë por kryesisht kanë llogoret e tyre të interesave të vogla e të mëdha. Mua nuk më interesojnë këto. E vetmja gjë për të cilën punoj është luajaliteti dhe besnikëria ndaj publikut. Një program është i mirë kur mbi të ka debate. Kjo tregon që thyen status quo-të, ngacmon interesa, prish ekuilibra. Ku ka më mirë se kaq për një gazetar. Për fat të keq shoh kolegë që sillen si viktima, që kërkojnë alibi dhe avokati. Ja sheshi, ja meidani, secili të tregojë sa vlen para publikut, i vetmi indikator i punës tonë.

Dhe si vjen Open në 2019, a do të ketë risi, apo formati është i konsoliduar?        

Nuk keni parë asgjë akoma …

<
>
Eni Vasili Eni Vasilii
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas