Lajmi se në Shqipëri do të ngrihet një bazë ajrore e NATO-s i ka trazuar jo pak mediat ruse. Portali qeveritar Sputnik shkruan se NATO nuk ka asnjë arsye që të ndërtojë një bazë ajrore në Shqipëri.
Eksperti rus, Sergey Ermakov thotë se duhet bërë kujdes se deri më tani janë vetëm fjalët e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të pakonfirmuara nga NATO.
Megjithatë ai duket se nuk e di që NATO ka bërë një konfirmim zyrtar për këtë çështje, duke pranuar ngritjen e bazës ajrore në Kuçovë.
Ermakov e pranon se NATO mund të ndërtojë një bazë ushtarake në Shqipëri, pasi në samitin e fundit u ra dakord që të forcohet kontrolli i kufijve jugorë të Aleancës.
“Ballkani ofron një akses të mirë në të gjithë vendndodhjet e rajoneve të Detit të Zi dhe Mesdheut, që mund të përbëjnë rrezik për aleancën”.
Skeptik është edhe ish-Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohijën në Serbi, Dushan Prorokoviç.
Ai thotë se pavarësisht se presidenti Donald Trump kërkon që anëtarët e NATO-s të shtojnë shpenzimet ushtarake, aleanca nuk i ka 50 milionë euro për të shpenzuar për një bazë tjetër ushtarake.
“Ndoshta Edi Rama kërkon që të ketë marrëdhënie të mira me SHBA dhe po u ofron diçka. Në fakt nuk shoh asnjë arsye se përse NATO do ngrejë një bazë në Shqipëri ose në ndonjë vend tjetër ballkanik. Amerikanët i kanë rrethuar të gjithë zonat e interesit në rajon”.
Sipas tij, amerikanët kanë bazën Bondsteel në Kosovë, NATO ka katër baza në Bullgari, një bazë në Rumani, një në Itali, një në Gjermani, një në Turqi. Nga kjo pikëpamje, NATO-s nuk i duhet thjesht një bazë më shumë.