Mediat greke vazhdojnë të theksojnë se Tirana zyrtare po i hedh benzinë zjarrit për çështjen e vrasjes së Konstandin Kacifas. Gazeta Proto Thema shkruan se kryeministri Edi Rama ishte i pari që tensionoi situatën, duke theksuar se viktima ishte një i çmendur.
Pak orë më vonë, shkruan gazeta, ekipi i Partizanit, ku drejtor është vëllai i Edi Ramës, ngriti një baner në stadium ku shkruhet: “1 grek më pak, 1 bastard më pak”.
Në të njëjtën kohë, vijon shkrimi, gazetari Artan Hoxha shkroi në rrjetet sociale në një shpërthim propagande anti-greke se “është më mirë që të qajnë nënat tuaja”.
Situata është e vështirë pasi edhe familja e viktimës ka kërkuar të ngrejë një padi ndaj policisë, por ajo nuk është pranuar nga prokuroria, vijon shkrimi.
Pretendimet e grekëve janë se Kacifas është ekzekutuar, për shkak se ai mund të ishte plagosur, por është qëlluar dy herë për të siguruar që ishte vrarë.