Analisti dhe publicisti Kim Mehmeti komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë, ku drejtues të lartë të politikës kanë përfunduar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Mehmeti thotë se ne ndaj kësaj gjykate u sollëm sikur ajo do ndante dekorata dhe nuk do të sillte akuza.
Analisti shton se institucionet e Kosovës ishin të përqendruara te mbrojtja e të pushtetshmëve.
Më tej, Mehmeti tha se Thaçi dhe Rama e shpëlanë figurën e Vuçiç dhe ndihmuan me projektet e tij.
“Duhet të kthejmë shikimin nga vetja. Në këtë situatë, duhet të rikujtojmë një të vërtetë, që Gjykata Speciale është themeluar para 5 vitesh dhe këto vite, institucionet e Kosovës nuk bënë asgjë për të provuar që kriminelët e luftës janë në Serbi dhe Beograd.
Kosova nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Aleksandër Vuçiç. Shkurt e shqip, gjykata u themelua pasi as nga Shqipëria dhe as nga Kosova nuk u bë asgjë për të dëshmuar që Serbia po drejtohet nga njerëzit dhe mbështetësit e Millosheviçit.
Thaçi dhe Rama e shpëlanë figurën e Vuçiç dhe ndihmuan me projektet e tij,” – tha Mehmeti.
I pyetur nëse këto padi e njollosin UÇK-në, Mehmeti tha: “UÇK është gjëja më e shtrenjtë që kemi ne shqiptarët. UÇK është populli shqiptar dhe popullin shqiptar nuk mund ta njollosin me asgjë”.