Botimi apo jo i librit “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit, i përkthyer nga Kushtrim Gjosti dhe i sjellë në shqip nga “Belina H” me botues Beqir Haluli, duket se është një çështje që nuk i përket Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por prokurorisë, edhe kjo nëse në ndonjë rast do të ketë një kallëzim penal për të (nga shoqata të së drejtës së njeriut apo shoqata të tjera). Drejtori i Drejtorisë së Librit në MTKRS, Ermir Nika sqaron se po spekulohet shumë në këtë drejtim, pasi sipas tij, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një vepër kulturore apo artistike, por me një vepër politike. “Në rastin konkret kemi të bëjmë me një botues amator, me një shtypshkrues që nuk e ka përgjegjësinë se çfarë boton dhe që nuk ka kulturën minimale se çfarë historiku ka një vepër që merr përsipër të botojë. Unë nuk e di nëse ai e ka marrë të drejtën e autorit, apo e ka kulturën të dijë se çfarë është e drejta e autorit”, – shprehet Nika. Për këtë rast ai i referohet Kodit Penal e konkretisht nenit 265, që dënon ata persona apo botime që nxisin urrejtje racore, fetare apo etnike. E nëse çështja i referohet Kodit Penal, atëherë sipas tij, kjo është çështje që i përket institucionit të hetimit penal. Ministria, as nuk e ka të drejtën ta ndalojë dhe as të censurojë botime me karakter politik dhe për këtë çështje nuk është ngritur ndonjë grup i posaçëm siç dhe është publikuar. “Ai person që ka bërë këtë botim, ka përgjegjësi personale si individ. Ministria e Kulturës nuk jep leje për botime dhe nuk e ka këtë të drejtë. Tregu i botimeve është treg i lirë. Ministria mbështet vetëm ato botime që kanë karakter letrar, artistik dhe kritik që promovojnë vlerat e identitetit tonë letrar”, – shprehet Nika. Ndërkohë që botuesit e shohin çështjen në një aspekt krejt tjetër, në atë të së drejtës së autorit, siç dhe shprehet Pirro Misha, një tjetër botues që problemin e shtron nëse është marrë e drejta e autorit për ta botuar këtë libër, apo jo. Prej disa vitesh është ngritur edhe Zyra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit dhe çdo çështje që ka të bëjë me të drejtën e autorit kalon përmes kësaj zyre. Kjo e fundit tashmë ka në dorë ligjin e ri për të drejtën e autorit, i cili sugjeron dënime me burg për ata që e vjedhin këtë të drejtë.
Historia e një pamfleti që u bë libri më i debatuar
I burgosuri ndodhet që prej 11 nëntorit 1923 në burg për tradhti të lartë, por përpjekja për puç dështoi, marshimi nacionalo-socialist në një sallë të komandaturës në Mynih përfundoi me gjakderdhje. Adolf Hitleri është me sa duket në fund të tij. Ai ka tani kohë për të menduar për të ardhmen dhe shfrytëzon këtë pushim të detyruar. Përjashta sundon kaos politik, ekonomia është përtokë, papunësia në rritje, në rrugë forcat e majta luftojnë me ato të djathta. Republika e Vajmarit ndodhet në agoni. Aty ku është, pas hekurave, Hitleri formulon vizionin e tij politik. Për pak muaj ai shkruan “Mein Kampf” (Lufta ime), një përzierje e papërpunuar manifesti ideologjik, autobiografie dhe copësh të marra nga libra të tjerë e pamflete politike. Ai tematizon idetë raciste dhe antisemitiste, flet për luftën dhe revolucion nacionalo-socialist dhe hedh themelet për pretendimet e mëvonshme për të marrë drejtimin. Libri publikohet vite më vonë, kur Hitleri ishte sërish i lirë dhe rikrijoi me besnikët e tij partinë nacional-socialiste NSDAP, të shpërndarë tashmë në të katër anët.
Fjalimi i ashpër si ‘bestseller’
Deri në vitin 1933 shiten rreth 300 mijë kopje me një botim të lirë popullor, më pas libri kthehet në ‘bestseller’ dhe botohet në miliona ekzemplarë, duke u kthyer në lexim të detyruar për çdo familje me pikëpamje nacionaliste; libër shkolle, dhuratë shteti për çiftet gjermane që martoheshin. Historianët ngrenë dyshime që librin ta kenë lexuar vërtet miliona njerëz. “Mein Kampf” pati sidoqoftë sukses ekonomik për partinë dhe shtëpinë e saj botuese, dhe Adolf Hitleri pati me të edhe përfitimet e veta personale. Libri mund të lexohej edhe jashtë Gjermanisë, përkthime pati në frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore kërkush nuk donte të dëgjonte më për ‘bestseller’-in e Hitlerit. Miliona kopje u zhdukën nga shtëpitë gjermane ku kishin mbetur si një trashëgimi e turpshme. Por me sa duket, jo të gjitha kopjet. Në Angli, për shembull, janë gjetur në vitin 2005 dhe 2009 ekzemplarë të nënshkruar me dorë, të cilët janë nxjerrë në shitje për shumë para.
Historianët: “Lufta ime”, një libër i dështuar
Gjykimi i historianëve është prej dekadash shumë i qartë. Ata e quajnë “Mein Kampf” irracional, të shkruar keq, egocentrik, pa stil, politikisht për faqe të zezë. “Një erë e çuditshme e prishjes godet lexuesin nga të gjitha anët”, – ka thënë një herë Joachim C. Fest në librin e tij për Hitlerin. “Mein Kampf” është përpjekja krejtësisht e dështuar për të formuluar një botëkuptim. Historiania Brigitte Hamann mendon se mënyra e të shkruarit të tij është e mërzitshme dhe në një intervistë të shkurtër për gazetën “Die Zeit” ajo thotë: “Hitleri nuk ka krijuar asgjë nga vetja e tij. Ai ka kopjuar gjithnjë, kryesisht nga predikimet politike ekstreme”.
Gjermania e ka ndaluar publikimin
Në Gjermani është i ndaluar publikimi i librit. Ai vlerësohet si propagandë me parulla armiqësore dhe mjet për nxitjen e urrejtjes në popull. Me ndalimin kërkohet të pengohet shpërdorimi dhe ndikimi politik mbi lexuesit, një argument që shumë vetë e shohin si të pakuptimtë, duke pasur parasysh raportet demokratike të forcuara prej kohësh. Historiani britanik, Ian Kershaw pati thënë një herë se përpjekja për të censuruar lexuesit është një ushtrim i pakuptimtë në kohën e internetit. Në fakt libri është pjesërisht apo komplet në internet dhe gjendet në antikuarët brenda dhe jashtë Gjermanisë. Në Indi, Rusi, Turqi apo Kroaci, “Mein Kampf” e gjen në shumë vende.
Kufijtë e të drejtës së autorit
Por tani, konflikti që ka shpërthyer për një publikim të librit, kësaj here nga një botuesi Peter McGee i cili ka planifikuar ta botojë “Mein Kampf” në serinë e tij “Dëshmitarë gazete”, ka ndeshur në kufijtë e të drejtës gjermane të autorit. Të drejtën e manuskriptit të Hitlerit, forcat aleate ia kaluan pas luftës qeverisë së landit të Bavarisë, sepse qendra e banimit të Hitlerit deri në fund ka qenë në Munih. Prona e tij u konfiskua, dhe në të bënte pjesë edhe e drejta e përdorimit të shkrimeve politike polemike. Qeveria e landit të Bavarisë është përpjekur deri tani me sukses të pengojë me rrugë juridike çdo përpjekje për publikimin e pjesëve të teksteve. Edhe tani ajo ka thënë se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të penguar botimin. Sigurisht, që 70 vjet pas vdekjes së autorit të drejtat shuhen. Dhe kjo do të thotë se shtatë dekada pas vetëvrasjes së diktatorit më 1945, “Mein Kampf” mund të botohet plotësisht. “Aktualisht, ka ardhur koha që një publik më i gjerë të ketë mundësinë të përballet me tekstet origjinale”, – thotë botuesi McGee për revistën gjermane “Der Spiegel”. Disa mendojnë se britanikët nisen vetëm nga interesa komerciale.
Publikim shkencor
Libri është përpunuar ndërkohë shkencërisht. Instituti i Munihut për historinë bashkëkohore është duke përgatitur një edicion serioz me komentare. Ai do të publikohet para publikimit të librave të tjerëve që kanë synime komerciale. Historiania nga Vjena, Brigitte Hamann është skeptike sa i përket kësaj. Në këtë mënyrë publikohet një vepër me dhjetë volume, thotë ajo. “Kështu “Mein Kampf” nderohet më shumë se kur u krijua.” Një botim i thjeshtë, mendon ajo, mund të bëhet, nuk është e nevojshme që të bëhen përpjekje për të shpjeguar gjithë historinë e botës në një libër. Çështja, nëse pjesë të librit do të shiten në kioskat gjermane, mbetet e diskutueshme. Ministrja për çështjet e familjes, Kristina Schrödër mendon se kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Për të kuptuar veprat çnjerëzore naziste, nuk ka pse nevojitet një gjë e tillë, duke pasur parasysh numrin e madh të vendeve historike në gjithë Gjermaninë.
Nuk e kuptoj kete histeri! Ne qofte se te ne mund te blesh lirshem librat e E. Hoxhes pse te mos lexohet edhe “mein kampf-i”, perqindja e shqiptarve te vrare nga Hoxha eshte shuuume me e madhe se perqindja e gjermanve te vrare nga Hitleri (natyrisht ne relacion me popullsine) dhe megjithse gjermanet vepren e Hitler-it e kane ndaluar me ligj, pra per ne shqiptaret do duhej bere pyetja per te ndaluar veprat e Hoxhes, une nuk jam per te tilla ndalesa te tilla ne fund te fundit ai qe me te vertet don ta lexoje mund ta gjeje ne internet!