Gazeta e njohur britanike, The Guardian, ka publikuar një reportazh nga Tirana, ku flet për grupimin e luftëtarëve muxhahedinë iranianë, MEK
Nga Shaun Walker
Portat e kompleksit ‘Mujahedin-e-Khalq” (MEK), të vendosura në një kodër të butë në Shqipërinë rurale, janë zakonisht të mbyllura në mënyrë të vendosur. Ato ruhen nga dy luanë të skalitur në piedestal guri dhe nga një ekip i madh rojesh sigurie. Vizitorët e palajmëruar nuk janë të mirëpritur në vendin e izoluar, ku jetojnë më shumë se 2 mijë anëtarë të MEK.
Historia e MEK, ose të Muxhahedinëve të Popullit Iranian është e gjatë dhe e komplikuar. Kritikët, dhe shumë nga ata që janë larguar nga grupi në vite te fundit, e përshkruajnë si një organizatë hije me pak mbështetje jashtë Iranit dhe me atribute të shumta të një kulti, të dënuar për t’u shuar në një bazë të errët në Shqipëri për shkak të rregullave të detyruara të beqarisë.
Por për mbështetësit, ku përfshihen shumë politikanë dhe veçanërisht anëtarë të rrethit të ngushtë të Donald Trump, MEK janë luftëtarë të palodhur për një Iran të lirë dhe demokratik, që potencialisht mund të bëhen qeveria e ardhshme e vendit.
Kjo u theksua gjatë fundjavës kur grupi organizoi një takim me mbështetës ndërkombëtarë, ku morën pjesë ndër të tjerë edhe avokati personal i Trump, Rudy Giuliani. Vizitorë të tjerë përfshijnë ish-senatorin demokrat, Joe Lieberman dhe deputetin konservator britanik, Matthew Offord.
Giuliani e përshkroi MEK si një qeveri në mërgim dhe sugjeroi se ishte një qeveri në pritje pas ndryshimit të mundshëm të regjimit në Iran. “Kjo na jep siguri se nëse ne bëjmë përpjekje për të përmbysur këtë regjim të tmerrshëm, sa më shpejt të jetë e mundur, jo vetëm do të shpëtojmë jetë njerëzish, por do jemi në gjendje t’ia besojmë tranzicionin e Iranit një grupi shumë të përgjegjshëm njerëzish,” tha ai mes brohorimash nga audienca.
Giuliani ka qenë vizitor i rregullt i aktiviteteve të MEK prej vitesh, siç ka bërë edhe këshilltari i sigurisë kombëtare në SHBA, John Bolton. Ndërsa ata kanë parashikuar një qeveri të MEK në Teheran prej vitesh, fakti që këta zyrtarë tashmë kanë pozita në administratën e Trump, e kombinuar me situatën gjithmonë e më të trazuar gjeopolitike rreth Iranit, e bën mbështetjen e tyre për çështjen MEK më të rëndësishme se kurrë.
Fillimisht një grup islamiko-marksist, që luajti rol kryesor në revolucionin iranian të vitit 1979, MEK përfundoi në mërgim dhe luftoi kundër regjimit iranian nga një bazë e Sadam Hysein në Irak. Në këtë proces, MEK humbi shumë mbështetje brenda Iranit.
Grupi u hoq nga lista e terrorit e SHBA vetëm në vitin 2012 dhe administrata e Obamës më vonoi ndihmoi në negocimin e zhvendosjes së tyre në Shqipëri, pasi situata post-Sadam në Irak u bë e rrezikshme. Atje, në fshat, është ndërtuar një kompleks i madh, ku burrat dhe gratë udhëheqin ekzistenca të ndara.
Muajin e shkuar, Guardian foli me një duzinë burrash në Tiranë, që ishin arratisur nga kompleksi i MEK gjatë dy viteve të fundit. Pa pasaportë dhe pa dokumente të tjera, ata mbeten në harresë, të paaftë për të punuar apo për t’u larguar nga vendi. Portretizimi që i bëjnë jetës brenda kompleksit i ngjan një atmosfere të ngjashme me kultin, ku ndalohen celularët dhe kontaktet me të afërmit, ndërsa të gjithë ndërveprimet mes burrave dhe grave janë të ndaluara. Ditët i kalojnë duke u ulur në kompjuter ku postojnë mesazhe online në mbështetje të MEK.
Çdo mbrëmje, burrat mblidhen në grupe të vogla me komandantët e tyre për ‘trajnim ideologjik’ si dhe për një rrëfim për çdo mendim seksual që kishin gjatë ditës.
“Për shembull duhej të thoshim: pashë një vajzë në televizor dhe pata një ereksion, apo: këtë mëngjes masturbova”, thotë Hassan Heyrani, një prej dezertorëve. Ai thotë se nuk ka ndëshkime specifike për këtë rrëfim, përveç sikletit dhe qortimeve. “Nëse e pranon shumë shpesh këtë gjë, ata zemërohen dhe të thonë: Si pretendon të krijosh lirinë për popullin iranian nëse ke ereksion çdo ditë?”.
Një hetim nga Intercept së fundmoi zbuloi se një aktivist iranian anti-regjim, i cili shkruante komente të gjera mediatike për Iranin, në fakt ishte një person i shpikur nga trollët e MEK.
Kur figurat kryesore politike vijnë për vizitë, drejtuesit e rangut të lartë të MEK u thonë se duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar që miqtë e nivelit të lartë të ndjehen të vlerësuar. Heyrani kujton një vizitë të John McCain në vitin 2017, kur u përshëndet nga një turmë me anëtarë të MEK, që këndonin. “Duhej të këndonim dhe duartrokisnim. Një prej komandantëve na tha: Ju flisni anglisht, ju lutem i thoni atij se ai është më i miri i demokracisë”.
Për lidershipin e MEK, zgjedhja e Trump në vitin 2016 ishte një mesazh nga Zoti. Ata që janë larguar nga kampi kujtojnë se në prag të zgjedhjeve ata luteshin shpesh për fitoren e Trump dhe humbjen e Hillary Clinton.
Një prej atyre që është larguar nga kompleksi në vitin 2018, tha: “Çdo gjë ndryshoi kur Obama u largua dhe Trump erdhi në pushtet. Udhëheqësit vinin nga Franca për të biseduar me ne. Ata na thonin se duhet të prisni disa muaj dhe të duroni kushtet këtu pasi së shpejti do jemi në pushtet”.
MEK nuk iu përgjigj disa kërkesave për koment, të dërguar tek zëdhënësi me bazë në Paris, as një kërkese të lënë tek rojet e sigurisë jashtë kompleksit në Shqipëri.