‘Nëse di diçka dhe e fsheh, është mëkat i parikuperueshëm’. Këto janë fjalët që i ka thënë prifti i fshatit, Rrok Pepajt, babait të Danjiel Pepajt i cili akuzohet për vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe – bëjnë të ditur burime për Mapo.
Trupat e pajetë të Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt, u gjetën mesditën e sotme në një fshat me terren malor, pranë disa parcelave me kanabis në Malësi të Madhe.
Ishte babai i autorit të dyshuar të vrasjes, që çoi policinë në parcelat me kanabis ku mund të gjendeshin trupat e pajetë të dy të rinjve.
Klementi dhe Vilsoni prej 5 ditësh ishin të zhdukur, ndërsa sot, duket se prifti i fshatit çoi në gjetjen e trupave të tyre, duke zbardhur kështu një ngjarje të rëndë. Ishte ai që nxiti Rrok Pepaj të rrëfente për parcelat dhe gjithçka di mbi ngjarjen, pasi sipas priftit, nëse e fsheh atë që di, është mëkat i rëndë.
Përveç policisë, në operacionin e kërkimit të dy të rinjve, ishin prifti i fshatit, babai i Danjelit, Rrok Pepaj dhe persona të tjerë.
Trupat e viktimave janë gjetur në distancë 3 metër nga njëri-tjetri. Njëri prej tyre, Klementi, është gjetur në pozicionin që ka rënë nga goditja e plumbit, ndërsa Vilsoni, thonë burime për Mapo është gjetur pak më larg.
Dyshohet se ai është zvarritur nga momenti që ka rënë në tokë. Nëse trupat e të rinjve do ishin gjetur më shpejt, të paktën Vilsoni mund t’i kishte mbijetuar plagëve.
Burime për Mapo, bëjnë me dije se telefonin e Çutajt e kishte marrë Danjeli, pasi ka pasur dyshime se mbijeton dhe iu përgjigjet telefonatave apo do bënte ndonjë telefonatë.
Ngjarja e nisur në Bajzë, ka bërë që Klementi dhe Vilsoni ta detyrojnë Danjelin të betohet për 50 kg drogë që kishte humbur.
Për këtë e kanë dërguar në kishën e Bajzës ku edhe është betuar. Por nën dhunën e fortë edhe pas betimit, Danjeli ka pranuar se e ka vjedhur hashashin. Më pas, i ka drejtuar të rinjtë drejt parcelës së tij.
Aty ai kishte ndërtuar një çadër ku linte materialet e punës dhe flinte. Në fakt i ka futur në kurth dy të rinjtë, që kishin shkuar të merrnin plaçkën e tyre, duke nxjerrë kallashin nga çadra dhe ka qëlluar në drejtim të Klementit, që e ka kapur një plumb në ballë dhe Vilsonit me dy plumba në brinjë.
Danjeli, ndodhet në kërkim nga policia. Dyshohet se pas vrasjes, ai dogji parcelën me kanabis dhe u largua drejt Malit të Zi.
LEXO EDHE:
DETAJE/ Vrasja e të rinjve në Shkodër – Trupat u gjetën 250 metër larg parcelës me kanabis
Danjel Pepaj i qëlloi nga pas dhe dogji parcelën me kanabis – Dinamika e vrasjes në Malësi të Madhe
U vranë per hashashin, ja si u zbuluan dy viktimat në Malësi të Madhe
Tregoi parcelat ku u vranë të rinjtë – I ati i autorit sërish në Polici