Prej mesit të Marsit e deri sot, u bënë 75 ditë të kufizimit dhe cenimit të lirisë së njerëzve. Edi Rama shpalli se kjo është fundjava e fundit e ndalimit. Po këta dy muaj e gjysmë, edhe pse kanë ngrirë rutinën dhe shumë aktivitete të përditshme dhe kanë mbyllur bizneset, nuk e kanë shkurajuar qeverinë që të kryejë disa mëkate. Më të rëndat, shembja e Teatrit Kombëtar, dhe tenderat sekretë, që janë kontestuar si shumë abuzive. Gazeta MAPO sjell një analizë të plotë të këtyre zhvillimeve.
***
Qysh se u shpall pandemia, gjendja e jashtëzakonshme në vend, qeveria mori shumë masa, kryesisht ndalime, kufizime, penalizime. Dy muaj e gjysmë çdo gjë ngriu. I vetmi autoritet ishte, Edi Rama, që normoi jetën e çdokujt, kryesisht përmes rrjetit social Facebook.
Dy ditë më parë, edhe pse rastet me COVID-19 po njohin rritje të papritur, kryeministri vendosi të heqë vargonjtë dhe prangat mbi shqiptarët, dhe shpalli se kjo fundjavë është e fundit me liri të cenuar, dhe se paskëtaj, çdo gjë hapet si më parë.
Këto 75 ditë kanë qenë të vështira në jetën e çdokujt. Privime, izolime, qëndrime brenda. Sigurisht më e rëndë është gjendja e familjeve në nevojë, apo e bizneseve që nuk funksionuan asnjë ditë. Rihapja po tregon se sa e rëndë dhe sa përmasa dramatike ka kriza që ka kaluar vendi.
E megjithatë, kjo nuk e ka penguar qeverinë dhe rilindjen të zhytet në disa mëkate që do të mbahen mend gjatë. Pandemia nuk e ndali Edi Ramën dhe të tijtë, që të shembnin Teatrin Kombëtar, apo të zhyteshin në 15 tendera sekretë.
Këto dy çështje janë më të debatuarat sot në publik, dhe kanë marrë formën e kallëzimeve penale të dorëzuara pranë SPAK–ut.
Teatri Kombëtar
Edi Rama me siguri, nuk e kishte pritur se pas urdhrit të tij për shembjen e Teatrit Kombëtar, me rruspa e fadroma, në orën 4 e 30 të mëngjesit të 17 Majit, do të ngrihej një re kaq e madhe, sa do t’i ulte atij kuotat ndoshta në minimumin historik.
Ai me gjasë nuk e kishte pritur këtë reagim qytetar dhe ndërkombëtar. Teatri rezultoi se ishte një kauzë shumë herë më e madhe se ajo e Astirit. Mediat ndërkombëtare e kryqëzuan, ndërsa partnerët me të cilët mburrej dhe ecte para se kishte mbështetjen e tyre, shprehën keqardhje.
Fadroma e IKMT që goditi fasadën e Teatrit Kombëtar, ndezi suferinën e një dimri politik, që ai me të gjitha forcat po rreket ta fusë në hullitë e batutave që nuk bindin më njeri. Ka humbur të rinjtë por dhe një pjesë të mirë të ithtarëve të tij, sidomos të qytetarëve të Tiranës. Shumë pak kanë mbetur ata që me pahir e mbështesin e në këtë narrative, që ai vetë thotë se kish nisur që para 22 vjetësh.
Pakënaqësia është e madhe. Pamjet e egërsisë me të cilën fadroma e IKMT shembi ballinën e Teatrit Kombëtar, bënë të përloteshin shumë njerëz, përkrahës ose jo të mazhorancës aktuale. Në bisedat mes tyre rrallë dëgjon njeri që ua ka vënë veshin atyre që thotë Rama apo Veliaj në arsenalin linguistik me të cilin sulmojnë një godinë të ngritur që në vitin 1939. Vetë kryeministri ngjan se nuk e kish pritur këtë reagim qytetar.
Dhuna e policisë ndaj protestuesve që kundërshtonin fort aferën mbi të cilën ishte ngritur fabula e prishjes së teatrit, ofronte një pamje aspak të këndshme. Shfaqja në kohë reale e asaj çka po ndodhte, u solli në mendje shqiptarëve një kohë të errët, kur shteti i diktaturës, me sjellje banditi shembte objektet e kultit. Kurba e mbështetjes ndaj kryeministri mori një krisje të fortë.
Duke kuptuar se kish humbur shumë, Rama e urdhëron Veliajntë bëjë cedimin e parë, duke premtuar se e gjithë sipërfaqja do ishte në funksion të teatrit. Por ishte shumë vonë! Mediat ndërkombëtare, në sinkron po shfaqnin habinë dhe dyshimet se prishja e godinës historike dhe zëvendësimi me projektin futurist “alla Lady Gaga” të Bjarke Ingels kishte prapavijë korruptive, duke e vizatuar Ramën si një autokrat që po rrënon trashëgiminë kulturore në kohë pandemie.
Atë mëngjes të 17 majit atë s’mund ta ndihmonte më asgjë! As aftësia për t’u artikuluar, as veshja ekstravagante që gjithsesi i kish shërbyer jo pak në qeverisjen e tij si varkë shpëtimi. Mediat më të mëdha të Europës dhe zyrtarë të lartë të Bundestagut, shprehën habinë se si, pikërisht ky që ishte paraqitur si artisti-kryeministër dhe me këtë kostum pat korrur jo pak sukses, shembi Teatrin Kombëtar në mënyrë brutale dhe me dhunë të pahasur më parë. E quajtën krim, barbari, madje disa deputetë gjermanë vunë në dyshim edhe procesin e integrimit, pasi ky akt minoi shtetin e së drejtës dhe vlerat europiane.
Dje, aktivistët e mbrojtjes së Teatrit, kanë dorëzuar në Prokurori, edhe kallëzimin për, vrasje të mbetur në tentativë, ku fajësojnë Ramën, Lleshin dhe Veliajn, duke qenë se gjatë shembjes, u vu në rrezik jeta e disa njerëzve që ishin ende në godinë.
Kova e asaj fadrome, që u ngul në fasadën e asaj ndërtese rrëzoi perden në sytë e atyre që besuan tek ai në vitin 2013 dhe më pas. Pjesën e shëndoshë të opinionit publik e ka humbur prej kohësh, bashkë me të dhe një pjesë të rinisë, ku ai mbështetej fort, por tashmë ka humbur dhe ithtarët politik. Ish-politikani “trendy” u shndërrua në një nga autokratët më të mëdhenj të epokës postkomuniste.
Tenderat sekretë
A jemi përpara një megaskandali me tenderat sekretë, përgjatë kohës së pandemisë? Kësaj pyetjeje mund t’i japë përgjigje vetëm SPAK, që duhet të hetojë 15 procedura të bërë në këto 75 ditë të vështira, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. SPAK deri më tani ka filluar hetimin për Ministrinë e Mbrojtjes, në lidhje me një tender që ka të bëjë me blerjen e ushqimeve, dhe ka marrë në pyetje rreth 6 zyrtarë të kësaj ministrie. Hetimi mund të shkojë deri në kupolën e institucionit në rast të konstatimit të shkeljeve. Janë rreth 1.5 milion euro, blerje nga kjo ministri, që i është dhënë një kompanie maqedonase që operon në fushën e IT, dhe s’ka lidhje me tregun ushqimor.
Por interesimit tonë në lidhje me tenderat në Ministrinë e Shëndetësisë përgjatë kohës kur shqiptarët ishin të izoluar si shkak i pandemisë COVID-19, burime pranë institucionit të hetimit iu përgjigjën “SPAK ka marrë në shqyrtim dosjet, duke përfshirë edhe tenderat që janë bërë te Ministria e Shëndetësisë, dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar për nisjen e hetimeve”.
Debati u bë edhe më i zjarrtë, kur PD denoncoi se pikërisht në katin e katërt të Ministrisë, aty ku është zyra e prokurimeve, kishte rënë një zjarr i qëllimshëm, me synim zhdukjen e provave. Fillimisht, Manastirliu e mohoi duke ironizuar. Më pas, kur PD publikoi një provë zyrtare, e pranoi, por duke thënë se ai tym, nuk kishte lidhje me çështjen.
Vendimi u hapi rrugë tenderave sekretë
Në fund të shkurtit lajmet që vinin nga Italia, nuk ishin aspak të mira. COVID-19 kishte mbërritur në vendin fqinj, dhe frika e ankthi po mbërthente dhe shqiptarët. Frika e epidemisë ishte te dera, dhe fluksi i udhëtarëve që vinin nga Italia s’kishte të sosur, megjithëse Shqipëria raportonte zero raste pacientësh të prekur nga coronavirusi. Kur të gjithë po prisnin se çfarë masash do merrte qeveria në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë qeveria miraton një vendim, që uhapte rrugë blerjeve në kushtet e emergjencave.
Më saktë VKM kishte të bënte me procedurat “Për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”. Ishte pikërisht kjo VKM tek e cila u mbështetën të gjithë tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Mes të tjerave VKM saktësonte se “Në rastet kur autoriteti kontraktor do të realizojë një kontratë, e cila shoqërohet me elemente që kërkojnë masa sigurie të veçanta, për hartimin e dokumentacionit, administrimin, publikimin e tij do të aplikohen rregullat e parashikuar në legjislacionin për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale”.
Por a do hetohen titullarët e institucioneve? Kjo përgjigje i mbetet SPAK, por zinxhiri shkon deri lart. Juristi Ledio Braho,për gazetën MAPO jep këtë përgjigje: “Titullari i institucionit është përgjegjës për ngritjen e komisionit të ofertave dhe urdhrin për zhvillimin e tenderave apo azhurnimin e fondeve. Në bazë të ligjit SPAK i drejtohet parlamentit vetëm kur bëhet fjalë për masën e arrestit, pasi deputetët dhe zyrtarët e lartë janë zhveshur nga imuniteti”.
Tenderat sekretë
Loti 2- Blerje kite dhe materiale konsumi për biologjinë molekulare për ISHP.
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19:
Loti 8 – Blerja barna Omeprazol 40 mg/vial flakon
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19
– Loti 5 – Blerje barna Oseltamivir (Tamiflu) 75 mg/tabletë
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19:
Loti 9 – Blerje barna Propofol 10 mg/ml – 50 ml Flakon
Loti 10 Blerje barna Beclomethasone + Salbutamol 80 mcg+1600 mcg flakon
Loti 3 Blerje materiale konsumi laboratorike për ISHP.
Loti 3 – Blerje barna Ribavirin 200 mg tabletë/kapsulë
Loti 1 Furnizim me produkte për pacientët me COVID-19 dhe personelin mjekësor
Loti 1 – Blerje kite për laboratorin mikrobiologjik për diagnozën serologjike
Loti 2 – Spostimi i sistemit të dializës nga pediatria e specialiteteve tek godina e spitalit infektiv
Furnizim vendosje respiratorë me dy modalitete për adultë dhe moshë pediatrike për COVID-19.
Blerje kite dhe reagentë, evadim mbetje anti COVID-19 ndarë në dy lote:
Loti 1 me objekt “Blerje kite për laboratorin mikrobiologjik
Loti 2 “Trajtim dhe asgjësim të mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19 për QSUT”.
Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për covid-19.
Aranita Brahaj: Shkelje ligji, mungesë transparence
Në një intervistë për MAPO, Drejtoresha Ekzekutive e Open Data Albania, shprehet se tenderat e zhvilluar për blerjen e pajisjeve për përballimin e pandemisë, janë në kushtet e mungesës së transparencës dhe shkeljes së ligjit e kushtetutës. Sipas saj, Ligji për Prokurimet publike, e saktëson mjaft qartë se si procedohet me blerjen në kushtet e fatkeqësisë natyrore dhe ishte krejt pa vend miratimi i një VKM-je qeveritare e cila anashkalon Agjencinë e Prokurimit Publik.
Nga ana tjetër, Brahaj shprehet skeptike dhe në lidhje me atë çfarë pritet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo thotë se në rastin e tenderave vendimmarrja është kolegjiale dhe jo individuale, dhe si e tillë e vështirëson punën e prokurorisë. Ekziston mundësia që çështja të mbyllet. Për më shumë që edhe SPAK nuk ka dhënë informacione të qarta se cilat kontrata po heton.
-Çfarë janë tenderat sekretë? Nga përvoja juaj e gjatë, a keni ndeshur procedura të ngjashme me këto të Ministrisë së Shëndetësisë?
Atëherë në lidhje me pyetjen, janë Kontrata Sekrete. Parashikohen nga Neni 6 i Ligjit për Prokurimet Publike. Me VKM 203 të muajit shkurt, 2020, Qeveria Rama vendos të rregullojë procedura të kontratave për interesa thelbësorë të shtetit dhe më 22 mars me një VKM tjetër, 243, vendos që blerjet shëndetësore për Covid 19 të jenë “Kontrata për Interesa Thelbësorë të Shtetit” në kontekstin e Nenit 6, Kontrata Sekrete.
-A mendoni se abuzimi me tenderat sekretë është më i madh se me tenderat e zakonshëm?
Problemi me kontratat sekrete në emergjencë të COVID-19, qëndron te fakti se në situatën në fjalë, qeveria duhet të bënte të kundërtën e asaj që ka bërë. Në situatën e COVID-19 prokurimet shëndetësore u karakterizuan nga, 1-nevoja emergjente dhe 2-mundësi të limituara për të siguruar mallra. Kjo mundësi e limituar erdhi si pasojë e faktit që të gjithë filluan të blejnë, u rrit nevoja për një grup dhe sasi të caktuar mallrash, disa vende ndaluan eksportet dhe regjimet doganore u vështirësuan. Në këtë kontekst, qeveria duhet të krijonte mundësi për njoftime më të hapura dhe gjurmime më inteligjente edhe jashtë vendit për të garantuar furnizim (kryesorja) dhe për të garantuar edhe vlerë ekonomike më të mirë por në proporcion edhe me vështirësitë e krijuara. Qeveria jonë bëri të kundërtën. Thirri operatorin e mëparshëm dhe vijoi përpjekjet për blerje. Kjo sjell mungesë transparence, mungesë konkurrueshmërie, pamundësi të operatorëve të duhur për pjesëmarrje, dhe mbi të gjitha, dyshoj që qeveria të ketë siguruar në kohën e duhur, aq mallra sa po kërkonte dhe me vlerë ekonomike reale. Aplikimi i kontraktimit sekret, bëri që qeveria të humbasë edhe besimin publik që po punon për të garantuar më të mirën në një rast rreziku. Procedura të tilla të mbyllura dhe të klasifikuara mund të përdoren në blerje ushtarake apo blerje të institucioneve të sigurisë kombëtare. Blerjet mjekësore për COVID-19, nuk kanë pse aplikohen si blerje “Për interesa thelbësorë të shtetit” në kontekstin e klasifikimit të informacionit. Legjislacioni ynë për Prokurimet Publike i njeh shumë mirë situatat e emergjencave dhe i ka të rregulluara me ligj (pra jo me VKM që janë vendimmarrje thellësisht politike) procedurat e shpejta dhe të menjëhershme në këto kushte. Qeveria, në këtë mënyrë, ka anashkaluar Ligjin dhe institucionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ne kemi një listë me 15 tituj kontratash blerje për situatën COVID-19, që nuk dimë as sasinë e mallit, përshkrimin dhe karakteristikat, mënyrën dhe afatet e furnizimit apo vlerën e blerjes. De-juro dhe de-facto këto kontrata qëndrojnë sekret.
-A besoni se do të ketë hetim, zbardhje dhe përgjegjësi të autorëve në këtë rast?
Sa i takon hetimit, ajo që ka bërë qeveria është se ka vendosur vetë procedurën dhe ka miratuar po vetë kontratat. Këtu, hetimi penal bëhet më i vështirë pasi kemi vendimmarrje politike. Duke qenë që vendimmarrja politike është kolegjiale dhe jo individuale, Prokuroria e ka shumë të vështirë të bëjë hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë penale. Parë në këtë këndvështrim, na duhet të themi se ky hetim i kontratave sekrete është një sfidë dhe moment prove për SPAK. Mund të bëhet hetim dhe të mbyllet, duke legjitimuar veprimet e qeverisë. Për momentin, nuk kemi asgjë të qartë, cilën kontratë po heton SPAK. Personalisht nuk pres shumë nga kjo strukturë, pasi janë të njëjtët prokurorë që kanë vegjetuar më parë nëpër prokurori të ndryshme dhe jemi në një situatë politike që ka instrumentalizuar shumë sektorë, mes tyre edhe të promovuarit e rinj në drejtësi.