fbpx

Mapo Letrare

Melodia e veçantë e këtij libri





               Publikuar në : 15:58 - 02/11/19 |
Nga Mark Simoni

Nga Mark Simoni


“A ju ka rastisur ta dëgjoni melodinë që lëshojnë trungjet e pemëve, kur nëpër pyll kalon vjeshta? Dijeni! Ajo është kënga e brendshme e pyllit, aty janë fjalët e korijeve, janë fyejt e degëve që këndojnë”. Kështu shkruante para dymijë vitesh një mistik i madh.



A iu ka rastisur që të kaloni nëpër pyllin e dendur të fjalëve dhe të dëgjoni muzikë, harmoni ngjyrash, raporte të mrekullueshme të kadencave, frymëzime që lëshojnë tinguj të çuditshëm? Të jeni të sigurtë se po lexoni një libër të bukur me poezi. Dhe kjo nuk na ndodh aq shpesh.


Unë po lexoj në dorëshkrim librin “Dashuria nuk është truall po qiell”, të autores Irena Ngucaj Scire’.

Pjesa më e madhe e poezive është mbajtur në regjistrin e një marrdhënie mes unit poetik dhe dikujt tjetër, një komunikim ndjesish të ëmbla, gjendjesh të lehta, dhimbjesh dhe malli si bekime, pritjesh dhe ankthi, dashurish dhe çastesh vetmitare. Pra në një farë mënyre, qosh e më qosh të librit, rri një urë e stiluar bukur, gjithë estetikë, një urë marrdhëniesh delikate, që i jep përmasë letërsisë së autores Irena Ngucaj Scire’.

Kjo poete sa ç’është elegante dhe fragjile në poezitë e ndjesive, është po aq konsistente në tekstet e tjera. Konceptualiste, ekstravagante dhe spontane, përceptive dhe filozofike, e përshkuar nga ide, madje edhe nga një tis i kulturës së leximeve.

Në poezitë e këtij libri fjalët janë polivalente, kanë energji estetike, të japin sharmin e së bukures, të dalldisin me dritën e talentit të autores, të rrëmushin me pasione të lehta erotike.

Po, po. Erosi në këtë libër është pothuaj kudo, i lehtë si lëbyerja e një cipe drite hëne, që bie butë në tërë gjeografinë e relivit të librit.

Autorja shkruan me shumë elegancë për erosin, me një përkujdesje tamam prej artisteje, stilon dhe rafinon një eros gjysëm të fshehtë, e rrezëllit me ca tundim, e frymon me kandjen. Duke kaluar nëpër këto tekste të mrekullueshme mu kujtua Friedrich Nietzsche që thotë se “te erotika e vërtetë është shpirti që përqafon trupin”.

Nëpër këto poezi ka muzikë, nota, tinguj, që shkojnë kaq në harmoni me njëra-tjetren, tamam ashtu si lakoret e trupave të përqafuar. Përsëri Nitszche shkruan: “Në sajë të muzikës, pasionet kënaqen me vetveten.”

Libri “Dashuria nuk është truall po qiell” është një tekst dinjitoz, që e përfaqëson poeten më së miri, që i jep përmasen reale letërsisë së saj, frymëzimeve që ka, estetikës që punon me aq kujdes,

Autorja i ka në profilin e saj karakterial të krijueses, tendencat për të hyrë në rrisk stilesh, për të eksperimentuar, e vetëdijshme për atë që po shkruan, duke administruar me shumë kujdes, figurat dhe ndjenjat, fjalët dhe nënkuptimet, idetë dhe misionet, energjitë dhe pasionet. Irena duket se ka shkuar në tërë këto domene dhe abitate për t’i mësuar, për t’i ditur, për t’i bërë pjesë të karakterit të saj letrar dhe agregatit të saj krijues. E përshkuar nga frymëzimet dhe idetë e bukura, ajo ka rendur pas kureshtjes se si arrihet një letërsi e bukur? “Kureshtja është një nga format e zotësisë femërore”, -thotë Hygoi. Dhe Irena Ngucaj Scire’ ia ka dalë në misionin e saj, duke na sjellë ne, një libër sa të këndshëm, aq të veçantë dhe interesant. Tashmë kemi në dorë një regjistër tjetër të shkruari. Bravo.

(Kjo eshte parathenia ime e librit, botuar nga Shtepia Botuese MUZGU, qe doli dje nga shtypi)

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas