Neymar duhet të mbetet jashtë hijes së Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, pretendon Pini Zahavi, duke hedhur dyshime për një kalim të propozuar të sulmuesit brazilian te Real Madridi.
I ashtuquajturi “super agjent” ndihmoi për të ndërmjetësuar një transferim rekord prej 222 milionë euro të Neymar nga Barcelona te PSG, verën e vitit të kaluar.
Zahavi raportohet se ka mbajtur lidhje të ngushta me Neymar, teksa “UOL Esporte” pretendon se agjenti nga Izraeli ishte pjesë e një delegacioni të PSG-së, që udhëtoi në Amerikën e Jugut në mars, për të kontrolluar shërimin e 26-vjeçarit nga operacioni i këmbës.
Ai tani është tërhequr në debat, lidhur me një lëvizje të madhe të parave për një superstar global, ku Real Madridi vazhdon të lidhet me blerjen e një tjetër “galactico”. Zahavi, megjithatë, sugjeroi se Neymar duhet të mbajë “pavarësinë” e tij, në mënyrë që të lulëzojë. Një lëvizje te Real Madridi do të krijonte të njëjtat probleme për Neymar, që përfundimisht e detyruan largimin e tij nga “Camp Nou”.
Ai i tha “Przeglad Sportowy”: “Neymar bëri atë që duhej. Ka vetëm tre superstarë të futbollit sot; Messi, Ronaldo dhe Neymar. Ata nuk mund të luajnë në një klub. E Barça, Neymar ishte gjithmonë nr.2. Ai ishte i dyti për të goditur gjuajtjet e lira, i dyti për goditjet e dënimit, i dyti për gjithçka. Neymar erdhi në Spanjë si djalë i ri, ndërsa tani është 26 vjeç dhe ka tetë, ose nëntë vite për të luajtur në nivelin më të lartë”.
Zahavi shtoi diçka për ndikimin që një superstar global si Neymar ka pasur në Francë: “PSG ka plane të mëdha. Para se të kalonte Neymar te PSG, vetëm francezët e shihnin Ligue 1. Neymar e ndryshoi këtë gjë”.