Ministri i Brendshëm Fatimr Xhafaj së bashku me së bashku me homologet e Ballkanit Perëndimor, ka qenë i pranishëm në takimin e zhvilluar në Komisionin Evropian. Në fokus të këtij takimi kanë qenë siguria, menaxhimi i kufirit dhe migracioni në vendet e Ballkanit.
Me ftesë të Komisionerit për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, u diskutuan çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin e kufirit dhe migracionin.
Në takim u theksua bashkëpunimi që vendet e rajonit duhen të kenë me njëra tjetrën dhe menaxhimi i kufijve dhe luftën kundër kontrabandimit të personave për të frenuar flukset e imigrantëve të parregullt.
Xhafaj u shpreh në takim se të gjitha vendet e rajonit duhen të japin kontributin e tyre për të patur rezultate të përbashkët pozitive. Që gabimi i një vendi të caktuar mos bëhet pengesë për një vend tjetër.
“Ne i njohim përgjegjësitë tona edhe në këtë rast, ashtu sikundër kemi vepruar dhe jemi angazhuar me shumë përgjegjësi në sfida të mëdha, si ato për çështjet e azil kërkimit, luftës ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar e në një sërë fushash të tjera me interes të përbashkët me vendet anëtare të BE-së”,- u shpreh Xhafaj.
Ky takimi u zhvillua edhe në kontekstin e përgatitjes së Ministerialit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Tiranë më 4 dhe 5 tetor, me pjesëmarrjen e Ministrave të Brendshëm, mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.