Op Ed

Mendësia evropiane e Mid’hat Frashërit






               Publikuar në : 11:40 - 04/10/19 |
Nga Besnik Mustafaj

Nga Besnik Mustafaj*


Ne jemi mbledhur për ta kujtuar Mid’hat Frashërin në 70 vjetorin e vdekjes nëpërmjet promovimit të vëllimi IV të veprave të tij të zgjedhura. Pra, nuk më duket rasti më i përshtatshëm për analiza të gjata e të thelluara mbi veprën. Por më duket rasti më i përshtatshëm për të shprehur nderimin tim të veçantë për këtë vepër dhe për t’ju ftuar ju të gjithë që jeni në këtë sallë dhe nëpërmjet jush edhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë për ta lexuar. Ju siguroj se do të kënaqeni. Në këtë vëllim është përmbledhur, do të thosha, pjesa më universale e veprës letrare të Lumo Skëndos. Janë udhëpërshkrime, një term ky që shfaqet tek Albania e Faik Konicës për herë të parë, në mos gaboj, por që kuptimin e vërtetë për të përcaktuar një gjini letrare në suazën e letërsisë shqipe e merr vetëm nëpërmjet veprës së Lumo Skëndos. Lumo Skëndo jo vetëm e ka themeluar këtë gjini shkrimi brenda letërsisë shqipe. Duke parë tekstet e përmbledhura në këtë vëllim, ai mbetet deri më sot autori shqiptar që e ka lëvruar atë më gjerësisht dhe me një pjekuri e cilësi, që do t’i bënte nder çdo letërsie të madhe në Europë. Në fakt, këto tekste janë pasqyrë e kulturës dhe mendësisë thellësisht europiane të autorit. Si të tilla ato kanë një nënshtrat të fortë politik. Kjo duket qartë jo vetëm kur përshkruan Zvicrën apo Parisin, por edhe kur përshkruan për shembull Bukureshtin. Ai gjen aty rast të hedhë një dritë të shpejtë, por incizive, mbi skenën politike rumune gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nënvizon posaçërisht partinë konservatore vetëm pse ajo është proruse, duke theksuar aq sa mund të theksohet në një udhëpërshkrim, rrezikshmërinë e një rreshtimi prorus të Rumanisë në radhë të parë për vetë Rumaninë, por edhe më gjerë, për Ballkanin dhe Europën. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë, ku autori e tregon pa ngurrim anësinë e tij. Qasja e Lumo Skëndos ndaj lëndës që do të bëhet në vazhdim letërsi meriton vëmendje të veçantë. Me ndonjë përjashtim të rrallë, tekstet e përfshira në këtë vëllim janë shkruar gjatë njëzet vjetëve, midis 1906-1926. Dekada që i paraprin Luftës së Parë Botërore, e njohur në historinë e qytetërimit evropian si “La belle epoque”, përmendet, veç të tjerash, edhe për një lulëzim të letërsisë së udhëtimeve. Shkrimtarë nga më të shquarit e kohës, antropologë, aventurierë, vërshuan drejt Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, prej nga ktheheshin me dorëshkime, në të cilat shprehin kryesisht habinë dhe adhurimin e tyre për ekzotikën e asaj bote. Dekada që pason mbarimin e kësaj Lufte i çon shkrimtarët drejt horizontesh krejt të tjera. Eshtë periudha kur lind ekspresionizmi, dadaizmi, surrealizmi dhe plot shkolla më pak të rëndësishme për evolucionin e procedimit letrar. Jashtë këtyre përvojave nuk mbeti as letërsia e udhëpërshkrimeve. Qoftë para Luftës e qoftë pas Luftës Lumo Skëndo kishte në vetvete brumin për t’u bërë pjesë e këtyre eksperimenteve. Unë jam i sigurt se ai i ka njohur këto orvatje të njerëzve europianë të letrave. Për një njeri të përkushtuar ndaj artit të fjalës e që e do suksesin në të gjallë, duhej forcë e madhe për t’i bënte ballë një joshjeje të tillë.



Lumo Skëndo e donte pa dyshim suksesin. Aq më tepër që ai shkruante edhe në frëngjisht po aq lirshëm sa edhe në shqip. Dallimi i tij nga europianët e tjerë të penës qëndron pikërisht te kuptimi në thelb i ndryshëm që ai ka për suksesin individual. Edhe pse përshkruan Muzeun e Luvrit, Bibliotekën Kombëtare të Francës apo universitetet e Zyrihut, ai mban vazhdimisht parasysh se po i drejtohet një lexuesi me përparësi shqiptar. Qëllimi i tij i parë dhe i vetëm si autor nuk është të fitojë admirimin e këtij lexuesi, por të ndikojë mbi mendësinë e tij. Rrjedhimisht, suksesi do të matet me sa i madh do të jetë ky ndikim. Një qëllim i tillë i lartë, ndriçues, pa asgjë të përbashkët me egon e një autori të madh, siç është Lumo Skëndo, e shtyn atë të ecë nëpër rrugën e çelur nga iluministët francezë të shekullit XVIII, rrugë kjo, nëpër të cilën nuk ecin më prej shumë dekadash njerëzit europianë të penës. Ai nuk e fsheh afrinë me Volterin, Rusoin, Monteskjenë e të tjerë. Madje, në një vend në “Letra mbi një udhëtim në Zvicër”, ai vë në dukje se me veprat e tyre, një pjesë e mirë e të cilave janë shkruar si tekste epistolare, por ku edhe udhëpërshkrimet zënë një vend të rëndësishëm, pra, me veprat e tyre, ata përgatitën kushtet për revolucionin francez. Në këtë qasje a la Voltaire të lëndës, unë do të theksoja të paktën dy veçori të udhëpërshkrimeve të Lumo Skëndos. Së pari është përfshirja në tekst e një informacioni shumë të gjerë enciklopedik. Ky informacion ka rol substancial në shtjellimin e mendimit të autorit. Kështu, ai nuk hedh më në letër një impresion nisur nga çfarë ka parë, por mirëfilli një refleksion. Dhe ky informacion, pavarësisht nëse vjen nga historia, nga politika, nga sociologjia, nga ekonomia, nga mjekësia, apo nga arkitektura, është i zgjedhur gjithmonë me tendencë për t’i dhënë mundësi autorit të tërheqë vëmendjen mbi problematikat, që ka Shqipëria, por edhe mbi mundësitë e ngjashme që ka Shqipëria për të ecur në të njëjtën rrugë si Zvicra, për shembull, në zgjidhjen e këtyre problematikave. Po sjell një shembull të vogël: “Jemi buzë Liqenit Léman. Shembëlle liqenin e Ohrit, po pakëz më i madh. Volteri thotë se Liqeni i Lémanit është më i bukuri i dheut. Por edhe një udhëtar anglez, që ka parë shumë vende, thotë se ai nuk ka parë kurrë një liqen të bukur si ai i Ohrit, pra, s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kish qenë në Ohër a në Starovë”. Në vazhdim, Lumo Skëndo e shpjegon ku qëndron megjithatë ndryshimi shumë i madh midis këtyre dy liqeneve. Léman është i rrethuar nga fshatra dhe qytete të puqura njëri me tjetrin, ku ka katedrale gotike, hotele për turistë, universitete, muze të pikturës, fabrika çokollatash, punishte orësh, rezidenca për të sëmurët me tuberkuloz, ferma lopësh e kështu me radhë, një pasuri e lulëzuar. Ndërsa Ohri “është akoma shkretëtirë”.

Veçoria e dytë e këtyre teksteve e që i bën ato të shkollës së enciklopedistëve të Iluminizmit francez, është nevoja që ndjen autori për të mbajtur një qëndrim moral. Ai i ndërton përshkrimet e tij në një mënyrë të tillë, që ato të funksionojnë përmes kontrastit. Shqiptarët duhet të shohin çfarë është e mundshme edhe për ta, me kusht që ta duan punën e t’i përkushtohen asaj. Të gjitha burimet natyrore i kanë. Lumo Skëndo është i pamëshirshëm në kritikën që i bën dembelizmit të shqiptarit, duke e paraqitur këtë, veç të tjerash edhe si një ves poshtërues. Këtë kontrast ai e ngre jo vetëm midis Zvicrës apo Parisit dhe realitetit “shkretëtor” shqiptar, por edhe midis këtyre vendeve të begata e të lulëzuara dhe Stambollit apo Bukureshtit. Në Stamboll ai kthehet në vitin 1910, pas pesë vjetësh dhe kërkon të shohë çfarë ka ndryshuar për mirë. Asgjë. Përkundrazi, shumë gjëra janë përkeqësuar. Pse? Letrën e dytë nga Stambolli ai e mbyll: “Po të pyesësh kush punon? Kush krijon, kush shpik e gatit fuqinë dhe përparimin, ata mos i kërko, se Stambolli nuk ngre të tillë”. Të njëjtat arsye sheh ai edhe në zanafillë të prapambetjes në Rumani.

Për ta nbyllur, e ndjej si detyrim t’i shpreh mirënjohjen time të sinqertë Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” për këtë botim dhe posaçërisht Dr Uran Butkës për punën e jashtëzakonshme në qëmtimin e këtyre teksteve në shtypin e kohës apo në arkiva. Duke treguar si janë ngritur universitetet e Zvicrës apo edhe Muzeu i Luvrit, gjen rast të lëvdojë mecenatin si një ndihmesë e paçmueshme që njerëzit e pasur të këtyre vendeve kishin dhënë për kombet e tyre. Ai ndjen një pickim në zemër duke kujtuar se pasanikët e Shqipërisë nuk e kishin një vetëdije të tillë. Gjërat nuk kanë ndryshuar edhe pas një shekulli. Një nga përjashtimet shumë të rralla është Agron Shehaj, të cilin e falenderoj, pasi në saj të bujarisë se tij ka marrë jetë Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” bashkë me botimin e veprave të zgjedhura të Mid’hat Frashërit.

* Fjala e mbajtur në përkujtimin e 70 vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit, ku u promovua vëllimi i IV i veprave të tij të zgjedhura


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas