Propozimi u bë dhe sot në Vatikan një ftesë i’u dha Papa Franceskos. Ftesa ishte nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i cili në kuaqdër të përafrimit të shtetit të tij me Perëndimin, bëri propozimin e papritur.
Ftesa i’u dorëzua Papës nga presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, që është katolik, gjatë një audience private në Vatikan. Papa Françesku po e merr seriozisht në konsideratë vizitën e paprecedentë në Korenë e Veriut, por më parë duhet të plotësohen disa kushte.
Zyra e presidentit koreano-jugor tha se, Moon kishte shprehur dëshirën e Kim Jong-unit për një vizitë të Atit të Shenjtë në Korenë e Veriut, me një ftesë formale drejtpërdrejt nga Peniani që do të pasojë.
“Papa ka shprehur dëshirën e tij. Presim që ftesa të formalizohet”,- tha Sekretari i Shtetit në Vatikan, Kardinali Pietro Parolin, duke folur për gazetarët.
Koreja e Veriut është një nga vendet më të kritikuara në botë për persekutimin e të krishterëve, mijëra prej të cilëve syrgjynosen në kampet e punës.
Ftesa e Kim Jong-unit pason ndërkohë një kërkesë këtë javë nga dy peshkopë kinezë, që Papa Françesku të vizitojë Kinën, pas një marrëveshjeje mes Pekinit dhe Vatikanit muajin e shkuar për emërimin e peshkopëve në shtetin komunist.
Sidoqoftë, Papa ka publikuar deri më tani qëllimin e tij për të vizituar Japoninë, vitin e ardhshëm, një udhëtim ky që mund të zgjerohet për të përfshirë ndoshta edhe vizita simbolike në Kinë dhe në Korenë e Veriut.