fbpx

Bota

Merkel: Çfarë i duhet Evropës për të mbijetuar





               Publikuar në : 10:23 - 17/05/19 |
mapo.al

Populizmi, ndërhyrja e rusëve në zgjedhje, fuqia ekonomike kineze: lista e sfidave me të cilat ballafaqohet BE është e gjatë, thotë kancelarja gjermane. Në një intervistë të gjerë, ajo përcakton se çfarë duhet të bëjë Evropa për të mbijetuar.


Bashkimi Evropian urgjentisht dhe “pa dyshim, duhet të ripozicionohet në një botë që po ndryshon”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në një intervistë me të përditshmen Süddeutsche Zeitung.



“Arritja e paqes afatgjatë nga ana jonë është në rrezik … nëse nuk arrijmë të përcaktojmë dhe justifikojmë Evropën për të ardhmen”, tha Merkel. “Kina, Rusia dhe SHBA po na detyrojnë, në mënyrë të vazhdueshme, që të gjejmë qëndrime të përbashkëta”.


Thirrja e saj plot pasion për Evropën vjen përpara zgjedhjeve parlamentare të BE, të cilat do të zhvillohen përgjatë të gjithë bllokut, nga 23 deri më 26 maj.

E pyetur për rritjen e populizmit në Evropë, ajo tha se “është me të vërtetë një kohë kur duhet të luftojmë për parimet dhe vlerat tona themelore”. Ajo tha se ishte në dorën e “secilit prej nesh që të trajtojmë me kujdes këtë strukturë unike, që ne e quajmë BE”.

Kompromisi dhe të qenit në gjendje “të vihemi në vendin e tjetrit”, janë shumë të rëndësishme, tha Merkel.

Ja çfarë tha tjetër Merkel:

Mbi bashkëpunimin franko-gjerman: “Kemi grindje, dhe ne jemi karaktere të ndryshme. Disa herë kemi ide të ndryshme për rolet tona, gjithnjë ka qenë kështu.” Por ajo theksoi se Franca dhe Gjermania janë ende në gjendje të bëjnë kompromis. “Kështu i arrijmë gjërat për Evropën”.

Shpesh she parë si hallka kryesore e unitetit evropian, miqësia midis Francës dhe Gjermanisë është testuar shumë herë, së fundmi me thirrjen e zjarrtë të presidentit francez Emmanuel Macron për reformat në BE, gjë që u prit me hezitim nga kancelarja gjermane.

Mbi mjedisin: Merkel këmbëngul se qeveria e saj nuk e ka nënvlerësuar ndryshimin e klimës por pranoi se duhet bërë më shumë. Ajo tha se ishte e ligjshme që studentët të merrnin pjesë në protestat e së Premtes për të Ardhmen “për të rritur presionin” dhe pranoi se kishte “mungesë të vullnetit politik global” për të nxitur përparimin në këtë drejtim.

Mbi Brexit: e pyetur nëse BE ishte e prirur t’i jepte Britanisë një shtyrje të afatit të Brexit përtej 31 tetorit, Merkel nuk do që kjo të ndodhë, por tha se “për të përfunduar daljen e Mbretërisë së Bashkuar [nga BE] duhet të ketë një shumicë parlamentare pro diçkaje në Londër, jo thjeshtë kundër diçkaje”. /DW/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas