Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka konfirmuar dështimin e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Gjatë një konference për shtyp pas Samitit të BE në Bruksel, ajo tha se Gjermania ishte pro nisjes së bisedimeve, por reformat e bëra nga dy vendet, nuk ishin bindëse për anëtarët e tjerë të unionit, duke mosarritur konsensusin. Merkel përmendi Francën, Holandën dhe Danimarkën si vendet e BE që ishin kundër çeljes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Fatkeqësisht nuk ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet, nëse do të përmbusheshin disa kushte, por nuk arritëm unanimitet mbi këtë çështje. E di që Zoran Zaev dhe Edi Rama do zhgënjehen. Unë bisedova me Zoran Zaevin në telefon sot. Dëshpëruese që negociatat të mos hapen për dy vendet. Nuk pati një votim. Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të madh. Duhet të pranojmë që Maqedonia ka bërë shumë me çështjen e emrit. Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetting-ut. Por nuk arritëm të kishim vendim unanim për përarimet që kanë bërë.
Unë e mbështes Macron kur ai flet për reformimin. Franca ka shprehur dëshirën dhe ne e mbështesim propozimin që procedurat e anëtarësimit të bëhen më transparente. Shqipëria ka bërë shumë, por ende jo aq sa të na bindë që të vendosim çeljen e negociatave. Shqipëria ka probleme me emigracionin edhe pse ka ecur përpara në këtë drejtim. Kur bëhen premtime, patjetër që do t’i mbajmë, nuk do t’u kthejmë shpinën. Në rastin e Shqipërisë kishte disa vende brenda BE që kundërshtuan hapjen e negociatave. Tre vende kundër Shqipërisë ishin Franca, Holanda dhe Danimarka. Kur sheh hartën, e kupton se sa e rëndësishme që është këto vende të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, u shpreh Merkel.
Ajo deklaroi se Samitin e ardhshëm të BE, në Zagreb, i cili do të zhvillohet në maj 2020, BE do të marrë një vendim lidhur me zgjerimin. “Do të vazhdojmë të diskutojmë këtë temë dhe kemi rënë dakord që para Samitit të Zagrebit, do t’i rikthehemi kësaj çështjeje”, tha ajo.
LEXO EDHE:
Negociatat me Shqipërinë? Macron: Si t’ua shpjegoja francezëve…