Zyra e Kancelares gjermane Angela Merkel ka dalë në një njoftim për media, pas takimit me Kryeministrin Edi Rama. Në deklaratën e qeverisë gjermane thuhet se bisedimet mes Merkel dhe Ramës u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, duke theksuar se Bundestagu gjerman do të vendosë nëse Angela Merkel do bjerë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE-së, në 18 tetor.
“Kancelarja Angela Merkel priti të premten kryeministrin shqiptar Edi Rama në Kancelarinë Federale. Bisedimet e saj u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, por edhe në çështjet e politikës evropiane dhe çështjet rajonale. Rama u prit nga Merkel me nderime ushtarake. Në fund të shtatorit, Bundestag do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do bjerë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE-së në mesin e tetorit. Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në 2009, dhe mbështet pranimin e shtetit të Ballkanit në Bashkimin Evropian”,- shkruhet në faqen zyrtare të qeverisë gjermane.
Njoftimi i plotë i qeverisë gjermane
Të veprojmë së bashku për Europën
Kancelarja federale priti të premten në zyrën e saj Kryeministrin e Shqipërisë. Në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet bilaterale, por edhe tema të politikës europiane dhe çështje rajonale. 55 vjeçari Rama është kryeministër i Shqipërisë që prej 10 shtatorit 2013 dhe u prit nga kancelarja Merkel me nderime ushtarake.
Negociatat e pranimit në BE
Në fund të shtatorit, parlamenti federal do vendosë nëse kancelarja gjermane Angela Merkel mund të miratojë nisjen e negociatave të BE me Shqipërinë në samitin e BE të mestetorit.
Forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri
Gjermania e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009 dhe përkrah hyrjen e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor në Poznan më 5 korrik 2019, kancelarja pranoi se pavarësisht vështirësive të vazhdueshme politike, rajoni ka shënuar përparim të rëndësishëm.
Shqipëria ka qenë prej shumë vitesh vend kooperimi për Bashkëpunimin Gjerman për Zhvillim. Gjermania ka një interes të fortë që, duke mbështetur një proces transformimi, të kontribuojë për kushte të qëndrueshme, demokratike dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.
Më herët Rama ka qenë mysafir në prill të vitit 2018 për të diskutuar me kancelaren për gjendjen e integrimit europian të Shqipërisë. Edhe gjatë një takimi të Ballkanit Perëndimor në kancelarinë federale në prill të vitit 2019 pati një bisedë bilaterale mes dy shefave të qeverive.
LEXO EDHE:
Rama 30 minuta me Merkel: Vlerësim pozitiv për Shqipërinë (VIDEO)
Rama takon Merkel: Për të kërkuar “Po”-në e negociatave (VIDEO)
Negociatat, deputeti gjerman: Mund ta ndajmë Shkupin nga Tirana