Partia në pushtet në Gjermani, Unioni Kristian Demokrat, ka zgjedhur pasuesen e Angela Merkel në krye të partisë. Ajo është Annegret Kramp-Karrenbauer, e njohur edhe si AKK.
Ajo e merr partinë pas 18 vitesh drejtimi nga Merkel. Në garë AKK fitoi ndaj avokatit milioner, Friedrich Merz.
AKK mund të bëhet kancelarja e ardhshme gjermane. Ajo ishte zgjedhja e Merkel dhe një e besuar e saj.
Mendohet se ajo të vazhdojë me stilin e Merkel. Ndërkohë kancelarja mbajti një fjalim prekës lamtumire, që u prit me ovacione.
Si dhuratë për largimin, Merkel mori nga partia e saj një shkop dirigjenti.
Shkopi vjen nga koncerti që u mbajt në kuadër të samitit të G-20 në Hamburg dhe i përket dirigjentit Kent Nagano. Anëtarët e CDU thanë se zgjodhën shkopin pasi e shohin Merkel si dirigjenten e tyre, por edhe sepse ajo pëlqen muzikën klasike.
Por Bild shkruan se zgjedhja nuk ishte edhe aq e bukur, pasi samiti i G-20 në Hamburg ishte një dështim. Anarkistët e zhytën qytetin në një kaos dhe policia vetëm vëzhgonte e pafuqishme.