Aktualitet

Merr çmimin europian, Lindita Çela: Asnjë hetim për “fabrikën e mashtrimit”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:02 - 15/04/21 |
mapo.al

Gazetarja shqiptare Lindita Çela është pjesë e grupit të gazetarëve të vlerësuar me çmim për raportimin më të mirë në konferencën vjetore të Gazetarisë Investigative për Evropën. Puna e saj në bashkëpunim me kolegët nga vende të tjera, për zbulimin e “fabrikave të mashtrimit” në Kiev dhe Tiranë, që funksiononin si call-centera që mashtronin pensionistët në të gjithë Evropën, ka vënë në lëvizje hetime në disa vende. I vetmi vend që nuk ka hapur akoma një hetim apo të ketë bërë një kontroll në këto qendra mashtrimi është Shqipëria.





“Fabrika mashtrimi”, sipas investigimit të Çelës, u mësua se i përkiste njerëzve të lidhur me pushtetin. Call-centeri që shërbente për mashtrimin e qytetarëve evropianë ishte në zotërim të Amant Josifit, ish-ortaku i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama, dhe ish-këshilltar i ministres së mbrojtes, Olta Xhaçka.


Lindita Çela flet për gazetën Mapo se si u realizua ky investigim, çfarë pasojash solli dhe sa e vështirë është të bësh gazetari të mirë në Shqipëri…





 Lindita, një prej investigimeve tuaja është vlerësuar me çmim nga konferenca vjetore e Gazetarisë Investigative për Evropën, për cilin artikull është ky vlerësim?



Në shkurt të vitit 2020, Organiza për “Crime and Corruption Project”, publikoi një cikël shkrimesh të quajtura “Fabrika e Mashtrimit”. Në këto shkrime u ekspozua mashtrimi në shkallë industriale i realizuar nga një kompani e quajtur  Milton Group, me qendër në Kiev,  dhe me degë të saj edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë  për qendrat e call- centrave, të ashtuquajturave mashtrime të “dhomave të nxehta” që kanë përfshirë botën vitet e fundit, duke u tërhequr te viktimat me joshjen e bërjes së parave të  shpejta në një investim që është në modë: opsionet binare (bastet për çmimet që rriten ose ulen), shkëmbimet e valutave (ndonjëherë të njohura si Forex), dhe së fundmi, cryptocurrency, të tilla si Bitcoin.


Drejtori i Përgjithshëm i Milton Group është Jacob Keselman, i cili deklaron veten  në llogarinë e tij në instagram si “Ujku i Kievit” duke aluduar  “Ujkun e Wall Street”, filmi Hollywood-it që flet  për një mashtrues famëkeq të aksioneve.

Duke pasur në duar  me një listë prej mbi 1.000 personash të shënjestruar nga call center, reporterët nga 21 vende dhe dhjetëra media folën me më shumë se 180 viktima,  ku mësuan  jetët e rrënuara  të këtij mashtrimi nga Rrethi Arktik i Suedisë në Amazon Ekuadorase, duke kaluar nëpër qytete të vogla industriale në Ballkanit, si Tirana e për të përfunduar  dhe qytetet kryesore të botës si Londra dhe Sidnei.Tregimet ishin jashtëzakonisht të ngjashme.

Shumica prej tyre, fillimisht ranë  në kontakt me këtë skemë mashtrimi nga reklamat në Facebook, ku premtohej fitime të jashtëzakonshme të investimeve. Pasi vendosnin të dhënat e tyre për të mësuar më shumë, viktimat do të viheshin nën presionin e telefonatave që vinin nga call center.   Ju thuhej se ata mund të  bënin një “investim” të vogël që shumë shpejt  do ju kthehej në fitime mbresëlënëse – por të rreme.

Pjesë e raportimeve në këtë cikël shkrimesh ishte edhe zbulimi i një qendre call-center në Tiranë, degë e Milton Grup,  e zotëruar nga Amant Josifi,  i cili rezultoi me lidhje të forta në Shqipëri.  Ai, është këshilltari i Ministrit të Mbrojtjes që nga Dhjetori 2017, kur ai u emërua nga Olta Xhaçka, një anëtare e Partisë Socialiste që drejtohet nga Edi Rama. Josifi është gjithashtu një ish ortak i vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, me të cilin ai ka pasur në pronësi një kompani telekomunikacioni dhe telemarketingu, Pegasus Communications, derisa Josifi i shiti aksionet e tij në Dhjetor 2017. E ëma e tij, Pranvera Strakosha, është një gjyqtare e cila është sot Komisionere e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil.

Ne vërtetuam se operacionet e call center  ishin të strukturuara si ato të zyrave në Kiev, me qindra shitës të rinj që bënin deri në 500 thirrje në ditë për klientët në të gjithë botën, duke u përpjekur t’i bindnin ata të dërgonin para për investime që nuk  ekzistojnë. Ata bënë minimumi 300 euro në muaj, me shpërblime që përkthehen në  më shumë para. Ashtu si në Kiev, “tavolina” të ndryshme synonin folësit e gjuhëve të ndryshme.

Punëtorët i shesin këto investime përmes të ashtuquajturave “marka”, secila me faqen e saj të internetit të krijuar me kujdes për ta bërë atë të duket si një firmë e mundshme financiare. Punonjësi  tha se Call Center  në Tiranë kohët e fundit kishte operuar në tre marka të ndryshme: CryptoKartal, AurumPro dhe Virtual Stocks.

Përvec shkrimeve të titulluara, Fabrika e Mashtrimit” në konferencën  vjetore të Gazetarisë Investigative për Evropën (IJ4EU), u vlerësua “Projekti Daphne” ku një grup prej 45 gazetarësh ndoqën  punën e papërfunduar të gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, e cila u vra në tetor 2017 nga një makinë bombë vetëm disa metra larg shtëpisë së saj. Troika Laundromat, sërish një investigim i OCCRP-së dhe “Të humburit në Evropë” një cikël shkrimesh që zbuluan se çfarë ishte bërë me mijëra fëmijë emigrantë dhe refugjatë që ishin zhdukur në Evropë, dhe si ata ranë në duart e bandave të drogës dhe trafikantëve të seksit, u vlerësuan nga juria e pavarur si investigimet me të mira për vitin 2020.

Pas punës investiguese që ju dhe kolegët tuaj në vende të tjera kanë bërë për këtë çështje a ka pasur një reagim të organeve të drejtësisë, ka nisur ndonjë hetim, kanë shkuar para drejtësisë përgjegjësit për këtë mashtrim?

Shkrimet e publikuara kanë pasur një jehonë në shtypin perëndimor, ku kanë nisur hetime si në Suedi, Gjermani po ashtu  dhe në vendet e tjera. Fatkeqësisht në Shqipëri, edhe pse  në shkrim u vërtetua se ku dhe si  operonte qendra call center, në dijeninë time nuk ka pasur asnjë hetim. Po kështu, di që nga Gjermania ka pasur kërkesa të përsëritura për të  hetuar  qendra të tilla që funksionojnë si fabrika mashtrimi por, në dijeninë time, deri më tani nuk kam parë apo dëgjuar që të jetë regjistruar ndonjë procedim penal apo dhe operacion të  Policisë së Shtetit, Inspektoratit të Punës apo dhe strukturave të tjera ligjzbatuese për parandalimin apo dhe  mbylljen e aktivitetit të këtyre qendrave. Ajo që është  për tu theksuar që në kohën kur është  publikuar shkrimi, këto qendra funksiononin krejtësisht në mënyrë të jashtëligjshme, pasi ligji për kriptmonedhat  u miratua   shumë më vonë, çka juridikisht  legjitimon aktivitetin e tyre, por gjithmonë duke u legalizuar si të tilla.

A është e vështirë të bësh gazetari investigative në Shqipëri?

Fakti që unë kam vite që kryej  këtë profesion do të thoja se nuk është e pamundur. Por vështirësia më e madhe në Shqipëri, nuk ka të bëjë më ushtrimin e  profesionit të gazetarit, por më atë së çfarë ne konsiderojmë gazetari  investigative. Më rezulton se ka një keqkuptim shumë të madh në këtë drejtim. Një dosje e prokuroria, një bisedë kafenesh me burime të sigurta, apo dhe një raportim i thelluar assesi nuk mund të konsiderohet  histori investigative.

Një histori investigative nuk është ajo çfarë ne dimë, por ajo çfarë në provojmë kjo në raport më dëmet e shkaktuara tek taksapaguesit. Në këto vite, vështirësinë me të madhe e kam hasur për të bindur njerëzit që të flasin për aferat që ata janë në dijeni, kjo për shkak të mentalitetit të krijuar në vend. Mos harrojmë se kryeministri i vendit, median e quan kazan, apo dhe opinioni i krijuar  është që një gazetar merret më një çështje vetëm kur ka qëllime përfitimi personale apo dhe se është në interes të një pale të caktuar.

Shpenzoj kohë për t’i bindur se interesi i vetëm i imi dhe medias ku unë  punoj, OCCRP, është tregimi i rasteve korruptive dhe lidhjes së saj me krimin, pasi në besojmë se pikërisht ky bashkëpunim sjellë si pasojë keqqeverisjen e vendit dhe ndikon në jetën e gjithsecilit prej nesh.

A po e ushtron media rolin e saj si kontrolluese e pushteteve të tjera në vend?

Do të thoja jo, në të shumtën e rasteve. Arsyet besoj se janë të kuptueshme. Në një vend kur qeveria i jep të drejtën të konsiderojë  edhe vendimet e Këshillit të Ministrave si sekret shtetëror, ka shumë pak hapësira që një gazetar, apo dhe një media të kryej misionin e saj, atë të të qenurit realisht pushteti i 4-t në vend.

Pse keni zgjedhur të punoni për agjensi të huaja?

Më së pari për shkak të lirisë që kam në ushtrimin e profesionit tim. Kriteri kryesor i publikimit të një shkrimi është ngjarja në raport me pasojat që ajo shkakton në vend, dhe se sa unë si gazetare jam në gjende të  provoj me dokumente akuzat për personat që janë të përfshirë në këtë ngjarje. Po kështu, standardet që ne ndjekim, jo vetëm në publikimin e historisë,  por edhe gjatë hulumtimit të çështjes. Solidariteti që ekziston mes nesh, fakti që ti ndjen se punon me një grup njerëzish që ndajnë të njëjtat kauza, ideale dhe kanë po të njëjtin pasion për profesionin, dhe si përfundim jo vetëm që nuk ndihesh vetëm, por ti ndihesh e mbrojtur.

Praktikisht edhe pse unë jam gazetarja e vetme që punoj për OCCRP në Shqipëri unë e di shumë mirë që  shqetësimin më të vogël që mund të kem, e kam fjalën për çështje të sigurisë së jetës sime, personi i parë që vihet në dijeni është editori i OCCRP-së Drew Sullivan, i cili shqetësimin kryesor ka garantimin e jetës së gazetarëve që punojnë në organizate. Po kështu unë e di mirë, që një armatë e madhe gazetarësh, që janë pjesë e organizatës, janë aty, jo vetëm për të ndihmuar në punën tënde, por edhe të të mbrojtur. Pra, praktikisht ti ndihesh si një familje dhe kjo ndjesi të jep kurojo dhe forcë  për të vazhduar punën tënde./mapo.al

Investigimi i plote:

https://www.occrp.org/en/fraud-factory/web-of-call-center-scammers-reaches-into-albania-georgia

LEXO EDHE: 

Mashtrimet me Call Center-at/ Kush është kompania që operon edhe në Shqipëri dhe lidhja me një këshilltar ministrje

 

Ceremonia e Konferences Globale te Gazetarisë Investigative ne Johanesburg, ku grupi i gazetareve moren çmimin e pare Global Shine.

 

 

 

1



CLOSE
CLOSE
Pas