Stadiumi “San Paolo” i Napolit nga sot do të quhet “Diego Armando Maradona”. Vendimi i Bashkisë së qytetit u miratua dhe është hedhur firma në dekretin që zyrtarizon ndryshimin e emrit duke vendosur atë të legjendës argjentinase të ndarë nga jeta pak ditë më parë.
Menjëherë pasi u mësua lajmi për vdekjen e Maradonës, tifozët napolitanë në kor kërkuan ndryshimin e emrit të stadiumit.
Sot, kryetari i bashkisë, Luixhi De Maxhistris, në praninë dhe me firmën e të gjithë Këshillit Bashkiak, ka dekretuar ndryshimin e emrit sipas kërkesës së tifozëve. Kështu, tani të gjithë do e njohin si “Stadio Diego Armando Maradona”.
Një homazh i rëndësishëm i qytetit për atë që në dekret vlerësohej si “lojtari më i madh i të gjitha kohëve, i cili me talentin dhe magjinë e tij të pamasë ka nderuar për 7 vite fanellën e skuadrës së Napolit, duke i dhuruar dy tituj në historinë e tij dhe turne të tjerë prestigjiozë, duke marrë në këmbim nga i gjithë qyteti një dashuri të përjetshme dhe të pakushtëzuar”.