Aktualitet

Merruni me mua, jo me problemin





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:39 - 31/03/20 |
mapo.al

Sot është dita e fundit e muajit ndoshta më të vështirë që kanë kaluar shqiptarët, në historinë moderne.


31 marsi i karantinës, i izolimit, i gjeti njerëzit e kësaj ane, pa asnjë qindarkë nga qeveria, edhe pse kanë ndërprerë çdo aktivitet prej fillimit të muajit.


Në secilin vend normal, kanë mbërritur me kohë ndihmat e qeverisë në cdo familje, dhe asistenca në llogari bankare, për shkak të realitetit të ri që ka krijuar koronavirusi kudo në botë. Dhe janë bërë konkrete stimujt për biznesin e sipërmarrjen.


Vetem tek ne, qytetarët janë ushqyer me fjalë e propagandë. Madje edhe me retorikë idhnake dhe egërshane të Kryeministrtit, se si guxojnë, familjarët, hallexhinjtë, të pamundurit, të hapin gojën e të kërkojnë, teksa ai po heq picirin dhe është kaq shumë i stresuar.


Po kjo sjellje nuk është asfare emocionale.

Edi Rama ka luajtur deri në fund, një strategji të mirëmenduar, që është; merruni me mua, dhe jo me problemin.

Ai kerkon të tërheqë vemendjen tek pozimet, fjalimet, shpërthimet dhe retorika e tij, në mënyrë që sytë dhe vemendja të largohen sa më shumë nga sistemi i kalbur shëndetësor, nga mungesa skandaloze e testeve krahasuar edhe me Kosovën, teksa qindra milionë euro jepen për koncesione në duar miqsh dhe klientesh. Kryeministri kërkon ta largojë vemendjen nga mijëra të pamundur të cilëve përvece u mohohet cdo ditë një jetë me minimunin e dinjitetit njerëzor, tani u ndalohet edhe të dalin. Mendoni cfarë skëterre është gjendja e një të moshuari, apo e një familje në ndihmë ekonomike, nëse atyre u mohohet edhe komunikimi, apo nëse izolohen për 30 ditë në skamjen e tyre migjeniane.

Që të harrojmë këto, që të mos merremi me kësi detajesh të parendësishme, që hedhin në tokë tezën sikur kemi shtet, tezë që e dëgjojmë prej 7 vitesh, Edi Rama prore na fton të merremi me të.

Me batuta, me paraqitjen kinse si baba i përvuajtur dhe i keqkuptuar i kombit. Ai është gati të bëjë cdo gjë, edhe të dërgojë 30 specializantë dhe studentë shendetësie të pratrainuar në Itali, vetëm e vetëm që të flitet për të, e të heshtet për 82 vjecaren e vetmuar nga Vlora që tha se ka dy ditë që jeton me ujë e sheqer.

Rama mund të bëhet personazhi i ditës në Itali vetëm që të flitet për të, ndërkohë që duhej të ishte heroi i vendit të tij dhe jo i Barbara Durso.

Ai është gati të konkurojë edhe Bashkimin e mengjesit, me telefonata, i etur për të tërhequr vëmendjen drejt tij, për të mbajtur sa më shumë në hije problemet reale e të mprehta të vendit që nxjerrin zbuluar mungesën e shtetit, abuzimin, keqqeverisjes dhe na përplasin në surrat fasadën e madhe të propagandës.

Rasti i te moshuares nga Vlora, edhe sikur të jetë i vetmi rast, e bën copë e thërrime gjithë PR e shtetit të Edi Ramës. Një shtet që ka 7 vite që ekziston në media e në transmetimet live, por në testin më të parë, doli se askush nuk e ka prekur. Shtet është ai që ndih njerëzit në nevojë që e di se ku janë dhe u del në krah këto ditë të vështira. Dhe nuk është ai që mbush fletat, blloqet dhe regjistrat me gjoba. Që vetëm ndëshkon e kërcënon.

Po strategjia e rilindjes vijon të qendrojë në këmbë. Do të shohim cudira këto ditë. Cdo gjë, nga mjekra prej ismailqemali e replikat e pa vend në rrjetin social, e lloj lloj produktesh të imazhit të kuruar, vetëm e vetëm që njerëzit të flasin për Edi Ramën, e jo për problemin.

Mapo.al


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas