MONITOR
Nga dita e sotme, të gjitha bizneset që qarkullojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit, do të jenë të detyruara të hyjnë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga 5 milionë lekë që ishte kufiri më parë. Kjo ishte një lëvizje e Ministrisë së Financave, si një mjet për të luftuar evazionin, sidomos në zinxhirin e tregtisë.
Është e vërtetë që informaliteti në Shqipëri është i lartë dhe pavarësisht përpjekjeve të viteve të fundit, ai vijon të qëndrojë në nivele të konsiderueshme dhe, sipas një vlerësimi të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ai arrin në 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërprerja e TVSH-së në zinxhirin e furnizimit, nga i madhi tek i vogli, ka qenë gjithmonë një burim evazioni dhe teorikisht në mënyrë ideale, futja e të gjithë subjekteve në skemë do ta zgjidhte këtë handikap.
Biznesi i madh e kërkon prej vitesh mbylljen e skemës së TVSH-së dhe Ministria e Financave kishte kohë që po e studionte. Në vitin 2015, ishte një plan për të futur TVSH-në nga zero i ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, por që nuk u vu në zbatim. Informalisht, Cani ka pohuar se arsyeja kryesore që e bëri të tërhiqej ishte ndikimi që do të kishte në punësimin e të vegjëlve.
Në të kundërt, ministri aktual, Arben Ahmetaj, nuk hezitoi ta vërë në jetë këtë plan dhe tërheqja e vetme pas kundërshtimeve të shumta ishte rritja e kufirit nga 0 në 2 milionë lekë.
Ndonëse ne si “Monitor” gjykojmë se ulja e pragut të TVSH-së është pozitive, pasi tenton të mbyllë një gropë evazioni, që është një sëmundje tashmë endemike e ekonomisë shqiptare, pikëpyetjet që e shoqërojnë këtë proces janë të shumta, për mënyrën se si po zbatohet, por tre janë më kryesoret:
-Së pari, argumenti, që mbrohet edhe nga FMN lidhet me faktin se ulja e pragut nuk është eficiente, për arsyen e thjeshtë se bizneset e vogla kanë një kontribut fare të vogël në të ardhura, vetëm 2% të totalit dhe përqendrimi i tatimorëve tek të vegjlit thjesht i shpërqendron ata dhe largon vëmendjen nga të mëdhenjtë, ku është dhe potenciali kryesor i të ardhurave. Madje, shefja e misionit të FMN-së në Tiranë, arriti deri aty sa parashikoi se ulja e pragut të TVSH-së do të mund të sillte veprimin e kundërt, pra rënien e të ardhurave.
-Së dyti, ai mund të kthehet në bumerang, pasi mund të nxisë më tepër evazionin. Kjo tendencë ka filluar tashmë. Bizneset po i bëjnë llogaritë që të mos e kalojnë kufirin vjetor të xhiros prej 2 milionë lekësh, duke e shtypur më pak kasën, ndërsa vetë Tatimet pohuan se muajin e fundit kishin konstatuar një numër të madh subjektesh të vogla që po mbylleshin e po hapeshin sërish, në një përpjekje për të shmangur ndryshimin e përgjegjësisë tatimore.
-Së treti, që është edhe shqetësimi kryesor, lidhet me ndikimin social që do të ketë kjo lëvizje, që në fakt është barrë e shtuar për biznesin e vogël. Teorikisht biznesi i vogël do të duhet ta kalojë TVSH-në në çmim dhe të jetë i interesuar të marrë të gjitha faturat, për të shkarkuar TVSH-në në blerje. Por, praktikisht, sidomos për rrjetin e tregtisë, kjo “rritje çmimi” do të jetë praktikisht e pamundur, pasi do të hasen me konkurrencën e rrjeteve të organizuara të tregtisë dhe për pasojë, do t’u largoheshin klientët.
Nga ana tjetër, kostot administrative të mbajtjes së dokumentacionit do të rriten gjithashtu, duke “ngrënë” fitimet e subjekteve të vogla, që edhe sot janë në kushtet e mbijetesës. Të dy këto elemente gjykohet se do të shkaktojnë mbyllje të shumta të biznesit të vogël, pas aplikimit të këtij rregulli, duke bërë që këta të vetëpunësuar t’u shtohen radhëve të të papunëve dhe të popullsisë, pa një të ardhur të garantuar që përbën pjesën më vulnerabël të shoqërisë.
Sipas vlerësimeve zyrtare të Tatimeve, nga 1 prilli do të futen në skemë 11.5 mijë biznese të vogla, që tashmë janë identifikuar përmes vetëdeklarimit, se e kalojnë xhiron prej 2 milionë lekësh në vit. Jashtë skemës mbeten sot për sot 60 mijë biznese të tjera. Por, qarkullimi minimal ditor prej 5,400 lekësh, që mjafton të hysh në skemë, është aq i vogël, saqë praktikisht pothuajse gjithë subjektet, sidomos në kryeqytet, e tejkalojnë atë. Tatimet nuk do ta kenë të vështirë të identifikojnë subjektet shmangëse, si përmes kryqëzimit të faturave, ashtu dhe vlerësimeve nga terreni.
Shqipëria ka si karakteristikë ekonominë mikro, me gati 90% të ndërmarrjeve që kanë 1-4 punonjës, ndërsa numri i të vetëpunësuarve përbën gati 30% të totalit, një prej përqindjeve më të larta në Europë (në nivele të ngjashme me Turqinë dhe Greqinë). Kjo kategori po vjen edhe vetë në tkurrje, si rrjedhojë e rimodelimit të ekonomisë. Në vitin 2016, rreth 16 mijë të vetëpunësuar dolën nga skema e punësimit, sipas të dhënave të INSTAT, ndërsa në 2017-n edhe 10 mijë të tjerë iu shtuan (sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore).
Ulja e pragut të TVSH-së rrezikon të jetë veçse goditja fatale për ta, duke i nxjerrë nga tregu përfundimisht dhe duke rrezikuar të shtojë numrin e aplikuesve në skemën e ndihmës ekonomike, të cilën edhe sot shteti po has në shumë vështirësi që ta administrojë.