Mapo Letrare

Mes shirash dhe rrufesh’ t’idhnume





               Publikuar në : 18:15 - 07/12/19 |
Melita Vjerdha

Poezi nga Melita Vjerdha


MUR



Me themele te ngjeshuna me fryme
te hedhuna qe me ngjizje,
ngritun me doren e kohes..
I plasaritun nga termete stinesh,
mes shirash me lot,
mes rrufeve t’idhnume.
Si skenar vazhdoj me t’ndertue
me mundimin e andrrave,
me shtresen e ndjenjave,
me gdhendjen e fjaleve..
Me te pa te drejt ,
te forte e te pathyshem..
Me kap kupen e qiellit,
me u ndesh me kosoren e hanes
me provu stuhi yjesh,
e me u prek me butesi resh..
Shoh anash,
ka mure gjithandej
ndertum secili ne kohen e vet.
Zhurma pèrhumbet..
Du me pa si hidhet valle perjashta
..
2. Mall i heshtun


Kam nji mijë fjalë në zemër,
kur ndiej se malli m’i rrokullis
vargjet
e m’i pikon si mjaltë kujtimet n’shpirt.
Curril ndër lotë rrinë t’ varuna
mbresat e lana n’harresë,
andej ku zhuriten mendimet e lehta,
stinët e vjetra
fjalët e ambla
e soditjet e pastra.
Ndijimet e zbehta t’voglisë
kacafyten rrejshëm si n’mjegull me gëzimet, trishtimet , andrrat …
e ngeshëm
i hapin shteg rrugëtimit të shpirtit
për me gjallnue gjanat e vdekuna qëmoti.
E n’mall me i lakmue, tana ,
se heshtja s’ka zâ…

3. Nuk jemi të huej

Në trenin e jetës ,
na , udhëtarë t’zakonshëm
endemi , ngutemi
n’ vagona të ndryshëm
S’e ndalim hovin
nëpër qytete që rrjedhin
si lum çeliku.
Atje ku humbim kohën
në kërkim te vetes,
votrës, qoshkut
rehatisë…
E ata të presin përvujtshëm
në pikën e nisjes ….
Prej aty ku more me vete
hapin, fjalën, qeshjen e parë…
E prap nuk jemi të huej
në të njajtin udhëtim të zakonshëm.
Kemi me vete të njajtat pyetje…
të njajtat lodhje
të njajtat frika,
të njëjtin egoizëm …
Nuk jemi të huej
edhe kur mes turmash
shpallemi të humbun
Edhe nëse krejt i vetëm e do rrugën
S’ke me humbë kurr.
Por s’kanë me të gjetë askund,
prej askujt.
Pra, mos mbet i huej ….

4. Falma o jetë

në kalvarin tand
nji ndalesë.
Të zbres kryqin e mundimeve,
trashigu prej farës së mëkatit
Falma!
Të rilind nuhatjen e përtëritjes,
të thanat e të pathanat
që s’e asgjesojnë realitetin
e zanafillës së pasosun.
Ndalëm
në cakun e pendesës
e lutja të marrë trajtën tande.

Sillma fuqishëm si ringjallje shpresën.
Të rimarr hapat e ecjes
me kryqet e përbashkëta .

5. Rutinë enigmë

A ke pasë ndonjiherë
nji boshllek aq plot
sa edhe në skutat
ma të ngjeshuna me u gjetë ?
Vdekje dëshirash..
kujtime t’idhnueme
nevoja t’pashueme..
grumbuj vuejtjesh
gjurmë vesesh
shpërdorim pëshpëritjesh
mbeturina pasionesh…
Ashtu randuem prej boshllëkut,
me ngrysë ditën
me melankoli të shueme
ndër peizazhe ndodhish
që bâhen simbol.
E përfytyrimet me drejtue,
labirintet e brendshme të së nesërmes,
kur sotja si ngjet as të sotmes vetë.

6.Mik

Nji mik asht nji det.
Mes zhurit e cekinave t’kujtesës
rrinë të varuna mbresa
ndër hapsina t’pashkeluna.
Thellsinave kthjellohen
mendimet e turbullta.

Nji mik asht nji lum
i rrjedh vitet n’brigje kohnash
e i pushon në fushgropë
ditët që përtypin harresë
e s’bashku rigjejnë forcë
me ça përpara.

Nji mik asht diell
T’i hjedh rrezet si krahë t’purpurt
e midis ngrohtësisë
edhe ajri merr ngjyrën
e përqafjes së mendimeve.

Nji mik asht nji hyll
atëherë kur dhunohet dita për diell
e na dëshmitar të territ
me lindjen e tij
xixëllojat meken.

Nji mik asht muzikë,
ndez krojet e lotëve
e meloditë e shpirtit
e kur nuk ban zâ
kërkoj dikund rrotull
akordin e zanit.

Nji mik s’asht planet
as galaktikë
as destinacion
po mënyre rrugëtimi …

7. PUPËL

Endesh në delir të rrokesh me retë
përpëlitesh lajkatare
me trupin e lehte.

Valvitesh pingul, e shtrime
apo e drejtë,
lot nën rrezet e diellit.
me ngjyrën e zbehtë.

Ndër shekuj mbretnove
si pendë,kunorë a stoli
shkëputë nga flatrat
e shpendve në liri.

Tretesh me frymë
rropatesh si valë
ajo që di ma së miri
âsht të zbresësh ngadalë.

8.Qetesi..

Mbramja parakaloi muzgun,
u vesh me heshtjen që frymon
brymë andrrash.
Nata zbriti ,e zgjueme prej
kllapinash t’përlyeme me harresë.
Qielli i shkundi yjet
si endje kumb’lle n’pranverë
e hanës iu ndigjue frymëmarrja
tek u pasqyrue mbi ujnat
që i kishte zanë gjumi.
Pemët përqafuem me ajrin
përcjellin flladin erëkandshëm.
Brini i hanës me bishtin e qerpikut
stepojne prej tundimit..
Horizonti si Hyjni shtrihet
në shtratin e butë të stinës
së mbulueme me mantelin e qetësisë…
Ndërkohë ujqit dikund rrinë të zgjuem…


Etiketa: ,

Pas