Në grup intelektualësh janë duke hartuar një apel për politikën në vend. Peticioni, që do ta bëjnë nesër publik, pret të firmoset sonte deri në orën 12:00 të natës. Nismëtar i këtij mesazhi është Arben Malaj. Mësohet se deri tani ai është firmosur nga Selami Xhepa, Ilir Ciko, Fatmir Mema, etj. Ja çfarë kërkojnë intelektualët:
“Të ndërgjegjshëm për risqet në rritje të një krize të rëndë; politiko-institucionale, besimi te demokracia dhe ekonomia funksionale e tregut, te ekonomia dhe financat e vendit, pasojat e të cilës mund të jenë të rënda dhe afat-gjata, nën përgjegjësinë intelektuale e profesionale ndaj vendit dhe në detyrim mirënjohës ndaj popullit tonë, ju drejtojmë këtë apel publik.
Bazuar në analizat profesionale të treguesve thelbësorë të ekonomisë dhe financave publike të vendit, të paralajmërimeve publike dhe të përsëritura të disa institucioneve financiare ndërkombëtare, vlerësojmë dhe apelojmë se është kritike të identifikohet dhe arrihet sa më parë një marrëveshje politike, fillimisht për të ndalur përkeqësimin, dhe më pas marrjen e masave dhe zbatimin e reformave thelbësore për një zhvillim ekonomiko-social eficent e të qëndrueshëm.
Sot, ekonomia shqiptare nuk ndikohet kryesisht apo vetëm nëpërmjet politikave ekonomike, monetare dhe fiskale, por sidomos nëpërmjet besimit dhe pritshmërive që individët, bizneset, të rinjtë, konsumatorët, investitorët, etj, kanë dhe krijojnë për të ardhmen e vendit.
Kriza mund të vazhdojë të :
-Nxisë dhe përshpejtojë braktisje masive të vendit, jo vetëm nga të rrinjtë, por dhe nga shtresa e grupe te tjera sociale e profesionale;
-përkeqësojë deficitin demografik duke na shtyrë drejt pakësimit dhe plakjes së popullsisë
-varfërojë dhe uli cilësitë e kapitalit human dhe social
-krijojë mungesë të fuqisë punëtore dhe ekspertizës së kualifikuar
-përkeqësojë destabilitetin dhe deficitin e skemave të pensioneve
-ngadalësojë investimet e huaja
-nxisë e stimulojë uljen e konsumit dhe të investimeve
-rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik
-rrezikojë stabilitetin e finacave publike, të cilat mund ta përshpejtojnë, e bëjnë më të rëndë dhe më të gjatë peshën e krizës.
Eksperienca kombëtare e ndërkombëtare na dëshmon se krizat reduktojnë mundësitë që politikat ekonomiko-financiare dhe zhvillimit të përcjellin në kohë reale efektet e ndërhyrjeve dhe reformave strukturore në ekonomi, ndërhyrje që rezultojnë konjukturore dhe me efekte afat-shkurtra, që mund të zbusin por nuk i shërojnë rrënjët e krizave tona, të cilat kërcënojnë të rikthehen më të ashpra dhe me kosto të rënda.
Kriza e mungesës së besimit tek institucionet politike, ligjore e administrative, dhe përkeqësimi i saj nga zhvillimet aktuale do të provokojë një rënie më të thellë ekonomike e financiare, rritje të papunësisë dhe varfërisë, ulje të fuqisë blerëse, konsumit e mirëqënies, duke rrezikuar përkeqësimin e kohezionit tonë social.
Një ekonomi me tendenca ngadalësimi që rrezikohet të shkojë drejt krizës, redukton të ardhurat dhe aktorët ekonomikë që kontribuojnë në to, kërkon rritje të vazhdueshme të presioneve fiskale dhe fondeve buxhetore, pasi numri individëve dhe familjeve që kërkojnë ndihmë dhe asistencë sociale fillon dhe rritet, duke rritur borxhet individuale, borxhet e bizneseve, dhe borxhin publik të vendit.
Strategjia më e mirë dhe pergjegjësia më e madhe jo vetëm e politikanëve dhe institucioneve qëndrore të vendit, por sidomos e të rinjve, akademikëve dhe shoqërisë civile, është, të angazhohen, të përkushtohen dhe të imponojmë në mënyrë demokratike arritjen e një marrëvshje politike që e parandalon krizën politike, ekonomike e sociale që po afrohet përditë dhe më shumë.
Kur krizat nuk parandalohen në kohë, efektet e tyre rriten me shpejtësinë dhe madhësinë e ortekut, shkatërrojnë cfarë gjejnë përpara dhe prodhojnë efekte shumë negative për shoqërinë. Ky është realiteti i hidhur që vjen nga historia 2-3 shekullore e krizave, por që është i freskët edhe nga kriza financiare globale e vitit 2008, ku papuësia mesatare arriti mbi 25% dhe papunësia për të rinjtë mbi 50%, përfshirë këtu dhe të rinjtë e mirëarsimuar.
Historia e krizës së fundit dhe prekja rëndë e shumë vendeve europiane e rajoneve të tjera të botës prej saj, na mëson se, nëse ne nuk do ti bëjmë reformat e thella politike, reformat e thella ekonomike sociale dhe buxhetore (duke marrë në konsideratë dhe kostot e tyre fillestare të hidhura), nëse nuk i bëjme në kohën e duhur, me vizionin dhe qartësinë e duhur, me përkushtimin e duhur, ne do t’i fshehim problemet tona, do të ushqejmë populizmin dhe euforinë boshe, por pa dyshim, një ditë, sado vonë qoftë ajo, taksapaguesit, pensionistet, përfituesit e asistencës sociale, njerëzit e varfër dhe shtresat më vulnerabël të shoqerisë tonë do ti paguajmë rëndë kostot, jo vetëm buxhetore të dështimeve tona. Greqia dhe Italia dy vende fqinjë dhe partnere kryesore në ekonomi, janë shembuj konkretë nga të cilët ne duhet të mësojmë për kostot e rënda dhe të gjata të deshtimeve për shkak të mungesës së refomave strukturore e thelbësore afat-gjata.
Kthimi i një vendi, apo dhe i ekonomisë globale në treguesit e rritjes së lartë ekonomike dhe borxheve të ulëta të para krizës globale, kërkon disa vite, vite ku masat shtrënguese qoftë edhe përkohësisht, i bëjnë të varfërit edhe më të varfër.
Paketat fiskale për të ulur borxhin publik në nivele të pranueshme e optimale që ai të jetë i shëndetshëm për të ushqyer një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme e cilësore, nëpërmjet investimeve inteligjente në ekonomi, kryesisht në ekonominë e dijes, ekonominë e gjelbërt, ekonominë e energjisë, inovacioneve dhe teknologjive moderne, imponojnë politika e këndvështrime të reja bashkëkohore për politikat fiskale, klimën e biznesit, pagat, pensionet, asistencën sociale, investimet publike, etj.
Sipas studimeve, rikthimi i stabilitetit të financave publike nëpërmjet paketave shtrënguese, synohet të arrihet 30% nga rritja e taksave dhe 70% nga shkurtimi i shpenzimeve, çka e ngarkon barrën e krizave tek taksapaguesit e vegjël dhe të mesëm dhe tek shtresat më të varfëra të shoqërisë.
Nisur nga eksperiencat në parandalimin dhe manaxhimin e krizave, vlerësojmë se politikanët tanë duhet të ndjehen më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për parandalimin e një krize të rëndë shumë dimensionale si krizë e besimit, krizë ekonomike, sociale dhe buxhetore.
Mbetemi me shpresë se opioni publik i vendit do të jetë një katalizator i dobishëm për domosdoshmërine e parandalimit të kësaj krize që gjithë një e më shumë po na afrohet.
Mbetemi me shpresë se politikanët e të gjitha partive politike nën peshën e pasojave të kostove të rënda që mund të burojnë nga kjo krizë, duhet të nxitojnë të gjejnë zgjidhjen më të mirë që shqiptarët meritojnë.
Në rast të kundërt, edhe kur ka rotacione politike por nuk ka reforma të thella politike dhe reforma të thella strukturore në ekonomi dhe financat publike, taksapaguesit, dhe në radhë të parë të rinjtë, pesionistët dhe grupet sociale e profesionale më vulnerabël do të goditen rëndë nga kriza.
Krizat e përsëritura shpesh në tranzicionin tonë të vështirë do t’i varfërojnë më shumë të gjithë shqiptarët, do t’i varfërojë së pari shpirtërisht se vritet shpresa për të ardhmen, rritet barra e kostove të dështime të qeverive të ndryshme, u kufizohet barazia e mundësive për një jetë e vend më të mirë.
Nuk mund të ketë kurrë një vend të pasur e të zhvilluar me një popull të varfër, e kundërta provohet në historitë e sukseshme të shumë vendeve.
Prandaj duhet të parandalojmë në kohë krizat, të krijojmë shpresë, të krijojmë energji pozitive, të sfidojmë varfërinë dhe mos-zhvillimin, të pasurojmë shpirtërisht dhe ekonomikisht njerëzit e mrekulleshëm të vendit tonë. Ky është misioni i lidershipit jo vetëm politik të një kombi, kjo duhet të jetë ëndrra dhe ambicia jonë e përditshme.
,, O ku ka si ti moj ,Shqipëria ime ,moj fisnikja permbi gurë ,rrjedh ne këngë e ligjerime ,ballëlarta mbi flamu r ” Perse e bukura e dheut mbeti ketu ku eshtë, 20 vite nga lufta e Kosoves kaluan. DERI TANI DO TE ISHTE ANETARE E PLOTE E BE-së.Ka mbetur keshtu fale tekeve te partive politike. Nuk ka vaj qe mundet me vajtue,derisa armiqte e copetuan,komunistat e degraduan,politikanet e ç’ nderuan dhe e prunë deri ketu.Po BOLLNI MO . Jeni ba hor bote te dy boshtet.Me pasurine nentokësore,detin,bjeshkët ,bujqesinë do te ishte me e zhvilluara ne evrope.Minimumi i fitimit veror do ishte afer 16 miliar,po nafta, po gazi? Nuk gjej fjale per mizerien si e kan katandise.Kurre nuk më është dhimbsur ma shumë se tani? Jo intelektualet,jo diaspora shikojne dhe kan mbet me zemer te thyer si VAJI I NËNËS MEMECE. MJAFT ,KA SHQIPERIA INTELEKTUAL DHE BURRA QOFTE NE BOTE QOFTE NE SHQIPERI. MJAFTE, I knaqet armiqte si kurre me pare.