Aktualitet

Mesazhi i lirisë që përcolli Vjosa








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:56 - 18/12/20 |
Armand Maho

Nga Kosova na erdhi edhe një herë një leksion lirie, këtë herë me zërin e një gruaje antikonformiste që për të ndjekur idealin e saj ka treguar se është gati  të braktisë çdo privilegj. Zgjodhi për të dhënë këtë mesazh në një parlament për turp, ku në rastin më të mirë janë servilë dhe kllounë të pushtetit dhe në rastin më të keq pinjollë të diktaturës që kanë uzurpuar pushtetin.



E megjithatë Vjosa Osmani nuk u tut! Ajo tha atë ç’ka kishte për të thënë në ato 13 minuta të fjalimit të saj. Disa të vërteta të qarta të cilat shigjetonin pikërisht politikën antikombëtare të ndjekur në këtë epokë sentimentalizmi e mes kryeministrit tonë dhe Aleksandrit të Serbisë siç preferon ta thërrasë Rama.


Natyrisht nga mbesa e Sylejman Vuçiternës, këtij patrioti të madh, nuk mund të pritej diskurs tjetër. Vjosa ia bëri të ditur, çdokujt që ishte në atë sallë, shërbëtorë të pushtetit të dikurshëm dhe të atij sot, se me Kosovën dhe fatet e saj nuk mund të luajë kurrkush. Se ajo është Jeruzalemi i shqiptarëve, dhe çdo makiazh që i bëhet imazhit kriminal të Serbisë, përgjegjëse për 13 mijë viktimat mes tyre 1000 foshnja, është tradhti kombëtare.



Kontrasti mes kësaj lidere të Kosovës dhe politikanëve tanë është  i thellë. Vetëm 38 vjeç dhe në çdo fjalë që tha, në çdo shkronjë që lexonte përcillte të vërteta të ndjera. Në atë sallë, ku burra e gra s’dinë të bëjnë asgjë tjetër vetëm se t’i thurin lavde Skënderbeut, ku duartrokitjet i rezervohen vetëm atij, ku të qeshurat e pavenda i rezervohen paditurisë dhe injorancës, ku dinjiteti politik ka prekur fundin, të duartrokasësh Vjosën dhe virtytin e politikanes që ajo përfaqëson  duhet të jetë një stërmundim i madh.

Lexo edhe :  Vjosa Osmani, videomesazh për aleatët: Të dënohen krimet e Serbisë!


Aq më keq akoma, pinjollen e një familje atdhetare që ka vuajtur në të dy sistemet komuniste, këndej dhe andej kufirit. Vjosa Osmani me fjalimin e saj theu barrierat dhe atë mirësjelljen e shtirur të paraardhësve të saj  që zgjedhin të mbyllin gojën në vizitat zyrtare në shtetin amë. Që  në rastin më të mirë nuk përcjellin atë ç’ka mendojnë e ndjejnë  vërtetë shqiptarët e Kosovës, ose që në rastin më të keq bëhen patericë e regjimit.


Kjo ndoshta ishte dhe arsyeja se përse Rama e braktisi atë sallë. E vërteta e Vjosës, kontrasti mes patriotizmës dhe lirisë që ajo përfaqëson, e komplekson. Njeriu që rreh dhe helmon shtetasit e tij në protesta, njësoj si regjimi serb, nuk mund të ketë vend në atë sallë. Njeriu që punon tërë ditën kundër interesave të Kosovës, ai që flet për minishengenin me Vuçiçin pa pyetur për shqiptarët atje, s’mund të rrijë në një vend ku feks liria  dhe vlerat humane.

Si pinjoll i diktaturës, s’mundet dot të jetë përballë Vjosës, e cila tregoi me gisht se kush janë fajtorët e vërtetë se përse shqiptarët janë të ndarë. Mesazhi që ajo dha për demokracinë goditi gjithkënd, që nga  tellallët e propagandës e deri tek shërbëtorët e pushtetit. Ajo e ka treguar dhe më parë se para partisë e pushtetit, do më shumë Kosovën.

Një koncept që ata që ishin në atë sallë s’mund ta kuptojnë. S’mund ta kuptojnë Ruçët apo Brahot si përfaqësues dhe nostalgjikë të regjimit të vjetër, dhe s’mund ta kuptojnë as Ballët e Spiropalët si model abuzues të regjimit të ri. Ndërsa vetë Rama, si produkt fatkeq për shqiptarët  i të dy regjimeve, refuzon me ndërgjegje  ta kuptojë.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas