Botimi i parë shkencor filologjik i librit të Gjon Buzukut me transliterim nga Namik Resuli është bërë nga Albanisches Institut & The centre for Albanian Studies
Një cak kohor i mirëseardhur për t’iu rikthyer trashëgimisë sonë kulturore të përftuar në mërgim: Me këto pak fjalë mund të kufizojmë thukët në kohë rrjedhën e zhvillimit të vrullshëm që po përjeton sot kultura shqiptare, e cila mban hapur prej më se dy dekadash siparet e saj, duke përthithur natyrshëm gjithë ato prurje e pasuri kulturore-botuese që trashëgojmë prej mërgatës intelektuale shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Dhe është fakt i mirënjohur që lexues të sotëm-sidomos syresh në hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan-po marrin në mënyrë të përshpejtuar kontakt me këtë trashëgimi të vyer kulturës shqiptare, falë punës ngulmuese që po bëhet ndërkohë për ribotimin e plotë dhe shpërndarjen e saj kudo ku flitet shqip. Lejohemi të përmendim këtu si shembuj sa të veçantë aq edhe domethënës përkthimin dhe ribotimin e punës farëmirë të Patër Zef Valentinit, nestorit të mërgatës intelektuale shqiptare në Perëndim dhe autor i veprës madhore Acta Albaniae Veneta, apo aktivitetin intelektual dhe letrar të Ernest Koliqit, Mustafa Merlikës, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Arshi Pipës etj., opusi i të cilëve po i rikthehet në plotësinë e vet atdheut të tyre të munguar. Një vlerë të spikatur në këtë trashëgimi ruan padyshim edhe puna e patëmetë e Namik Resulit (10.09.1908 – 12.09.1985), pinjollit fjalëpakë e punëshumë të kësaj plejade intelektualësh, i cili i përkushtoi gjithë jetën e vet aktive kulturës shqiptare dhe shkencave albanologjike në mërgim. Pajisur me një formim gjuhësor-filologjik solid në Universitetin e Torinos, ku edhe doktoroi pranë romanistit të njohur Matteo Bartoli, ai u kthye në fillim të viteve ‘30 në Shqipëri e dha mësim në disa shkolla e qytete (Elbasan, Shkodër, Tiranë). Rikthimi në Itali më 1939 si docent i gjuhës shqipe pranë Universitetit të Romës bëri që në gjallje të vet t’i mbylleshin njëherë e përgjithmonë dyert në Shqipëri, gjithsesi personi dhe vepra e tij gëzuan gjithherë mirëseardhje e respekt në gjakun e shprishur të kulturës dhe shkencës shqiptare në mërgim, ku vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957) e më pas si profesor i albanologjisë në Institutin e Studimeve Orientale të Universitetit të Napolit (1957-1971). Penda e Resulit nuk reshti së shkruari deri ditët e fundit të jetës së tij, kur pa dritën e botimit edhe vepra e tij madhore Grammatica della lingua albanese (Bologna, 1985), ndërkohë që botimi i tij shkencor-kritik Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione (Città del Vaticano, 1958) është i pari i llojit të vet në historinë e albanologjisë dhe shënon si i tillë jo vetëm fillimet e filologjisë moderne shqiptare, por edhe fazën nismëtare të përpunimit kritik të përmendoreve të shkrimit shqip që gjëllijnë sot e gjithë ditën si bazë materiale për hulumtime ballore në matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar. Largimi i natyrshëm në kohë nga ky botim si edhe mundësitë e dikurshme të kufizuara të përhapjes së tij në gjithë arealin kulturor shqipfolës, kanë shkaktuar boshllëqe të theksuara jo vetëm në bibliotekat e studiuesve të historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, por edhe në formimin e përgjithshëm të studentëve të shkencave shoqërore-albanologjike si edhe të lexuesve të thjeshtë e të shumtë, që i mbeten dashamirë kësaj kulture. Andaj ky ribotim anastatik i botimit të parë shkencor filologjik të “Mesharit” të Gjon Buzukut, për të cilin janë përpjekur në fakt me përkushtim Albert Ramaj (Albanisches Institut-St. Gallen) dhe Bejtullah Destani (Institute for Albanian Studies-Londër) i vjen lexuesit bash në kohën e duhur, por që sigurisht gjatë leximit, ai nuk mund të mos e ndiejë sidomos mungesën qoftë edhe në versionin origjinal italisht si të hyrjes tejet instruktive të vetë Resulit, ashtu edhe të aparatit të pasur filologjik që shoqëron në fund tekstin e transkriptuar prej tij. Gjithsesi, edhe botimi anastatik vetëm i tekstit të “Mesharit” i shkon për shtat qëllimit zanafillës të kësaj ndërmarrjeje farëmirë, duke qenë njëherësh akt mirënjohjeje dhe nderimi ndaj botuesit të tij, e nëpërmjet tij edhe homazh i gjithhershëm ndaj kulturës së shkrimit shqip në mërgim, që zuri fill me vetë basin e saj Gjonin, birin e Bdekës dhe kumtin e tij: “tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të endigluom en së Shkruomit Shenjtë, en së dashunit së botësë sanë, desha me u fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të endiglonjënë.”