Për 46 vjet rresht, legjenda braziliane Pelé ishte futbollisti që kishte shënuar më shumë gola për të njëjtin klub. Mes viteve 1957-1974, ai shënoi 643 gola për Santos. Nga ana tjetër, Lionel Messit iu deshën 16 vjet te Barcelona për të arritur këtë rekord.
Të shtunën, në një ndeshje të La Ligas kundër Valencia në Camp Nou, ai do të shënonte golin që e barazon me “O’ Rei”-n.
Golin e parë me fanellën blaugrana, argjentinasi do ta shënonte në sezonin 2004-2005. Shkëlqimi i Messit erdhi gjithmonë në rritje. Pë 10 vjet ai shënoi minimumi 41 gola. Ndërsa në sezonin 2011-2012, ai arriti 73 gola me Barça, një mesatare prej 1.2 për ndeshje, ndërsa një sezon më pas do të shënonte plot 60 herë .
Në total, Pelé ka shënuar 757 gola (643 me Santos, 37 me Cosmos dhe 77 me Brazilin), ndërsa Messi shkon për 714 (643 me Barça dhe 71 me Argjentinën).
Ndërkohë nuk ka munguar urimi i Peles për Messin:
Kur zemrës i vërshon dashuria dhe pasioni, është e vështirë të ndryshosh rrugën. Njësoj si ty, e di shumë mirë se si është të veshësh të njëjtën fanellë çdo ditë. Njësoj si ty, e di shumë mirë se nuk ka asgjë më me vlerë se sa vendi ku ndihesh si në shtëpinë tënde. Urime për rekordin historik Lionel! Por mbi të gjitha, urime për karrierën tënde të bukur tek Barcelona. Histori si tonat, të dashurit një klub për një kohë të gjatë, fatkeqësisht, do të jenë gjithnjë e më të rralla në futboll. Të admiroj tmerrësisht shumë Lionel.