Nga Leka Skëndaj
Në fund të vitit të ardhshëm mësimor quhet i mbyllur cikli i zëvendësimit të kurrikulës së re në sistemin parauniversitar, si pjesë e reformës në arsim. Po ndërrohen kësisoj, vit pas viti, duke filluar nga klasa II dhe VI; pra, II-V (cikli i ulët) dhe VI-IX (cikli i lartë).
Është hera e tretë që riorganizohen programet dhe tekstet (kurrikulat) pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Edhe në vendet e tjera, me traditë më të hershme në arsim, është quajtur e domosdoshme që në çdo dhjetëvjeçar kurrikulat të rindërtohen. Kuptohet, pas hulumtimesh dhe vëzhgimesh të organizuara nga struktura të caktuara institucionale.
Studiuesit dhe teoricienët e kurrikulave shkollore janë të njëmendtë kur bie fjala për miratimin dhe certifikimin e programeve dhe teksteve. Ata këmbëngulin se kurrikulat shkollore nuk duhen marrë si një punë e lehtë që mund t’i lihet në dorë një njeriu ose një grupi çfarëdo. (Hunkins). Që të arrihet deri në nivelin e miratimit dhe të certifikimit duhet të ketë një procedurë të ndërlikuar, që kërkon njohuri profesionale dhe burime gjithëpërfshirëse informacioni. Në botën anglosaksone certifikimi i kurrikulave shkollore kalon në katër faza: 1. Planifikimi kurrikular (kjo fazë shpesh emërtohet “Zhvillimi i kurrikulës”); 2. Hartimi i kurrikulës; 3. Zbatimi i kurrikulës; 4. Vlerësimi i kurrikulës.
Përvoja e vendeve me arsim të konsoliduar ka vërtetuar se, që të kurorëzohet me sukses një ndërmarrje e tillë, së pari kërkohen politika arsimore të strukturuara me vizion strategjik, larg egoizmave të politizuara dhe së dyti, nevojiten specialistë të përgjithshëm dhe të profilizuar që të shërbejnë si vendimmarrës dhe ndërlidhës burimorë, të cilët do të mund të ruajnë në vijimësi baraspeshën, jo vetëm të dialogut mes grupeve të interesit, por edhe për organizimin e përmbajtjes, të konturimit të synimeve dhe të objektivave, të veprimtarive të të mësuarit etj.
Po ç’ndodh te ne? Një sindromë e vjetër. Si në shumë fusha, ose i anashkalojmë, ose i kapërcejmë fazat dhe afatet. Gjithsesi, duhet pranuar fakti se nuk kemi traditë për zhvillimin dhe vlerësimin e kurrikulës. Jemi mjaftuar vetëm me disa raporte pune që hartoheshin nga institucione qendrore, si Instituti i Studimeve Pedagogjike, apo Ministria e Arsimit, pas ngritjes së grupeve të punës dhe inspektimit nëpër shkolla. Mendoj se duhet veçuar këtu një studim i plotë dhe serioz i prof. Mehmet Çelikut për kurrikulën e Gjuhës Shqipe të pas viteve nëntëdhjetë, kur u realizuan ndryshime thelbësore në programe dhe metodë, i cili mund të mbahet si një model i arrirë për studentët.
Në lëndën e Gjuhës Shqipe ndryshimet më të dukshme konceptuale, në përmbajtje dhe në formë, kanë ndodhur në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në fund të viteve ’80, të gjitha strukturat e arsimit në vend u përfshinë në një diskutim masiv për një planifikim dhe realizim të rikonceptuar të programeve dhe teksteve (në atë kohë nuk kishte hyrë termi kurrikul). Kësisoj, për mësuesit dhe specialistët u mundësua një zgjedhje metodologjike për një përmbajtje të caktuar. Dhe, në një vështrim më të përgjithshëm, rezultoi e suksesshme. Më pas, vërehet se ndryshimet kurrikulare nuk janë shoqëruar me struktura të përzgjedhura dhe të organizuara ligjërisht dhe zyrtarisht. Dhe akoma më keq, kohët e fundit jemi përballur me deformime të nxitura nga interesa të ngushtë partiakë, apo për kredo politike.
Për hir të së vërtetës, do të ishte një mundësi e mirë për të nisur ndryshimin e kurrikulës sipas një studimi paraprak. Banka Botërore në vitin 2009 miratoi një projekt mbështetës mbi bazën e të cilit do të riorganizohej kurrikula e re. Dhe kështu u bë. U ngritën grupet e punës me specialistë të arsimit, mësues, asistentë të huaj, shtëpitë botuese të interesuara etj. Por më 2013, me ndërrimin e pushteteve u përmbys gjithçka. Brenda natës u planifikua ndërkallja e një modeli skocez, të cilin po e filtronin në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës. Politika do të gjente “argumente bindëse”. Kryekëput e njëjtësuar. Sipas parimit bizantin: “Nuk ka hak pa marrë dhe gjak pa larë”. Ashtu siç u përmbys më 2005 studimi i qeverisë socialiste “Për strategjinë e arsimit në Republikën e Shqipërisë deri në vitin 2025”, i mbështetur po nga Banka Botërore.
Nuk do të përqendrohemi te pasojat që shkaktoi kjo kurrikul e huazuar, kryesisht në çështjet e fiktivitetit dhe kërkesave absurde të një dokumentacioni çoroditës për mësuesit dhe nxënësit. Për këtë kemi shkruar më gjerësisht në një shkrim të mëparshëm (“Mapo” 9 mars 2017). Objektin e këtij shkrimi e menduam të paktën si një grishje drejtuar organizmave vendimmarrëse dhe politikave qeverisëse, për t’u rikujtuar se reformat në arsim, të çdo niveli qofshin, duhet të paraprihen nga studime dhe pilotime të strukturuara dhe jashtë egos politike.
Nga anketimet dhe kontaktet me mësuesit vërejmë faktin se, këtë herë, nga drejtoritë dhe zyrat arsimore ka një organizim të posaçëm. Janë caktuar dy inspektorë përgjegjës për të drejtuar dhe ndërlidhur punët me rrjetet profesionale. Nëpër shkolla dhe grupe shkollash ka mentor dhe trajnues të lëndëve përkatëse. Pranohet se çdo muaj ka takime me mësuesit që i kryesojnë kryetarët e rrjeteve profesionale. Duket si një nismë me vlerë. Këtu na sugjerohet të përballim dy dukuri: efektivitetin dhe fiktivitetin.
Nëpërmjet pyetësorëve, nuk kemi synuar të studiojmë shkaqet e dështimit sesa shmangien e tij; sepse, derisa gjedhet (modelet) i kopjojmë (vështirë se i përshtatim) nga perëndimorët, për rrjedhojë, edhe analizat dhe zbatimin e tyre duhet t’i përqasim sipas atyre mënyrave. Pyetja shtrohet: “A u përgjigjen këto struktura (dhe sa të efektshme janë) modelit skocez që kemi përqafuar?”. Mësuesit ndihen të çorientuar dhe të frikësuar nga kërkesat absurde për plotësimin e dokumentacionit që rezulton fiktiv dhe nuk e kanë idenë për vlerësimin e kurrikulës në vijimësi. Të gjithë e pranojnë këtë, herë-herë nën zë.
Realizimi i suksesshëm i katër fazave të rëndësishme të zhvillimit të kurrikulës, si çdo sipërmarrje e koklavitur (siç është kurrikula) “kërkon një lloj kuadri teorik dhe konceptual që ta udhëheqë” ( Hilda Taba). Në radhë të parë duhet të qartësohen rolet e punonjësve të kurrikulës. Këtu duhet ta nisim që nga terminologjia. Bota anglosaksone, nga e cila po filtrojmë këtë reformë, termin “punonjës kurrikule” e ka të përgjithshëm; ku përfshihen që nga mësuesi deri tek inspektori. Të gjithë personat fizikë të përfshirë, në një formë a në një tjetër, në zbatimin dhe vlerësimin e kurrikulës quhen punonjës kurrikule. Ata mund të jenë: drejtues të kurrikulës, mbikëqyrës të kurrikulës, bashkërendues të kurrikulës, specialistë të kurrikulës, zbatues të kurrikulës (mësuesi). Të gjithë këta duhet të jenë të dallueshëm në këtë disiplinë dhe të jenë të përzgjedhur nga fusha të tilla, si: mësimdhënia, universiteti, këshillimi, psikologjia shkollore, administrimi etj. Ka pika ku vështirësohet procesi. Përzgjedhja e punonjësit të kurrikulës merr peshë të veçantë. Dhe kjo ngarkesë, sidomos te ne, bie tërësisht mbi mësuesin zbatues. Nga statistikat botërore është vërtetuar se, mbi 60% e mësuesve, e duan të gatshëm çdo ndryshim apo risi. Gjithashtu, të paktë janë ata mësues që zotërojnë njohuri të mjaftueshme për përbërësit dhe elementet e kurrikulës, për të fituar shprehi të nevojshme dhe për t’u bërë novatorë dhe studiues.
Teoricienët e çështjeve të edukimit veçojnë si detyrë parësore nevojën e kualifikimit të specialistëve që do të shërbejnë si vlerësues të kurrikulës. Në fakultetet tona të edukimit nuk kemi studentë që diplomohen për kurrikulën. Edhe në programet e universiteteve tona, ndoshta për mungesë të kërkesave dhe të objektivave përkatëse, vihen re ndryshime të dukshme për përmbajtjen e këtyre zhvillimeve: diku mund të ketë mungesë kursesh të plota, diku mund të justifikohen me kurse të përafërta, diku lëndës “Zhvillimi dhe vlerësimi i kurrikulës” nuk i rezervohet rëndësia e duhur. Rëndom kjo lëndë jepet si plotësim norme mësimore dhe jo pedagogut kompetent dhe të kualifikuar për këtë fushë. Nga ana tjetër studentët e programit “Master” nuk nxiten të përzgjedhin tema (mikroteza) për çështje të kurrikulës dhe të mësimdhënies. Madje, edhe pse programi i studimit e ka të përcaktuar “Master shkencor në mësimdhënie”, paradoksalisht vetëm rreth 20% e studentëve përzgjedhin tema për mësimdhënien dhe asnjë për zhvillimin e kurrikulës.
Këtë dukuri e kemi vërejtur edhe nëpër botime të ndryshme, apo në konferenca shkencore për çështje të mësimdhënies dhe të nxënit. Zgjedhjet e tematikës së kumtesave varen nga interesat, parapëlqimet dhe pikëpamjet individuale, por rreth 80% e kumtesave dhe artikujve duken si përzgjedhje rastësore, me tematikë anësore, shpesh si vëzhgime eklektike. Jo rrallë kumtuesit, ndoshta ngaqë nuk e njohin praktikën konkrete që mund të zbatohet në klasë, u mëshojnë çështjeve teorike, në rastin më të mirë. Në të shumtën e herës, kur marrin në shqyrtim tekstet shkollore kapen pas ndonjë kleçke, që, e shkëputur nga konteksti, duket si lajthitje apo “gafë shkencore”, çka ndonjëherë shndërrohet në një tymnajë mediatike.
Gjithsesi, mësuesit përpiqen të mishërojnë në orën e mësimit përvojën e tyre dhe atë që kanë mësuar në shkollë, pra, ata janë në kërkim të zgjidhjeve praktike të koncepteve që u dalin në përditshmëri, por vështirë se mund të japin ndonjë ndihmesë të mjaftueshme për certifikimin e kurrikulës.
*Pedagog në universitetin “I. Qemali”, Vlorë