Nuk munguan replikat në intervistën që presidenti Ilir Meta dha në studion e Zërit të Amerikës. Shkak u bë raporti i Komisionit të Venecias për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas shefit të Shërbimit Shqip të VOA, Arben Xhixho, Komisioni i Venecias tha se kreu i shtetit “i kishte tejkaluar kompetencat kur anuloi datën e zgjedhjeve të 30 qershorit”, por Meta nuk ishte dakord.
Më poshtë replikat dhe video (shiko në minutën 12.35)
Zëri i Amerikës: Meqë ju iu referuat interpretimit të Venecias për çështjen e zgjedhjeve vendore, Komisioni i Venecias e thotë hapur që ju i tejkaluat kompetencat…
Presidenti Ilir Meta: Jo nuk është kështu!
Zëri i Amerikës: E thotë!
Presidenti Ilir Meta: E keni gabim. Kjo ka qenë në raportin paraprak.
Zëri i Amerikës: Jo, është në raportin përfundimtar, unë sot iu referova përpara se të vija në studio, për ta rikujtuar…
Presidenti Ilir Meta: Nuk është kështu, është e pavërtetë. Nuk ekziston fjala tejkalim.
Zëri i Amerikës: Interpretimi i Venecias, e thotë. Por thotë që nuk ka qenë aq serioze shkelja, sa për të çuar në shkarkim.
Presidenti Ilir Meta: Nuk është ashtu jo! Kjo është tek parapraku.
Zëri i Amerikës: T’ua lexoj variantin përfundimtar? E kam të hapur në telefon…
Presidenti Ilir Meta: Ju mund të lexoni një variant tuajin, nuk ka asnjë problem…
Zëri i Amerikës: Jo ky është varianti i Venecias…
Presidenti Ilir Meta: Unë mund ta sqaroj më pas, sepse tani unë nuk e kam këtu me vete. Nuk kam asnjë shqetësim për atë gjë.
Zëri i Amerikës: Është në aglisht dhe po e përkthej në moment… “ në qoftë se, ashtu edhe siç ka ndodhur, anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve lokale, i tejkaloi kompetencat e Presidentit, siç u vertetua më parë”, në argumentimin që bën Venecia, “parlamenti dhe komisioni i tij hetimor duhet të marrin parasysh një sërë faktorësh që çuan këtu, të cilat vënë në pikëpyetje nëse ky akt ka qenë i një natyre serioze”. Pra ata thonë që (akti) nuk ka qenë serioz për t’u shkarkuar por…
Presidenti Ilir Meta: E para, një herë varet shumë se si është formulimi në anglisht e dyta… këtë gjë e di mirë sepse me këtë çështje jemi marrë shumë seriozisht, Komisioni i Venecias….. e para kjo nuk egziston …ka një ndryshim të madh mes paraprakut dhe përfundimtarit….
Zëri i Amerikës: Jo jo ky është përfundimtari (raporti) pika 81…
Presidenti Ilir Meta: Do t’ua sqaroj edhe unë më pas sepse nuk e kam këtu. Së dyti, Komisioni i Venecias ka thënë këtë gjë…. edhe nëse pretendimet e Kuvendit, jo konkluzioni i Venecias, pretendimet e Kuvendit janë të tilla, përsëri kjo është një çështje jo serioze që hyn në sferën për të ndërmarrë një hap të tillë ndaj Presidentit të Republikës. Ky është thelbi i Venecias. Dhe fjala tejkalim kompetencash në variantin e fundit si konkluzion i Venecias nuk egziston. Kjo ka egzistuar tek parapraku….
Zëri i Amerikës: Jo jo është…
Presidenti Ilir Meta: Dakort e sqarojmë edhe më pas….nuk kam shqetësim për këtë çështje. Por absolutisht kjo është një gjë pa lidhje. Pasi kompetenca e zgjedhjeve është një kompetencë absolute dhe e vetme e Presidentit të Republikës, që nuk e ndan me asnjë institucion tjetër.