Aktualitet

Meta dekreton Marsida Xhaferllarin për gjyqtare të Kushtetueses








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:59 - 13/11/19 |
mapo.al

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin, e renditur e katërta në listën e KED që i është dërguar kreut të shtetit. Për shkak të axhendës së tij në Samitin e Paqes në Francë, me të ardhur në Aeroportin e Rinasit Kreu i Shtetit firmosi emrin e Kryeinspektores pranë KLGJ-së.


Me dekretimin e Marsida Xhaferllarit, Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale, pasi tashmë ka 6 gjyqtarë, bashkë me emrin e Arta Vorpsit e cila kaloi automatikisht pasi kaloi afati 30 ditor i presidentit për t’u shprehur (por që Meta nuk e njeh si proces), nga 9 që duhet të ketë në total sipas ligjit. Kjo i hap rrugë shqyrtimit të dosjeve, duke filluar nga dekreti i Metës, për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, vendim ky i cili do t’i jepte zgjidhje edhe krizës politike që ka përfshirë vendin prej disa muajsh.


Dekreti i Metës
 Presidenti Meta dekreton emërimin e znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese


D E K R E T


“PËR EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE”

Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të,

D e k r e t o j;

Neni 1

Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11350
Tiranë, më 13.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Kujtojmë se më herët presidenti Meta dekretoi ish-prokurorin Besnik Muçi, por ai refuzoi të dekretojë kandidaten e dytë, emrin e Arta Vropsit e cila renditej e para në listën e KED. Përmes një letre dërguar KED, Meta kërkonte respektimin e radhës nga Kuvendi, që do të thotë se pasi zgjodhi Besnik Muçin, Kuvendi duhet të votonte kandidatin tjetër në radhë. Por mazhoranca tha se ligji parashikon mekanizëm zhbllokues dhe sipas këtij mekanizmi, Vorpsi zgjidhet automatikisht anëtare e Kushtetueses.

Të hënën Kuvendi votoi dy kandidatet e tjera Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin. Dy javë më parë, Meta dekretoi ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, por për të ende nuk ka dhënë vendimin përfundimtar KPA. Prokurori i njohur ka kaluar procesin e Vettingut në KPK, por Komisioneri Publik ka ankimuar këtë vendim dhe ka kërkuar shkarkimin e tij për mosjustifikim të pasurisë dhe kontakte me persona të papërshtatshëm.

Pesë anëtarët e rinj dhe anëtarja e vetme e cila kaloi me sukses Vettingun, Vitore Tusha, pritet të përbëjnë trupën prej 6 anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese, deri në plotësimin e saj me nëntë gjyqtarë.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë doli jashtë funksionit 18 muaj më parë për shkak të veprimit të ligjit të Vettingut dhe dorëheqjeve të disa prej gjyqtarëve pa nisur ende ky proces. Zhbllokimi i Kushtetueses dhe bërja e saj funksionale ishte një nga nëntë kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.

6 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Vitore Tusha (Anëtare ekzistuese)
Besnik Muçi (I dekretuar nga Meta)
Arta Vorpsi (Anëtare automatikisht)
Elsa Toska (E votuar nga Parlamenti)
Fiona Papajorgji (E votuar nga Parlamenti)
Marsida Xhaferllari (E dekretuar nga Meta)

Anëtarët e rinj të Kushtetueses do betohen te Meta
Anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, që të marrin zyrtarisht detyrën e re do të duhet më parë të betohen përpara kreut të shtetit, pavarësisht se përzgjidhen nga Presidenti, parlamenti apo Gjykata e Lartë. Dhe kjo vlen dhe për rastet si ai i Arta Vorpsit, që u emërua automatikisht pas skadimit të afatit 30 ditor, edhe pse kreu i shtetit kishte kërkuar pezullim të procesit të zgjedhjes për t’u respektuar procedura, që sipas tij, ishte shkelur nga KED.

Edhe Fiona Papajorgji e Elsa Toska gjithashtu do të betohen te Presidenti. Të njëjtën procedurë do të ndjekë edhe e dekretuara e sotme, Marsida Xhaferllari, njësoj siç veproi ish-prokurori Besnik Muçi, i dekretuar gjithashtu nga Presidenti i Republikës.

Në Kushtetutë nuk ka afat të përcaktuar se kur duhet të zhvillohet ceremonia e betimit, ndaj gjithçka varet nga vullneti i kreut të shtetit. Deri tani asnjë nga anëtarët e reja të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka bërë betimin. Kjo edhe për faktin se Presidenti ka qenë pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Paris.

Megjithatë, nëse presidenti nuk do të zhvillojë procedurën e betimit, mazhoranca po mendon për një zgjidhje tjetër ligjore, e cila parashikon të anashkalojë kreun e shtetit.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas