Kryesore, Politika

Meta do ikë nga presidenca? Si e shohin analistët përplasjen e fortë me Ramën

Debati i ashpër mes Kryeministrit dhe Presidentit për ministrin e ri të Jashtëm ka qenë temë diskutimi në panelin e emisionit “Java në RTSH”. Për herë të parë, analisti Lorenc Vangjeli bëri të ditur se zgjidhja për kryediplomatin e ri mund të vijë përtej Gent Cakajt. Sipas Vangjelit, dy burime konfirmojnë se Rama e ka gjetur zgjidhjen për të dalë nga ky ngërç politik dhe krizë kushtetuese.


Vangjeli tha se nëse ky version miratohet edhe zyrtarisht, ka gjasë që ministri i ri i Jashtëm të jetë edhe vëtë Edi Rama.

Meta e nis me diversion: PS ka kapacitete të jashtëzakonshme diplomatike

Ndërkohë që Zogaj u shpreh se Cakaj është shokuar nga ajo që ka ndodhur në skenën politike për dekretimin e tij.

“Unë kam informacione se Cakaj ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme qoftë edhe si zv.ministër dhe nuk e sheh me veten pjesë e këtij festivali. Cakaj është shokur nga kjo që ka ndodhur”, tha analisti Preç Zogaj.

Sipas tij, po konsumohen batuta të paimagjinueshme mes krerëve të shtetit dhe kjo përbën një krizë komunikimi.

“Askush nuk mund të bëjë krahasime se kush është më i ditur. Këto janë përpjekje për të nxitur batuta dhe zallamahi. Kjo është një ekstravagancë e kryeministrit për një kandidat që jeton në mikro-kozmosin e tij”, tha Zogaj.

Por sipas tij, Meta me refuzimin e tij përbën një paradoks sepse tregon që ministri nuk i përmbush pritshmëritë e tij. Zogaj tha se të mos dekretosh propozimin për shkarkimin e Ditmir Bushatit është e pakuptueshme.

Megjithatë, në editorialin e tij, analisti Preç Zogaj u shpreh se Rama nuk mund të ndërtojë një qeveri teknike duke qëndruar vetë në krye të saj.

“Kjo që ka bërë Rama është një shpallje vetvetishme e shterimit të resurseve njerëzore me angazhim politik brenda dhe rreth partisë socialiste; është një atentat kundër angazhimit të njerëzve dhe sidomos të rinjve në politikë. Rama nuk mund të krijojë një qeveri de fakto teknike duke qëndruar vetë në krye të saj. Edhe nëse në të përfshihen njerëz me kapacitete gjeniale. Rasti i Genc Cakajt është pjesë e kësaj anomalie”, tha Zogaj.

Rama: Meta është katandisur në çizme rezervë e Monikës

Në një vit e shtatë muaj në detyrën e presidentit të republikës, Ilir Meta ka kthyer me dekret më shumë projektligje sa çdo paraardhës i tij. Tre janë rastet më flagrante të firmës së Metës, kthimi i dekretit për Sandër Lleshajn, ai për buxhetin e shtetit për vitin 2019 dhe më i fundit rrëzimi i propozimit për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm vetëm dy ditë më parë. Për këto tre firma, Meta hyn në histori si presidenti i parë në 29 vite pluralizëm që kthen dekretet e emërimit të ministrave dhe projektligjin e buxhetit të shtetit.

Për gazetarin Mero Baze, Ilir Meta mund të shkojë drejt dorëheqjes nga posti i presidentit dhe po sheh mundësinë e marrjes së frenave të opozitës, duke lënë në hije Lulzim Bashën. Kjo, shkruan Baze, si e vetmja mënyrë për përballjen politike të Ilir Metës me Edi Ramën.

“Dhe kjo betejë ka koston e saj politike, sa i përket postit të Presidentit, pasi bazohet mbi vullnetin e tij politik për të shkelur Kushtetutën, në emër të betejës opozitare. I vetmi çmim që e justifikon këtë, është ikja nga Presidenca dhe hedhja në betejë politike, për t’i qëndruar përballë Edi Ramës si rival, duke e lënë përfundimisht në hije Lulzim Bashën.

Do të jetë një vendim i fortë nëse i qëndron deri në fund deklaratës së sotme kundër Edi Ramës. Ajo vihet në jetë vetëm nëse  zbret në fushën e betejës politike kundër tij. Nga zyra e Presidentit mund të përsërisë vetëm skenarin e Sandër Lleshit. Dhe dy herë janë shumë. Edhe Luli ka thënë po më gënjeve dy here, nuk është më faji jot, është faji im,” shkruan Baze.

A do ketë “kurban” ky dimër?

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas