Vetëdorëzim apo operacion policor?
Deri më tani të gjithë thonë se Klement Balili, njeriu më i shumëkërkuar në Shqipëri, është dorëzuar vetë.
Fakti që lajmin e dha i pari Sali Berisha nuk do jetë pritur mirë nga kryeministri Edi Rama.
“Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij,” shkruan Rama në Twitter.
Vetëdorëzimin e Balilit e ka përshëndetur edhe presidenti Ilir Meta.
Ai falenderoi agjencitë shqiptare dhe partnerët e huaj dhe theksoi se gjithçka erdhi pas presionit.
“E përshëndes ndalimin e Klement Balilit, një person me mjaft probleme me ligjin. Dhe me këtë rast dua të falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot,” tha Meta.